Sali Berisha, sot gjatë takimit për programin e PD për energjinë

Politikë

Berisha akuzon: Vetëm 10% e energjisë tregtohet, të tjerat në bursën private dhe personale të ‘Lubi Ballukut’!

5 Mars, 20:27| Përditesimi: 5 Mars, 20:35

  • Share

Kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha, prej më shumë se një viti nën akuzë për aferën “Partizani”, ishte sot i pranishëm në aktivitetin për prezantimin e programit “Energjia & Burimet Natyrore”, pjesë edhe e fushatës elektorale dhe premtimeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. 

Teksa sulmoi qeverinë “Rama” se ka ndalur prej 12 vitesh investimet dhe zhvillimin e vendit në fushën energjetike, duke e akuzuar për mega-afera korruptive, me në krye zv/kryeministren Belinda Balluku, kreu i selisë blu tha para të pranishmëve se qëllimi i tij do jetë “kthimi i vendit në superfuqi energjetike”.

Ai akuzoi se nga firmosja e projektit TAP Shqipëria nuk përfitoi, as nga HEC-et dhe TEC-et, teksa u morën baxhat nga Bangladeshi për të cilat po harxhohen paratë e buxhetit.

Dhe për këtë ka një përgjegjës të vjedhjes së madhe dhe ajo është zv/kryeministrja, të cilën e etiketoi si “Lubi Balluku”.

“Me mburrje deklarojnë se kemi investuar 1.3 miliardë. Po ku janë investuar? Ku janë? Keni vjedhur të paktën 1.1 miliardë. Duke parë vjedhjet e jashtëzakonshme Banka Botërore u imponoi bursën, hapjen e bursës. Bursa sa u inaugurua iu vu dryni. Vetëm 10% e energjisë tregtohet në bursë, të gjitha të tjerat në bursën personale, private të Lubi Ballukut, me ekipin e saj që nuk kanë të ndalur”, akuzoi ai.

Në kuadër edhe të koalicionit opozitar tashmë të shpallur prej 4 marsit, ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’, fokusi sipas premtimeve të radhës të tij do ishte ndërtimi i hidrocentraleve të mëdha, energjia termike, mineralet, ajo ekologjike dhe të tjera.

Teksa trumbetoi “Made in Albania”, ai hodhi akuza për “narkoshtetin dhe narkoeuron”. 

“Shqipëria po shterron. Ka 6 semestra që prodhimi në këtë vend, bie nga semestri në semestër. Vetëm nga viti 2023 në vitin 2024 eksportet kanë rënë me 32 %. Vetëm kursi i këmbimit, narkoeuro, nuk është kurs këmbimi, është euro e helmuar nga kokaina e trafikantëve. Vetëm ajo rrëzon përdhe eksportet e vendit, i godet ato me 38%”, shtoi ai, duke pretenduar se në kohën e qeverisjes së tij “kontratat ishin transparente” dhe u firmosën kontrata për ndërtimin e 432 hidrocentrale, me investim total prej 5 miliardë euro”, tha Berisha ndër të tjera.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket vendimi i qeverisë për të mbyllur me një vit Tik Tok?