Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Sali Berisha përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për lidhje me drogën. Kreu i PD-së, duke përmendur tritolin që u vendos në vilën e deputetit Xhelal Mziu në Kamëz, deklaroi se beteja e opozitës kundër asaj që e quan si “narkoshtet” do hyjë në një fazë të re.
“Duke i shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e plotë deputetit Mziu, garantoj terroristët se asgjë nuk do të mund të mposhtë qëndrimin e deputetëve të opozitës në betejën e tyre kundër narkoshtetit, kundër kreut të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Beteja jonë kundër narkoshtetit hyn në një fazë të re. Se për fat të mirë të shqiptarëve dhe botës, në betejën kundër karteleve është hapur një kapitull i ri. Kartelet e drogës janë shpallur organizata terroriste ndaj dhe tani flitet për narkoterroristë, narkoterroristët dhe se cila është forca e narkoterroristëve të drejtuar nga Edi Rama atë e di më mirë se kushdo tjetër tregjet e kokainës në Europë, çmimin e të cilës e përcaktojnë narkokartelet terroriste shqiptare.”, tha Berisha.
Përsëriti sërish pretendimet e tij se kryeministri Rama nuk mund të shkojë në SHBA. Sipas tij, ai kishte organizuar dreka dhe darka me udhëheqës rajonalë në New York, por iu anuluan për arsye që ai i lidh me akuzat që hedh ndaj kryeministrit. Berisha shkoi edhe më tej duke thënë se Rama sillet në parlament si Franc Çopja, Elvis Doçi apo të tjerë eksponentë të krimit, duke iu referuar seancës plenare ku u votëbesua brenda 25 minutave qeveria e re, për shkak të kaosit që shkaktoi vetë opozita.
“Nuk shkoi dot në Neë York. Kishte fiksuar dreka dhe darka që ta dinë shqiptarët me udhëheqës rajonalë, me kryeministra dhe presidentë rajonalë. U anuluan. A janë narkolidhjet apo shkaqe të tjera unë nuk mund të them, por këto të gjitha u anuluan. Por qëndresa jonë ndaj këtij faktori shkatërrimtar, mbi qenien shqiptare, mbi ekonominë shqiptare, mbi ligjin shqiptar, mbi të drejtat e shqiptarëve është gjithnjë e më i vendosur.”, tha ai duke shtuar:
“Tani ju keni parë se si, po gjuhen në oqeanin Paqësor, flota detare amerikane çdo ditë, çdo 2-3 ditë e fundos nga një anije të tyre. Por e rëndësishme shumë është të fundosen timonierët, kapitenët e tyre dhe këtu në Europë është Edi Rama. Në Europë është Edi Rama. Le të thotë kush çdo lavdërim, çdo gjë. Unë e garantoj se po mbron një kryetar të një organizate kriminale. Ndaj dhe ai në parlament sillet sikur të ishte Franc Çopja, sikur të ishte Çela, Elvis Doçi apo me radhë. Asnjë dallim nuk kanë qëndrimet e tyre ndaj rregullave dhe demokracisë.”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, Shqipëria dhe shqiptarët kërcënohen nga “narkoterrorizmi”.
“Ju lutem, informoni saktë shqiptarët për narkoterrorizmin. Unë e kuptoj, tani do merreni me udhëtimin e tij në Nju Jork, punë e madhe, shkoi e nuk shkoi ai, nuk na duhet asgjë. Kërcënimi i madh serioz për Shqipërinë dhe shqiptarët është narkoterrorizmi.”, tha kryedemokrati.
Komente
