Me parullën se Edi Rama i zhvilloi zgjedhjet si Lukashenko apo Asadi, Sali Berisha publikoi këtë të shtunë disa video që tregojnë parregullsi në procesin e votimit. Në një deklaratë nga selia blu, Berisha shfaqi disa 6 video, ku në njërën prej tyre shihet se si një prej komisionerëve fut dorën në kuti, dhe kontrollon votën e një qytetari.
Në videon e dytë, një prej komisionerëve shkon të votojë dhe bashkë me të, tek dhoma e fshehtë, shkon edhe komisioneri i tretë. Në një video tjetër, duket një i ri i cili hedh në kuti dy fletë votimi.
Berisha i kthehet sërish akuzave për tren bullgar, për në qendrën e votimit nr. 2246 në fshatin Blinas në Peqin, ku i njëjti djalë që denoncoi më 10 qershor, shfaqet duke dalë me një fletë votimi jashtë.
Në një tjetër video një zonjë shkon tek dhoma e fshehtë të votojë, një komisioner i shkon afër dhe sheh për kë ajo voton.
Ndërsa një tjetër episod shfaqet një burrë i shoqëruar nga 3 persona të tjerë që shkon tek komisioni. Burri merr 4 fletë votimi, dhe komisioni në vend që ta pengojë, i jep një karrige dhe votuesi plotëson 4 fletë. Gruaja dhe vajza që e shoqërojnë, dalin nga qendra pa e prekur fare fletën e tyre të votimit.
Të gjitha rastet i bashkon mbyllja e syve e të gjithë komisionerëve, pasi veprimet nuk kryhen në fshehtësi, por përpara të gjithëve, me bekimin e të gjithëve.
“E vërteta është për çdo shqiptar se vota e qytetarëve shqiptarë vdiq, në sensin si votë e lirë, pa rënë në kuti. Votën e vdiqën pa rënë në kuti përdorimi i 76 milionë eurove si dhuratë për votë 100 euro për çdo pensionist, në tërësi 48 përqind e votuesve apo 760 mijë pensionistë.
Votën e qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë në kuti 4500 aktivitete të organizuara në periudhën e ndaluar nga ligji, përfshi edhe ditën e votimit me të famshmen Giro D’Italia, 7 milionë euro një organizate private. Votën e lirë të shqiptarëve e vdiqën pa rënë në kuti, falja dy ditë para zgjedhjeve e 200 milionë eurove. Votën e lirë të qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë në kuti 29 mijë hektarë kanabis për mbjelljen e 100 mijë rrënjë kanabis në gjithë Shqipërinë për vota”, tha Berisha.
Akuza hodhi edhe ndaj deputetëve të zgjedhur të PS, duke thënë se 28 prej tyre u mbështetën nga bandat.
“Votën e vdiqën pa hyrë në kuti kartelet e drogës dhe bandat vrastare më të rrezikshme të rajonit dhe Europës. Këto bandat mbështetën 28 deputetë të partisë së krimit dhe disa nga deputetët e tyre, Blendi Gonxhe, Arkend Balla, deputeti Drazhi, Ani Dyrmishi, Sara Mile, Besa Spaho, etj, dolën në këto zgjedhje nga më të votuarit si rezultat i terrorit kriminal që bandat, shefat e policisë, gjykatësit, prokurorët që ata kontrollonin, ushtruan mbi qytetarët dhe vullnetin e tyre”, tha ai.
Këto denoncime tha Berisha, do të motivojnë popullin opozitar dhe do të ndërgjegjësojnë ndërkombëtarët.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se Edi Rama ka urdhëruar mediat që kontrollon dhe që ka blerë, për të censuruar në maksimum të vërtetat dhe faktet që paraqiten çdo ditë nga opozita.
Ai nënvizoi se kjo fushatë e censurës ka për qëllim të fshehë dokumentet dhe informacionet që dëshmojnë manipulimet e ndodhura. Berisha i ftoi qytetarët të ndjekin rrjetet sociale, ku censura e Ramës nuk mund të arrijë, për të mësuar të vërtetat që ai po përpiqet t’i fshehë.
Berisha: Duke u uruar një fundjavë të mbarë, të dashur qytetarë dhe qytetare, dua t’u informoj se Edi Rama, ka urdhëruar mediat që kontrollon, që i ka blerë, që i ka shndërruar në veglat e tij, të censurojnë në maksimum të vërtetat, faktet, dokumentet që paraqiten çdo ditë në këtë sallë. Ndaj dhe u bëj thirrje të ndiqni rrjetet sociale, në të cilat dora e zezë e censurës së tij nuk mund t’u pengojë për të mësuar këto të vërteta.
Komente
