Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i qëndroi sot përsëri tezës politike se “lufta fillon tani”, me një diskurs të ngjashëm si paraardhësi i tij me “beteja sapo ka filluar”, pas humbjes së thellë të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Teksa këmbënguli tek pavlefshmëria e zgjedhjeve që i cilësoi “farsë elektorale”, ai akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për manipulim të votës së diasporës.
Dhe ndërsa kërkoi zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike, duke premtuar mosnjohjen e 11 majit, ai i kërkoi shqiptarëve edhe që “të kenë durim”.
“Ne do i paraqesim çdo ditë shqiptarëve provat e vjedhjes. Të jenë të sigurt se këto zgjedhje nuk do njihen. Sot ka shqiptarë të mërzitur, të zhgënjyer, por kjo luftë do fillojë, nuk dorëzohemi. Një hajdut dhe kryebandit si Edi Rama nuk mund të imponojë një rezultat shqiptarëve. I them shqiptarëve të kenë durim, se ne kemi dokumente. Ne nuk mbrojmë me kallashnikov votën, por lufta tani fillon. Provat i kemi, do tregojmë se çfarë kanë bërë horrat e narkoshtetit. Ky regjim duhet të luftohet, me front të përbashkët brenda dhe jashtë vendit, në çdo skaj të botës”, tha Berisha.
Komente
