Kryetari i partisë Demokratike doli sot përsëri në një konferencë për gazetarët, që prej dy muajsh e ka kthyer në një ritual të përditshëm, duke denoncuar manipulimin e votës së diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai deklaroi se shumë nga zarfat nuk u kthyen nga DHL në Shqipëri. Për rastin e Italisë Berisha pretendoi se mbi 15 mijë vota nuk u kthyen, duke deklaruar se “votat u mbytën në Adriatik”.
Berisha pretendoi se ka shumë zarfa me firma të falsifikuara, si shenja me vizë apo fjongo, raste kur kanë firmosur persona të tjerë dhe jo votuesi, apo edhe dorëzime të këtyre zarfeve pas ditës së zgjedhjeve të 11 majit.
“Mbi 15 mijë vota të diasporës shqiptare në Itali u mbytën në Adriatik dhe nuk mbërritën në Shqipëri, vota të qytetarëve shqiptarë. Nuk dihet se kush është personi që i takon, kush e ka marrë votën. Janë 30% e rasteve, shenjat e firmave me vizë apo fjongo me përqindje të lartë. Në 42 raste është krejtësisht falsitet dorëzimi i fletëve të votimit. Janë dorëzuar në zyrat e PS-së, nuk u është dorëzuar votuesve. Janë bërë dorëzime pas ditës së votimit, 12 apo 14 maj. Ka raste kur të tjerë persona kanë firmosur dhe jo vetë personi”, tha kreu i selisë blu, duke i qëndruar deklaratave për farsë elektorale.
Ai kërkoi nga shqiptarët e diasporës që të ngriheshin kundër këtij manipulimi dhe falsifikimi zgjedhor, kundër qeverisë dhe mazhorancës.
Berisha akuzoi sërish edhe KQZ-në për heshtjen ndaj kërkesave të PD-së për transparencë.
“Mbi 15 mijë vota nuk i kanë ardhur KQZ-së nga Italia prej DHL-së, ne po e ndjekim hap pas hapi, por KQZ po hesht. Ne do të komunikojmë edhe me DHL-në, do i çojmë dokumentacionin”, tha ai.
Gjithashtu sulmoi edhe kryeministrin Edi Rama për deklaratën e bërë gjatë takimit me pedagogët në Universitetin Bujqësor të Kamzës, ku deklaroi mbylljen e doktoraturave për kërkimet shkencore. Ai tha se një vendim të tillë nuk e kishin marrë as Enver Hoxha, Kim Jong Un apo Maduro.
Berisha e cilësoi kryeministrin si një “injorant që urren universitetet dhe mendimin intelektual”, teksa u bëri thirrje studentëve dhe pedagogëve që të ngriheshin kundër këtij vendimi.
“Rama ka tejkaluar Enver Hoxhën, Maduron, Kim Jong Un me deklaratën e tij të fundit të bërë dje para pedagogëve, të quajtur pedagogë, se mbyllen doktoraturat, se ishin kot. Rama hoqi dje maskën. Nuk ka deklaratë që në rrafshin e injorancës mund të tejkalojë, akt të një urrejtjeje që ky person zhgarravitës me kulturë mizerabël socialiste të tregojë për kërkimin shkencor dhe universitetet, nuk ka goditje më të rëndë për mendimin intelektual, akademik dhe universitar si ky vendim. T’u heqësh universiteteve doktoraturat, do të thotë t’i shkatërrosh ato në mënyrë përfundimtare dhe këtë s’e ka bërë njeri në botë. Ndodh për herë të parë që nga themelimi në vitet 50-të e Universitetit të Tiranës. As diktatura hoxhiste, as në periudhën më të zezë të revolucionit kinez, kur u sulmua rilindja shqiptare si dekadente, nuk e bllokoi kërkimin shkencor”, tha ai mes të tjerash.
Më tej ai apeloi që studentë dhe pedagogë ta kundërshtonin me forcë vendimin, ndërsa dënoi mosbraktisjen e sallës së takimit nga pedagogët që ishin prezent dhe që i quajti si ‘lepirës të këpucëve të Ramës’.
“Të mburresh se mbyllëm doktoraturat se ishin kot, do të thotë se jo vetëm je një injorant dhe urrejtës i universiteteve dhe mendimit akademik, por edhe armik i egër i mendimit kombëtar, mendimit shkencor. U bëj thirrje studentëve, pedagogëve të universiteteve, të ngrihen me forcën më të madhe, kundër këtij injoranti e urrejtës të universiteteve, që me përroin e tij psikik të shkatërruar, kërkon të censurojë, bllokojë ëndrrën e tyre shkencore, formimin e tyre shkencor, si shtyllë kryesore e përparimit akademik. U them pedagogëve që ishin aty, se nuk i pashë, vetëm atë korbën e Covidit pashë aty, të reagonin, të braktisnin sallën dhe jo të heshtnin para një vendimi të tillë. Ndaj ftoj pedagogë e studentë që të marrin në dorë fatin e universiteteve dhe të ngrihen kundër një grupi lakejsh që i lëpijnë këpucët Edi Ramës, të reagojnë kundër vendimit”, u shpreh kreu i PD.
(lajmi ne perditesim...)
Sali Berisha foli sot edhe për gjendjen në paraburgim të aleatit të tij, Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë, i paraburgosur prej 21 tetorit 2024, duke denoncuar sipas tij, trajtimin çnjerëzor që po i bëhet.
Të njëjtin denoncim bëri edhe për shkeljen e të drejtave në paraburgim për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, i paraburgosur prej 10 shkurtit 2025, por duke përdorur dy ‘gjuhë’ dhe dy standarde. Metën e cilësoi 'të burgosur politik', kurse Veliajn 'të burgosur ordiner'.
Ai i kërkoi Avokatit të Popullit që të niste një hetim të menjëhershëm për të dy rastet, pasi ishin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut për një vend anëtar të Këshillit të Europës, teksa akuzoi ‘banditët me uniformë’ të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Ulsi Manja.
“Kam informacione të besueshme, për të cilat unë kam bërë denoncime, sjelljet në burg ndaj Ilir Metës, kryetarit të PL, janë çnjerëzore, janë politike, janë absolutisht të dënueshme. I kërkoj Avokatit të Popullit me urgjencë të marrë takim me të burgosurin politik Ilir Meta dhe të bëjë publike të gjitha qëndrimet çnjerëzore të urdhëruara nga Edi Rama dhe Ulsi Manja nga banditë me uniformë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të vendit. Por sot më duhet gjithashtu të denoncoj të dhëna që kam se ka sjellje çnjerëzore edhe ndaj të burgosurit ordiner, Erion Veliaj. Partia Demokratike ka bërë me dhjetëra e dhjetëra protesta për arrestimin e këtij delinkuenti, i cili është akuzuar as për 20 përqind të krimeve që ka kryer. Por, cilido qoftë i burgosuri, trajtimi i tij në përputhje me rregullat dhe kodin e trajtimit të të burgosurve, është standardi i domosdoshëm për çdo vend anëtar të Këshillit të Europës”, tha ai.
Madje për Veliajn, kreu i PD-së shtoi se janë kryer edhe manipulime dhe akte të rënda.
“Vijnë të dhëna se ndaj këtij të burgosuri janë kryer manipulime dhe akte të rënda, të dënueshme ndaj dhe unë i kërkoj Avokatit të Popullit të nisë një hetim të plotë edhe për qëndrimet ndaj këtij delinkuenti ordiner, por që në një vend anëtar të Këshillit të Europës gëzon ato të drejta që ligjet e vendit u njohin personave të burgosur”, u shpreh Berisha.
Komente

Cfare mut doktoraturash behen sot.Edhe Monika Kryemadhin qe mbaroi biokimi mbrojti doktoraturen per ekonomiJane bere profesore kungujt deri dhe gomere si Sazan Guri,qe bente studime me projekte nga Ministria e Mjedisit ku 60% te parave I merrnin drejtorat e ministrise dhe 40% Sazani.
Përgjigju