Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, justifikoi humbjen e thellë të koalicionit opozitar të zgjedhjeve të 11 majit me farsën elektorale nga qeveria e Edi Ramës, që sipas tij bashkëpunoi me kartelet kriminale në Durrës dhe Elbasan.
Ai aludoi dhe holli akuza të rënda për takime të fshehta, marrëveshje okulte me kandidatë në këmbim të posteve, si rasti i grupit kriminal Troplini sipas tij, që donin të vendosnin ministër të Brendshëm kandidatin e Durrësit Arkend Balla, që mori edhe 21 mijë vota.
Ai i cilësoi zgjedhjet jo të lira dhe farsë, që nuk do i njihte kurrë, duke deklaruar edhe nisjen e një beteje për sakrificë nga ai, PD dhe shqiptarët që donin të bëheshin pjesë.
Berisha tha se nuk përjashtohet as skenari i një greve urie, teksa u shpreh se do të dokumentohen të gjitha rastet e farsës elektorale dhe do i paraqiten ndërkombëtarëve, duke iu referuar edhe rezolutave të PPE-ve.
“A mund të mbulohet një krim i tillë elektoral. Unë ju garantoj për një gjë, se këto zgjedhje nuk do njihen. Ata që mbrojnë krimin elektoral, nuk bëjnë gjë tjetër sesa rreshtohen me kartelet dhe Edi Ramën në këtë krim elektoral. Po e them edhe një herë atq që kam thënë më parë, se me Edi Ramën zgjedhje nuk mund të ketë kurrë. Ka krijuar zyrën e masakrës elektorale. Në Durrës ka 15 mijë vota të krimit, të diktuara nga krimi. Ka edhe të tjerë në listë, por ky ishte stari, Arkend Balla, se ishte projektuar ministër. Meqë u dekonspirua Rama, tani po bëhet edhe beteja për kryetar Bashkie në Durrës, në vend të Sakos”, tha ai, duke hedhur në media edhe një tjetër skenar në dukje imagjinar.
Më tej ai bëri thirrje ndaj qytetarëve për një betejë me sakrificë, duke mos sqaruar se për çfarë bëhej fjalë. Ai justifikoi se e kishte paralajmëruar farsën elektorale, teksa PD zgjodhi sipas tij rrugën e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe jo të bojkotit, sepse u bazua tek rezolutat e ndërkombëtarëve dhe tani po provohet masakra elektorale.
“Në shtet elektoral ka vetëm fars elektorale, e Rama po bën vetëm farsë elektorale, sepse farsa nuk fiton dot ndaj opozitës. Unë pyes qytetarin shqiptar, a është i gatshëm të sakrifikohet në betejë, për të mbrojtur votën e lirë ndaj kësaj farsës. Largimi i Edi Ramës duhet të jetë qëllimi kryesor i betejës tonë. Edhe në rezolutën e prillit nga 82 partitë e PPE-ve që qeverisin Evropën, thuhej se zgjedhjet e 11 majit do ishin farsë. Se kishte krim elektoral, se votat po bliheshin, se do kishte farsë elektorale. U bë edhe një ‘hiring’ në PE. Kishte dy rrugë, pjesëmarrje ose mospjesëmarrje. Edhe mund të mos merrnim pjesë. Por nëse nuk merr pjesë do të thotë të ndjekësh rrugën e dhunës, forcës, sepse nuk ka zgjidhje tjetër, do përballeshim me betejë dhe dhunë. Dhe rruga tjetër që ndoqëm ne, që të merrnim pjesë, të luftonim për votën e lirë, nëpërmjet dokumentimit të fakteve, provave, të përgatisnim një dosje dhe t’ia paraqesnim ndërkombëtarëve. Ja ku ëshë rezoluta. Beteja nuk është e pashpresë, mendoj se është betejë e lirë, por jo e pashpresë”, tha kreu i selisë blu.
Por a është i gatshëm të sakrifikojë ai, përveç thirrjes ndaj qytetarëve dhe çfarë parashikonte skenari i PD në këtë betejë, nëse bëhej fjalë për një grevë urie në Parlament?
“Absolutisht i gatshëm ta udhëheq deri në fitore, e nën shembullin personal t’ju rikthej shqiptarëve votën e lirë. Asgjë nuk përjashtohet, nuk përjashtohet asnjë variant. Do bindim qytetartë se kjo ishte një farsë. Ai njeri s’ka moral, kur pranon krimin elektoral të karteleve. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Kushdo që beson te rruga jonë është i mirëpritur. Dhe nëse besoja se kjo betejë nuk fitohet, nuk do e nisja. Jam i bindur se këtë betejë ne do ta fitojmë. Do vazhdojë lufta për ndërgjegjësimin e botës për farsën elektorale. Por e theksoj, farsat elektorale nuk itohen kurrë nga opozita”, u shpreh berisha ndër të tjera.
Në fund të këtij diskursi kontestimesh elektorale, Berisha u shpreh se do të bëjnë të gjitha format e ankimeve të mundshme, rezultati apo rinumërimi, si në rastin për Ilir Alimehmetin.
“Dielli me shoshë nuk mbulohet. Pavlefshmëri dhe të gjitha format e ankesave”, u shpreh ai pas pyetjes së gazetarëve.
Por, para se të vijë shtatori, ditët e nxehta të verës, PD do t’i kalojë me betejën e nisur në KQZ, për të kundërshtuar rezultatin në 12 qarqet, duke kërkuar pavlefshmërinë e tyre dhe përsëritjen e zgjedhjeve.
Në Tiranë, krahas përsëritjes së zgjedhjeve, PD do të ketë edhe një kërkesë specifike, për rinumërim të fletëve të pavlefshme, rreth 16 mijë të tilla në qark, me shpresën e fundit se aty do të gjejnë vota për të fituar mandatin e 14-të që ia mori partia “Mundësia” për një grusht votash
Një nga pyetjet drejt fundit të konferencës lidhej edhe me kandidaten më të votuar të PD-së në Tiranë dhe shkallë vendi, Jorida Tabaku dhe akuzat që po ngrihen ndaj saj nga eksponentë të lartë të partisë se ka vjedhur votat.
Berisha tha se ai është kundër sulmeve pa fakte dhe se i qëndron parimit “të hapen kutitë” për të faktuar shkeljet nëse ka (në zgjedhjet e 2009 ishte kundër hapjes së kutive kur i kërkonte PS-ja).
“Askush nuk ka të drejtë, pa fakte, të akuzojë ndonjë njeri. Unë jam shprehur për këtë se Jorida Tabaku ka bërë një nga fushatat më intensive, e kam konstatuar jo vetëm unë. Unë s’e kam bërë kurrë këtë, që të urdhërj të mos hapen kutitë (harron 2009) dhe çdo kandidat që ka dyshimet më të vogla se ndaj të cilit është bërë një padrejtësi, unë e ftoj të marrë të gjithë dokumentacionin dhe ta verifikoj. Detyra ime është që pavarësisht konsideratave personale që kam për njërin dhe tjetrin, duhet të mbroj parimin bazë, që është se ai që ka dyshimin, një dy tre me radhë, cilat janë, t’i faktojë pa pasur asnjë pengesë në dokumentacion. Janë disa që kanë ankesa, nuk ëhstë vetëm një, ka dhe të tjerë. Ne nuk do themi mos hap kutitë, atë s’e themi kurrë, kërko të drejtën tënde, ky është parimi ynë”, tha Berisha.
Por në retrospektivë dhe kontekkst politik, Berisha pas zgjedhjeve të vitit 2009 rezistoi për më shumë se një vit duke kundërshtuar PS-në si opozitë, e cila kërkonte hapjen e kutive, madje ngriti edhe sloganin "Të hapen kutitë", duke refuzuar në fund. Dhe madje KQZ i dogji fletët e votimit dhe kutitë me proces disa muaj pas procesit.
Kurse sot u shpreh se "parimi i tij është që kutitë të hapen" dhe se "në të kundërt të Ramës, unë them që kutitë të hapen".
Komente

SI MUND TI JAPESH VOTEN KETIJ IDIOTI....
PërgjigjuKy kriminel,bandit,hajdut në vitin 2009 një Gazetar e pyet! zoti Berisha opozita kërkon rinumrimin e votave? Përgjigja ishte PDja ka fituar zgjedhjet dhe për 4 vite jam Kryeministë don zdon PSja ky ishte për gjigja e Kriminelit.
PërgjigjuSa rendë eshte,shume rendë
Përgjigju