Takimet elektorale të së shtunës, Sali Berisha i nisi me një minutë heshtje për Papa Françeskun, në nder të të cilit qeveria e ka shpallur 26 prillin ditë zie.
Në një takim, me njësinë nr.11 në kryeqytet sulmoi projektin e Ramës për paqen fiskale me bizneset.
“E dëgjuat dje, paqja fiskale, çfarë është paqja e tij fiskale? Paqja e tij fiskale është amnistia, është parajsa për botën e krimit, është ndëshkim për ju qytetarë të dashur. Ua shpjegoj unë si është puna. Ky, dy vite më parë filloi reklamoi me të madhe amnistinë fiskale, kur nuk kishte asnjë synim tjetër veçse të sillte paratë e drogës, të klaneve mafioze, të vinin në Shqipëri dhe të ndërtoheshin kulla siç po ndërtohen.
Natyrisht BE e diktoi këtë. Kjo ishte një inkurajim i tmerrshëm i krimit. Në sallën e gjyqit në Belgjikë, trafikanti deklaroi sipas televizionit belg, se vetë kryeministri më kishte premtuar se do mund të investoja paratë në Shqipëri. Tani thotë paqja fiskale. Ai vetë është në paqe dhe bashkëpunim të ngushtë me ta. Por unë i garantoj atje ku janë se asnjë qindarkë, asnjë dollarë, asnjë euro nuk do mund të sjellin në Shqipëri. Jo. Sepse çfarë ndodhi këtu me këtë? Nuk ka vend në Europë, në të cilin monedha e vendit të ketë rrëzuar përdhe euron", tha Berisha.
Për të gjitha këto, Edi Ramën e ftoi në një “dyluftim politik”.
“Ka dy muaj që ka ndaluar me urdhër kandidatët e tij të ballafaqohen me kandidatët tanë, sepse nuk do që ju të merrni vesh të vërtetat, sepse e di se ata nuk dalin dot, se kur të dalin nga studiot, do dalin me fytyrë të nxirë nga aferat e Edi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë.
E kam ftuar, prapë këtu e ftoj, të vijmë ja në këtë skenë dhe të bëjmë debat para jush, t’i marrë të gjithë socialistët e lagjes t’i sjell këtu, unë i pranoj, i respektoj ata, por ai nuk ka besim as tek socialistët.
Nuk ka besim se kësaj here e kuptuan edhe ata se nuk ka program. Programi i tij është këneta, është tallavaja, është banaliteti, është mashtrimi”, tha Berisha.
Një koment e ka edhe për diskursin politik të kryesocialistit Rama gjatë fushatës elektorale.
"Që flet nga mëngjesi gjer në darkë sikur të jetë në jerm, jo këneta, jo zhapinj, jo hardhuca dhe me një fjalor mizerabël, çyryk, autik, budalla, i divorcuar. Këto janë togfjalëshi i tij, këto janë premtimet e tij, kjo është llogaridhënia e tij para jush. Por miq, e ka ndjerë fundin! Miq, Edi Rama e ka ndjerë fundin", tha Berisha.
Gjobat premtoi Berisha do të falen vetëm për qytetarët që sipas tij kanë përjetuar arrogancën e pushtetit.
Komente
