Edhe për pak kohë i lirë për të përdorur simbolet e Partisë Demokratike, derisa në nisje zyrtare të fushatës, KQZ t'ia ndalojë, Sali Berisha po nxiton të prezantojë kandidatët e tij për kryebashkiakë. Nga Mati, ku prezantoi kandidatin Skënder Gjuci, kreu i Rithemelimit, shënjestroi rivalët socialistë të pushtetit vendor. Berisha bëri thirrje që të mos votohen kandidatët e PS, duke thënë se ata janë për burg.
“Shumë herë më afër janë socialistët e thjeshtë me ju, me secilin prej jush, se sa me Agron Malajn, i cili nuk mendon gjë tjetër ditë e natë, se si të pasurohet vetë dhe se si të pasurohet fatosi i tij. Ka ardhur këtu me deklaratën e pasurive të një ish oficeri garde. Kurse tani është bërë milioner. Ndërton saraje, firmos për të vëllain. Ndaj i bëj thirrje qytetarëve mos votoni kandidatët e tyre, ata janë të gjithë për burg”, tha Berisha.
Në fjalën për mediat, Berisha tha se këto zgjedhje janë më të rëndësishëm se kurrë, pasi sipas tij kryeministri Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në monizëm. Berisha hodhi akuza ndaj Ramës se e ka shndërruar qeverinë një organizatë kriminale.
“Sot Edi Rama kontrollon çdo pushtet në këtë vend, sot Edi Rama qeveris duke mos respektuar asnjë ligj, asnjë normë, asnjë standard, asnjë vendim. Sot Edi Rama e ka shndërruar qeverinë e tij në një organizatë të mirëfilltë kriminale, e cila nga njëra anë vjedh çdo orë, çdo ditë, çdo natë, çdo javë, çdo muaj, fondet publike, pasuritë publike të shqiptarëve dhe nga ana tjetër trash çdo orë, çdo ditë e më shumë lidhjet me krimin, mafian dhe drogën”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe në raportin e KLSH, për të cilin tha se administrata ka vjedhur 122 miliardë lekë gjatë vitit që lamë pas. Sipas Berishës, me këtë shumë mund të ishin rritur rrogat e shqiptarëve me 130%.
“Vetë KLSH-ja, konstatoi se gjatë vitit 2022, vetë administrata kishte vjedhur dhe shpërdoruar 122 miliardë lekë. Kishin vjedhur dhe shpërdoruar pra një shumë me të cilën rrogat e shqiptarëve mund të rriteshin për gjithë vitin 130%. Kishin vjedhur dhe shpërdoruar një shumë me të cilën pensionet e shqiptarëve mund të ishin 2.3 herë më të larta.
Përsëri si i vodhën? I vodhën se i ndanë njëri me tjetrin, i vodhën se rrugën që duhet ta ndërtojnë me 2 mln euro, e ndërtojnë me 24 mln euro. I vodhën se shkollën që duhet ta ndërtojnë me 600-700 mijë euro, e ndërtojnë me 6 mln euro. I vodhën sepse shpesh herë tenderojnë të njëjtin objekt 2-3 herë, sepse përdorin tendera sekrete. 250 prokurime janë sekrete në sirtarët e Edi Ramës. Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur me to”, tha Berisha.
Qarku i Dibrës, ndonëse i veshur blu në zgjedhjet e fundit të 2021, do të jetë i vështirë për Sali Berishën, pasi ai nuk ka me vete asnjë prej 3 deputetëve të qarkut, Kreshnik Çollakun, Dhurata Çupin, por as Xhelal Mziun me të cilin pati një periudhë afrimiteti.
Përballja bëhet edhe më e vështirë në kushtet kur Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se do të nxjerrë kandidatët e tij me logon zyrtare të PD.