Berisha: Rama dhe Kim, betejë e turpshme për kreun e SPAK! Shkresën me shënim 'për Shkëlzenin', e di me emër dhe mbiemër kush e ka falsifikuar

16 Dhjetor 2022, 12:41| Përditesimi: 16 Dhjetor 2022, 16:00

  • Share

Deklaratat e Edi Ramës dhe Yuri Kim për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, Sali Berisha i cilëson si betejë të turpshme në një tragjikomedi të paimagjinueshme. Për të dy është i bindur se kanë  arsye të forta për të mbajtur nën autoritetin e vet institucionin më të lartë të hetimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke pretenduar se Edvin Kondili është preferenca e Edi Ramës për zëvendësuesin e Arben Krajës.

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha u shpreh se ambasadorja amerikane nuk njeh kufi pasi sipas tij mbron në minumim dështimin e reformës në drejtësi. 

Po ashtu pretendon se Kim mbron veten sepse ka përdorur korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri dhe sillet në këtë mënyrë pasi kryeministrin e ka peng me dosjen Edi Rama. Ish-kryeministri e ka fjalën për dosjen e inceneratorëve që e përmend thuajse në çdo dalje publike duke e cilësuar si aferë të madhe korruptive.

“Vijmë te tragjikomedia e paimagjinueshme që po ndodh me atë që duhej të ishte institucioni i shpresës së shqiptarëve, me SPAK-un. Kurrë në histori, as në romanet e Markezit, nuk mund të gjesh një betejë të turpshme midis një kryeministri dhe një ambasadori që me ligj nuk kanë asnjë lidhje me emërimin e kreut të SPAK-ut. Asnjë lidhje nuk kanë. Ç’punë ka një kryeministër se kush emërohet në krye të SPAK-ut? Ka vetëm dosjen e tij, sepse dosja e djegësave është dosje e një organizate kriminale, në të cilën ka firmosur Edi Rama.

Beteja është surrealiste. Nuk ndodh kurrë. Bota e krimit darkon dhe drekon me eksponentë të krimit të organizuar që është në parlament. Ky është asgjësimi si kurrë më parë i sistemit të drejtësisë. Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur. Çfarë kujtoni se mbron ajo? Mbron në minumim dështimin e reformës së Sorosit në Shqipëri. Por mundet edhe më shumë. Ajo mbron mashtrimet që i ka bërë shefave të vet, ajo mbron veten sepse ka përdorur korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri. Ndaj dhe ajo nuk njeh kufi, ndaj edhe sillet. Po pse sillet në këtë mënyrë? Sepse e ka peng me dosjen Edi Rama”, tha Berisha.

Por i pyetur nga Report Tv se nëse rritja e dozave të akuzave është frikë e ish kryeministrit për çështje të nxehta që e implikojnë atë, qeverinë e drejtuar prej tij dhe familjarët si dosjet Gërdeci apo Ish kompleksi Partizani, Berisha i bën një sfidë të hapur drejtësisë duke thënë se mund të hetojnë 1000 herë dhe sërish nuk do të gjejnë shkelje.

Edhe për dëshminë e Aldo Bumçit në SPAK për tragjedinë e Gërdecit ka bërë një koment duke mbajtur të njëjtin qëndrim si ish-ministri se shkresa me shkrim dore për Shkëlzen Berishën e falsifikuar. Sipas Berishës, është bërë manipulim për ta implikuar së bashku me të birin. Ndonëse nuk jep detaje, thotë se e di me emër e mbiemër se kush e ka falsifikuar shkresën.

Në konferencën për shtyp, Berisha foli edhe për një krisje të marrëdhënieve mes Ramës dhe kreut të SHISH Helidon Bendos. Për këtë të fundit supozon se Rama nuk e lë të futet në zyrën e tij pasi ka përfunduar trajnimin në SHBA.

Ora 13:10
Berisha: SKAP le ta hetojë 1000 herë kompleksin Partizani, nuk do gjejë kurrë shkeljen më të vogël ligjore

 

Sali Berisha i është përgjigjur pyetjes të gazetares së Report Tv Danjela Maloku për presionin mbi SPAK duke thënë se mund të zhvillohen hetime vazhdimisht për kompleksin Partizani, por nuk do gjejnë shkelje.

“Kam përkufizimin tim për SKAP por s’më ke dëgjuar kurrë të qortoj për hetime, por nuk mund të mos e demaskoj kur merr një dekret të nënmbretit, e dorëzon për hetim, konstaton që asnjë nga ato emra që ndodhen në dekret s’duhet t’i përkasin zonës së klubit Partizani. Atij për korrektesë ligjore i takon të hapë cështje penale. Le ta hetojnë 1000 herë kompleksin Partizani, kurrë nuk do të gjejnë shkeljen më të vogël ligjore. Po të kishin gjetur, unë jam në një hetim intensive ndërkombëtar por që fakt që tregon se akti ndaj meje është i turpshëm”, tha Berisha.

Ora 13:10
Berisha: Ambasadorja mban peng me dosje Ramën! Kim nuk njeh kufi, mbron në minumim dështimin e reformës së Sorosit në Shqipëri

 

Sali Berisha pretendon se ambasadorja Yuri Kim ka peng dosjen e inceneratorëve me Edi Ramën.

“Çfarë qëndron në themelin e betejës së Yuri Kim? Unë ju ftoj të lexoni, nuk gjeni sot në planet një vend të dytë, dhe unë kam bërë kërkime, nuk gjendet një vend të dytë ku një ambasadore të sillet siç sillet guvernatorja në Tiranë. Çfarë kujtoni se mbron ajo? Mbron në minumim dështimin e reformës së Sorosit në Shqipëri. Por mundet edhe më shumë.

Ajo mbron mashtrimet që i ka bërë shefave të vet, ajo mbron veten sepse ka përdorur korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri. Ndaj dhe ajo nuk njeh kufi, ndaj edhe sillet. Po pse sillet në këtë mënyrë? Sepse e ka peng me dosjen Edi Rama.

Nuk ndodh kurrë në botë kjo. Nuk kam lexuar kurrë që në mënyrë kaq të paskrupullt, kaq jodinjitoze, kaq fyese për një popull dhe vend sovran, të sillet një përfaqësuese e vendit që konsiderohet partneri strategjik më i rëndësishëm”, tha Berisha.

Ora 12:52
Berisha: Rama po asgjëson SPAK-un duke kërkuar Edvin Kondilin! Krimi darkon me deputet

 

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se kryeministri Edi Rama po ndërhyn në procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, pasi ka të preferuar Edvin Kondilin.

“Bota e krimit darkon dhe drekon me eksponentë të krimit të organizuar që është në parlament.

Ky është asgjësimi si kurrë më parë i sistemit të drejtësisë. Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur.

Urdhëroni tani, ish-drejtori i SHISH që e ka emëruar vetë, ia mbyll derën si bandit. Urdhëro shteti i tij.

Tani do organin e akuzës, o Kondili o nuk ka, thotë. Duke diskredituar totalisht këtë institucion, duke e asgjësuar këtë institucion”, tha Berisha.

Ora 12:47
Shkresa me shënim 'për Shkëlzenin', Berisha: E di me emër dhe mbiemër kush e ka falsifikuar, kërkojnë të më implikojnë mua dhe djalin tim

 

Dëshmia e Aldo Bumçit në SPAK për tragjedinë e Gërdecit ka sjellë edhe reagimin e Sali Berishës, i cili nuk i ka kursyer akuzat për institucionin.

“Unë e kam thënë me kohë se ky është SKAP-i i partisë. Se ky nuk ka një dosje në interes të qytetarëve. Por të thërrasësh Aldo Bumçin për një falsifikim të bërë, të faktuar që është falsifikim, vetëm se gjoja po heton Sali Berishën dhe djalin e tij. Ky është njw turp kombëtar.

Për atë falsifikim, Aldo Bumçi e ka çuar në prokurori.

Ai ishte një manipulim me urdhër për të implikuar mua dhe djalin tim. Dihet kush e ka bërë atë falsifikim, ka dëshmitarë kush e ka bërë. Bumçi e çoi në atë kohë në prokurori. Unë them jo, se e mora vesh kush ishte. Këta e marrin tani për së dyti. E kuptoni se me cfarë merret SPAK-u? Si me qenë repart i turpshëm i Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Por ato janë paratë tuaja, janë paratë e taksapaguesve. Urdhëroni se me çfarë merren.

Prandaj shqiptarët e përçmojnë dhe e përbuzin masivisht SPAK-unë. Ka pasur një task-forcë në vitin 2007, me një prokuror dhe punonjës të policisë. Ata shqyrtonin rastet e korrupsionit. Sa ka dënuar gjykata nga kjo task-forcë në vitin e parë? 343 zyrtarë. Të të gjitha niveleve.

Sa ka dënuar SPAK në vitin e parë të jetës së tij? Gjithsej 63. 600 përqind më shumë, po t’i marrësh së bashku vitin e parë dhe të dytë. Sa marrin ata, e keni parasysh, një prej tyre merr të gjitha rrogat tuaja së bashku. Merr jo për t’i shërbyer qytetarëve, por për t’i shërbyer hajdutëve”, tha Berisha.

Ora 12:32
Berisha: Rama konsideron Bendon spiun të amerikanëve, nuk e lë të kthehet në zyrë pas trajnimit në SHBA

 

Ish-kryeministri Sali Berisha pretendon se kryeministri Edi Rama nuk lejon kreun e SHISH, Helidon Bendo të shkojë në zyrë, pasi e konsideron spiun të amerikanëve. Berisha bën thirrje që të ketë transparencë pasi Bendo drejton institucion kushtetues.

“Informoj shqiptarët se në dhunim flagrant të Kushtetutës së vendit, në një akt mafioz të pashembullt, shefit të shërbimit informativ, të emëruar në përputhje me Kushtetutën e vendit nga Presidenti i Republikës, të dërguar për shkollim në SHBA, pas kthimit nga shkollimi në kundërshtim me ligji, i mbyllen dyert e shërbimit dhe nuk i lejohet të marrë detyrën, pa asnjë akt, pa asnjë vendim, të atij që supozohet të jetë kryetar shteti, dhe që mbron firmën e institucionit.

Shefi i shërbimit informativ kombëtar, propozohet nga kryeministri, por emërohet nga presidenti, dhe po me ligj, ai u raporton të dyve. Ky është një akt i turpshëm, që dëshmon se këtu nuk ka shtet, por ka vetëm një njeri që nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe parim dhe ky është Edi Rama.

Ju mund të merrni deklaratat e mia për Bendon, asnjë konsideratë të veçantë nuk kam shprehur, përkundrazi kam shprehur të gjithë rezervat e mia. Por a mund të pranohet një akt banditesk, një akt banditesk. Nëse Edi Rama e konsideron atë spiun të amerikanëve, francezëve apo gjermanëve, ai duhet të bëjë transparencë para shqiptarëve, sepse për aq kohë sa Helidon Bendo ka kryer atë detyrë, ka drejtuar një institucion kushtetues. Është një emërtesë kushtetuese. Emërohet nga kreu i shtetit dhe nuk ka askush të drejtë, pa pëlqimin e kreut të shtetit, me shkrim, as ta pezullojë, as ta shkarkojë.

Këto janë akte banditeske, akte të turpshme. Dënoj me ashpërsinë më të madhe”, tha Berisha.

//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?