Politikë

Berisha nuk heq dorë nga 11 maji: S’do i njohim kurrë zgjedhjet, do kërkojmë Komision Hetimor në Parlament! Dumani peng i Ramës (VIDEO)

25 Gusht, 12:44| Përditesimi: 25 Gusht, 13:50

  • Share

Kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha, iu rikthye përsëri ditën e sotme tezës së farsës elektorale të 11 majit.

Ai tha se ka gati ‘librin e zi’ të krimeve elektorale, që do i dërgohet institucioneve ndërkombëtare, BE-së dhe NATO-s, teksa publikoi edhe informacione për të cilat u shpreh se janë “rrjeti dhe sistemi i patronazhistëve” të partisë-shtet, që u angazhuan në zgjedhjet e përgjithshme.

Konfirmoi se PD do shkojë në Parlament në shtator, por nuk do i njohë kurrë zgjedhjet dhe betejën do e bëjë në Kuvend, duke kërkuar edhe një Komision Parlamentar Hetimor për krimin elektoral. Këtë kërkesë do e bënin, pasi nuk kishin besim te Altin Dumani dhe SPAK, sepse sipas tij, “është i marrë peng nga Edi Rama”.

Pyetjes së gazetarëve nëse PD do të shkonte në Parlament në shtator, ai iu përgjigj:

“Po afrohet momenti kur PD do marrë vendimet përkatëse. Një gjë është e sigurtë, se PD këto zgjedhje nuk do i njohë kurrë. Të njohësh këto zgjedhje do të thotë të bëhesh bashkëautor në krim, krimi më i madh elektoral në histori që pas vitit 146, që patën një fat të ngjashëm, që ishte diktaturë. Shqiptarëve u përket të ngrihen për rikthimin e votës së lirë”, tha kreu i PD-së.

Berisha nënvizoi se beteja e PD-së do vijonte kudo për votën e lirë dhe se ishin në kontakt për institucionet ndërkombëtare për të denoncuar me fakte farsën elektorale.

“PD do e bëjë këtë betejë kudo. Është betejë për jetën ose vdekjen e votës së lirë. Jemi në lidhje të vazhdueshme me të gjitha faktet që kemi, në sistemin elektronik dhe online, me institucionet ndërkombëtare që merren me zgjedhjet. Kemi librin e zi të kësaj farse që do e dërgojmë në të gjitha kancelaritë ndërkombëtare, të BE-së dhe NATO-s. Janë me mijëra dokumente”, tha Berisha.

Ai u pyet nëse PD do kërkonte edhe Komision Hetimor Parlamentar në Parlament për çështjen e zgjedhjeve dhe e pohoi, sepse sipas tij, Altin Dumani nuk e heton dot, pasi “është peng i Ramës”.

“Padiskutim që do të ketë Komision Hetimor për zgjedhjet në Parlament. Altin Troplini nuk heton dot krimin elektoral, është peng i Edi Ramës, sepse me një rrogë, ka 4 apartamente dhe thotë e banon kollovar te vjehrri i tij. Altin Hajri bënte fushatë elektorale i lirë. Për Jani Prengën u dënua e akuzua kopshtari, kurse i zoti bridhte i lirë, dha 700 mijë euro, dha dy kostume për Olsin”, u përgjigj Berisha.

Për të justifikuar pretendimet politike, ai shfaqi disa të dhëna që tha se ishin marrë nga sistemi elektoral i PS. Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama për krimin elektoral dhe ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, që edhe njëherë e quajti Altin Troplini, për mbrojtjen e qeverisë nga krimi elektoral.

“Sistemi i patronazhistëve, i ndërtuar nga kreu i organizatës kriminale Edi Rama dhe i mbrojtur me fanatizëm nga zv/kreu i organizatës për krimin elektoral, Altin Troplini. Zgjedhjet janë farsë, farsë dhe vetëm farsë. Vendosën pabarazi ekstreme në fushën e betejës, përdorimin e të gjitha resurseve shtetërore nga partia shtet në garën elektorale. Sistemi i patronazhimit u denoncua në mënyrë të hapur dhe të përsëritur nga vëzhguesit ndërkombëtarë”, tha Berisha mes të tjerave para gazetarëve në konferencë.

Më tej, për të justifikuar humbjen historike të PD-së më 11 maj, tha se institucionet shtetërore u shndërruan në institucione dhe operatorë elektoralë nëpërmjet punonjësve dhe zyrave qendrore dhe vendore.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kolegji rrëzon Lapajn dhe i jep mandatin Ana Dajkos, si e vlerësoni?