Ish-kryeministri Sali Berisha në një komunikim për mediat e ka cilësuar rezultatin në Kamzë të manipulueshëm. Berisha tha se “Bashkë Fitojmë” ka indicie se sistemi është manipuluar.
“Të dhënat të besueshme dëshmojnë se Kamza është manipulim digjital monstruoz, monstruoz. Partia Demokratike në vitin 2021 ka qenë 10 mijë vota pas PS-së. Në pollin e pollsterit më të saktë të 13 viteve të fundit, i bërë në fund të shkurti, PD-ja me Partinë e Lirisë ishin 14% para PS-së, ndërkohë që manipulimi digjital e nxjerr sot PS-në 10 mijë vota para këtij koalicionit. Ky është absolutisht një rezultat i gatuar në mënyrë digjitale dhe hidhet poshtë me vendosmëri më të madhe. Shtoj këtu se Kamza është shtuar nga qeveria pa aprovimin e askujt dhe në kundërshtim me kërkesat për tu votuar në mënyrë digjitale.
Edhe njëherë them se rezultati i Kamzës pasi u krahasuan rekordet elektorale dhe pollet, janë kryekëput të manipuluara.
Kur them për Kamzën, atëherë problemi digjital është totalisht në diskutim dhe dyshim të plotë. Kamza fakton çdo gjë, gjithçka. Kemi patur të dhëna, e them këtu, por përsëri nuk mund të nisim paragjykimin. Kemi indicie të tjera në të cilat sistemi është vendosur në kontrolle të dyfishta, por edhe njëherë janë për tu verifikuar këto. Ajo që është reale, është se në 2021, PD-ja ka qenë 10 mijë vota para PS-së dhe në pollin e 27 shkurtit, pra në prag të fushatës ka qenë bashkë me aleatin e vet, 14 pikë përpara PS-së. Ky rezultat është krejtësisht i manipuluar dhe i turpshëm. Tregon një manipulim elektoral të paimagjinueshëm”, tha Berisha.
Berisha duket se do të bëjë përgjegjës Lulzim Bashën për humbjen e thellë. Pas daljes së rezultateve të tre bashkive ku u votua elektronikisht dhe ku PS fitoi thellë, Berisha dhe Meta kanë bërë përgjegjës për humbjen… Endri Hasën.
“Thirrje publike KQZ të bëjë publik raportin e penetration test të bërë para 3 ditësh të sistemit të votimit dhe identifikimit elektronik! Sistemi ka rënë në orën 7:30 pa nisur akoma procesi, ndërkohë PS ka kërkuar uljen e afatit të pritjes nga 3 orë në dy dhe vendimi është marrë nga Celibashi jo në zbatim të ligjit! Kompania që ka pasur networkun, implementuesi teknik Endri Hasa dhe kompania që ka bërë penetration test do paditen në SPAK për sabotimin e sistemit”, shtoi ai.
Endri Hasa konsiderohet si njeri i Lulzim Bashës, edhe pse në fakt ka punuar në Kryeministri për Sali Berishën.
Lajmi kryesor:
U votua elektronikisht, PS fiton të 3 bashkitë! Llatja në Elbasan 55%, Suli mbi 60% në Kamzë, në Vorë Shera merr 75%! Shumicë absolute edhe në këshilla
B.K.//ReportTv.al