Politikë

VIDEO/ Berisha vijon të nxijë Shqipërinë, edhe pse doli blof e çon 'trenin bullgar' në Asamblenë Parlamentare të OSBE: Jemi i vetmi narkoshtet në Europë!

1 Korrik, 14:52| Përditesimi: 1 Korrik, 18:51

  • Share

Sali Berisha vijon të nxijë Shqipërinë, duke e cilësuar vendin tonë si të vetmin narkoshtet në Europë. Kësaj radhe, Berisha foli në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE, që zhvillohet në Porto të Portugalisë.

“Shqipëria është i parë dhe i vetmi narkoshtet në Europë. Sa e vështirë është kjo për ne?  Europa ka njohur shumë lloje diktaturash, por kurrë më parë një narkodiktaturë. Kjo është një diktaturë e një natyre tjetër. Edhe në këtë diktaturë të gjitha pushtetet përqendrohen në dorën e vetëm një personi, të Kryeministrit. Por ashtu siç shkruante Samuel Huntington për këto lloj diktaturash, narkodiktatura karakterizohet nga fakti që asnjë ligj, asnjë rregull dhe asnjë parim nuk respektohet. Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një narkodiktaturë. Për këdo që është i interesuar: ai këtë e ka bërë haptas dhe pa fshehur asgjë”, tha Berisha mes të tjerash.

Ai foli edhe për pretendimet që ka për farsën elektorale të zgjedhjeve të 11 majit, që i cilësoi të manipuluara nga “makineria shtetërore e kryeministrit Edi Rama”. Kjo, edhe pse rinumërimi i deritanishëm në Tiranë dhe Fier ka treguar se jo vetëm më e favorizuar ka dalë PD duke marrë shumë vota të pamerituara, por edhe ka vjedhur vetë kandidatët e saj brenda partisë nëpërmjet komisionerëve.

"Partitë e qendrës së djathtë në Europë dhe në mbarë botën, që nga tetori i vitit të kaluar, kanë miratuar njëzëri 5 rezoluta që paralajmëronin atë farsë që do të ndodhte në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, pak javë para zgjedhjeve, me dekret miratoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis, kryesisht pranë kufijve me vendet fqinj. Ndërkohë në Amerikën Latine, janë 14 mijë shqiptarë që punojnë në kartelet e drogës, dhe disa prej tyre i drejtojnë këto kartele, si për shembull karteli i drogës Sinaloa. Kartelet e drogës në Shqipëri janë direkt të lidhura me qeverinë dhe janë shumë të fuqishme: karteli Troplini/Poja kontrollon portin e Durrësit, portin më të madh të vendit dhe të rajonit. Karteli Çela i Elbasanit kontrollon autostradën e trafikimit të heroinës që vjen nga Lindja. Këto kartele janë shumë të fuqishme, emërojnë ministra, gjyqtarë, prokurorë, shefa policie, deputetë etj. Kjo ishte situata me të cilën ne hymë në zgjedhjet e 11 majit”, tha kreu i PD-së, duke vijuar që të baltosë vendin në arenën ndërkombëtare.

Berisha foli edhe për arrestimet e liderëve opozitarë, ku përfshiu edhe veten bashkë me Ilir Metën si dhe hapjen e procesit gjyqësor ndaj Fatmir Mediut, apo arrestimin dhe hetimin e kryebashkiakëve opozitarë nga ana e qeverisë.

“E gjithë administrata publike, në shkelje të ligjit, është shndërruar në një rrjet patronazhistësh, çdo punonjes i saj duhet të kontrollojë një numër ta caktuar votuesish nëpërmjet keqpërdorimit të të dhënave personale. Çdo nëpunës civil ishte i detyruar të sillte 20 votues të tjerë që të votonin për Partinë Socialiste në pushtet. E gjithë struktura qeveritare, të gjitha institucionet shtetërore, u përdorën për të dhënë në ditët e fundit para zgjedhjeve leje ndërtimi, leje legalizimi, certifikata pronësie e shumë shërbime të tjera publike. Po ashtu, mjete të tjera logjistike dhe i gjithë shteti u përdor në këto zgjedhje. Partia dhe shteti ishin një, ashtu siç u përmend në raportin paraprak të ODIHR. Kjo është arsyeja pse procesi zgjedhor ishte një farsë e paralajmëruar”, vijoi ai diskursin e tij politik.

Por ai nuk iu largua as pretendimeve për ‘trenin bullgar’ si dhe diktimin e rezultatit për 28 deputetë nga bota e krimit. Edhe pse deri tani nuk është gjetur asnjë provë për pretendimet plitike të tij dhe PD-së, Berisha vijon të hedhë akuza.

“Momentalisht, po shqyrtojmë dhe analizojmë pamjet zyrtare (të siguruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve), të procesit në çdo qendër votimi, dhe po përgatisim video të shkurtra që evidentojnë shkeljet. Kemi vërejtur në shumë e shumë raste trenin bullgar (karusel), votim në grup, komisionerë që votojnë për zgjedhësit etj. Ka aq shumë parregullsi. Ne kemi besim të plotë që ky institucion, brenda misionit të tij, do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve te lira e të ndershme dhe krijimin e mjedisit që çdo parti të jetë në kushte të barabarta gare, dhe media të lirë, votim pa intimidime, ku çdo qytetar të ketë mundësinë e zgjedhjes së lirë dhe të informuar të kandidatëve, siç e përmend edhe Dokumenti i Kopenhagenit dhe raporti paraprak i ODIHR, OSBE, PE dhe PACE”, u shpreh ai.

Berisha i bëri thirrje edhe misionit të OSBE që të ndihmojnë për zgjedhje të lira në Shqipëri.

Ora 17:11
Edhe Albana Vokshi si Berisha, nxin Shqipërinë në OSBE: Bandat kriminale ndikuan në zgjedhje! Më kërcënuan vajzën

Albana Vokshi duke folur në Asamblenë e OSBE-së

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, pjesëmarrëse në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE, që po zhvillohet në Porto të Portugalisë, ndoqi të njëjtin diskurs si kryetari i partisë, Sali Berisha, duke nxirë Shqipërinë dhe akuzuar për farsë elektorale më 11 maj gjatë zgjedhjeve.

Ajo pretendoi edhe për kërcënimin që mori ditën e zgjedhjeve ndaj vajzës së saj nga grupet kriminale të Vorës.

Ajo tha se kishte kallëzuar paraprakisht këtë grup në SPAK dhe institucionet përgjegjëse, por në ditën e zgjedhjeve nuk mori asnjë mbrojtje. Deputetja theksoi se ky është vetëm një rast nga shumë të tjerë që tregojnë shkallën e lartë të kriminalizimit të zgjedhjeve në vend.

“Disa ditë para zgjedhjeve, depozitova një kallëzim zyrtar pranë mekanizmit (i përbërë nga Prokuroria e Posaçme, KQZ, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme) që u ngrit ngritur për të parandaluar krimet zgjedhore. I dhashë këtij mekanizmi të gjithë informacionin e detajuar për grupin kriminal. Kam këtu emrat e anëtarëve dhe drejtuesve të këtij grupi kriminal, të dënuar për vrasje dhe trafik droge në Shqipëri, BE, Angli etj. I gjithë grupi qëndroi përgjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, në një bar përballë qendrës kryesore të votimit, duke kontrolluar procesin e votimit. Anëtarëve të grupit kriminal u ishin lëshuar badge false për t’u dhënë akses brenda qendrave të votimit, për të kontrolluar, intimiduara apo kërcënuar votuesit”, tha Vokshi mes të tjerash në pretendimet e saj.

Madje ajo shkoi më tej, duke denoncuar se ishte kërcënuar edhe me vajzën e saj.

“Ata e bënin këtë me një qëllim: që unë të largohesha, e t’ua lehtësoja kontrollin e plotë të procesit. Por jo vetëm kaq: unë isha me vajzën time dhe disa vajza të stafit tim. Njëri nga anëtarët e grupit kriminal, jo vetëm më kërcënoi mua, por kërcënoi edhe vajzën time. Kjo është çmenduri!”, u shpreh deputetja, duke akuzuar edhe SPAK dhe Policinë që nuk vepruan pas kallëzimit që bëri.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?