Politikë

Rinumërimi/ Berisha: Nuk është kërkesë primare e PD, po mbështesim kandidatët! Rrëzimi i ankimeve në Kolegj? Vendimi u mor para 11 majit

19 Qershor, 13:24| Përditesimi: 19 Qershor, 17:02

  • Share

TIRANË- I sëmurë me virozë gripale, për shkak të së cilës mungoi edhe në GJKKO për të firmosur detyrimin e paraqitjes për aferën “Partizani”, Sali Berisha e ka ndjekur nga shtëpia rinumërimin në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”.

Tashmë që për procesin, që po merr kohë e para, pikërisht të vetët në KQZ thonë se po nxjerr në pah vetëm gabime njerëzore dhe jo shkelje të mëdha, krye-demokrati ndryshon qëndrim dhe thotë se nuk ka qenë kurrë prioritet.

“Çështja e rinumërimit të votave është kërkesë e kandidatëve, e mbështetur nga PD për transparencë të plotë. Është hera e 5-të që e sqaroj, nuk është kërkesë primare e PD-së, jo. Kërkesa e PD ka të bëjë me legjitimitetin e zgjedhjeve. Kamerat kanë filmuar në mënyrë të përsëritur trenin bullgar. Damkosin farsën si proces tërësisht të paligjshëm. Edhe administrimi në qendra, kutisë dhe materialeve. E treta, janë pretendimet e kandidatëve të PD-së, që ne nuk i pengojmë kurrë. Kemi bërë gjënë më të madhe, kemi faktuar e do faktojmë farsën e 11 majit. Për PD vota ka vdekur pa hyrë në kuti. Të gjitha janë të parapërgatitura. Nuk mund të mos e mbështesim transparencën. Të bëjmë dallimin për çdo qytetar, çfarë është numërimi i votave për kandidatët dhe kontrolli i legjitimitetit të procesit”, tha ai mes të tjerash.

Pretendimet e Sali Berishës, një ditë më parë u rrëzuan edhe nga hallka e fundit ankimore, në Kolegjin Zgjedhor i cili certifikoi rezultatin në 4 qarqe. Kaq mjaftoi që kryedemokrati të shtonte kolegjin në listën e organeve të kontrolluara nga Edi Rama.

“Kur e mori vendimin, para apo pas 11 majit Kolegji? (pyetje retorike me gazetarët). Ka qenë e parapërgatitur. Jam i sigurt se po ta kontrollosh atë vendim gjen se nuk është pas 11 majit, mund të jetë data 28 prill”, u shpreh ai.

Mes datës 10-15 qershor PD kishte premtuar që do të kishte gati raportin përfundimtar për të faktuar farsën, përfshirë edhe analizën brenda vetes, por vonesën Berisha e justifikon kështu: "Vetë procesi është, por në tërësi është gati. Domethënë po ndiqet kjo praktikë. Në qoftë se po e marr pak me arbitraritet shifrën, në qoftë është i përfunduar në masën 95 përqind të tij, 95 përqind e tij është dërguar pranë institucioneve që vëzhguan zgjedhjet. Pra është dërguar. Pastaj kjo do kompletohet dhe do dërgohet si libër. Por kjo është arsyeja."

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?