Politikë

Berisha prezanton kandidatët në Elbasan, Dash Sula i kujton Primaret: Votat e anëtarëve u bënë hi! Kryemagjistarët e listave e kthyen statutin e PD në letër bakalli

6 Prill, 11:08| Përditesimi: 6 Prill, 17:12

  • Share

Nga Elbasani ku prezantoi kandidatët e tij për deputetë, kreu i PD Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se edhe pas 12 viteve në pushtet, kërkon të marrë mandatin e katërt me mashtrime.

“Edi Rama, pas 12 vitesh, përsëri bën bandillin, del para shqiptarëve me serialin e mashtrimeve. Ai gafoi duke më krahasuar mua me bufin, simbolin e mençurisë dhe urtësisë në të gjitha kohërat. Që nga Athinaja tek Harri Poter. Ai do lolo-opozitë siç bën me Lulzim Bashën”, tha Berisha. 

Kandidatët e vënë në rresht pas tij, mes të cilëve edhe ai i Partisë së Lirisë Dashamir Xhika, i quajti përfaqësues dinjitozë, ndërsa ata të PS kandidatë të zgjedhur nga krimi.

“Ne vijmë këtu me këtë ekip, i njohur për ju dhe asnjë anonim. Deputetët e krahut tjetër janë përzierje Ndragheta-Çela. Arbjan, ty të solli Edi Rama në Elbasan për të shpëtuar lëkurën. Të solli këtu në Elbasan me lejtnant Suel Çelën dhe bandën e tij', tha ai. 

Por, teksa Berisha fliste në podium, deputeti aktual i Elbasanit Dashnor Sula që ndonëse më i votuari në primare u la jashtë listës, i kujtoi kryedemokratit se ka lënë pa përfaqësuar në lista qindra e mijëra qytetarë të Elbasanit.

“Diskriminimi dhe përçmimi që u është bërë Demokratëve dhe votuesve të zonave rurale në Qarkun e Elbasanit duke mos i përfaqësuar me emra në listë të mbyllur, nuk janë të vetme të probleme në listë e kandidatëve të PD për deputetë. Kryemagjistarët e listave të PD e kthyen STATUTIN  e Partisë demokratike në Letër Bakalli, votat e demokratëve i shndërruan në hi që zhduket pa lënë gjurmë, demokratët e fshatrave i braktisën po ashtu edhe demokratët e komunitetit të Krishterë', tha Dashnor Sula. 

Partia Demokratike u përfshi nga përplasje për listat e kandidatëve për deputetë në këtë qark, me disa të zhgënjyer që folën edhe publikisht ndërsa të gjithë deputetët aktualë të Elbasanit u lanë jashtë garës.

Në 2021 PD mori 6 deputetë, përkundrejt 8 të socialistëve ndërsa fushata u përgjak vetëm pak ditë para zgjedhjeve, kur përplasja mes grupit të armatosur të mbrojtjes së votës së PD me eksponentë të PS çoi në vrasjen e Pjerin Xhuvanit.

Xh.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produkte me pesticide, sa besim keni te siguria ushqimore në Shqipëri?