Në konferencën “The Western Balkan Paradigm” që zhvillohet në Tiranë, kryedemokrati Sali Berisha ka gjetur rastin të hedhë akuza në adresë të Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë socialiste.
Në fjalën e tij në këtë konferencë, Berisha tha se Shqipëria është boshatisur nga shqiptarët, të cilët, sipas tij, janë detyruar të largohen nga vendi.
Sipas Berishës, Shqipëria është kthyer në një vend që prodhon refugjatë dhe emigrantë.
“Indeksi i ndërtimeve në Shqipëri sot është 3 herë me e lartë se indeksi europiani. Ndërtimi hap vende pune, por eksportet hapin më shumë vende pune. Shqiptarët po ikin nga territori. Nga viti 2014 deri në vitin 2024, përsëri sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm në zonën Shengen, pa llogaritur këtu ata të cilët janë larguar për në SHBA, Britani, Zvicër, Kanada, Australi apo Lindjen e Mesme.
Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi se Shqipëria është kthyer në qendrën operacionale të karteleve të drogës, që sipas tij, kontrollojnë portin e Durrësit duke mundësuar trafikun e kokainës dhe heroinës.
“Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, qendra operacionale e organizatave kriminale të Europës, Amerikës Latine dhe Lindjes së Mesme, është kthyer Shqipëria. Shqipëria po eksporton kriminelë dhe drogë. Kartelet e drogës janë të fuqishme, sa ato e kanë në kontroll të plotë portin më të madh të vendit, Durrësin, prej 4 vitesh. Asnjë kilogram kokainë nuk kapet në këtë port, ndërkohë antimafia italiane kap tonelata drogë. Karteli Çela kontrollon trafikun e heroinës nga vendet lindore, Turqia, Afganistani, Irani, 70% kalojnë përmes Elbasanit. Elbasani është kryeqyteti i kartelit Çela dhe kontrollon gjithë qarkullimin”.
Sali Berisha përsëriti akuzat ndaj deputetëve fitues të PS në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, të cilët i etiketon si përfaqësues të bandave.
Ndërsa Kryeministrin Edi Rama e akuzoi si person me jetë të dyfishtë, që përveç funksionit shtetëror, sipas Berishes, takohet në zyrë edhe me vrasës e trafikantë droge.
Në delegacionin e radhës në BE, në qoftë se këto kartele vendosin që përfaqësuesit e tyre të jenë pjesë e delegacioneve në Këshillin e Stabilizimit, në Këshillin e Europës dhe në agjencitë e tjera. Pse? Sepse ato kanë qenë shumë aktivë gjatë zgjedhjeve. Kandidatët e tyre kanë marrë shumicën e votave, njerëz tërësisht të panjohur, por ata caktojnë ministrat, caktojnë kandidatët për deputetë, caktojnë drejtorët e policisë sepse kanë lidhje të drejtpërdrejta dhe të forta me kryeministrin Edi Rama. Personi që ju e shikoni nga jashtë si një xhentëlmen që bën disa gjeste shumë të bukura në samite, bën një jetë të dyfishtë. Ai ka jetën e vet me kartelet, me trafikantët e drogës dhe me vrasës me të cilët takohet në zyrën e tij dhe gjithçka është e dokumentuar.
Lajmi kryesor:
Integrimi/ Berisha edhe kundër BE: 2030-ta, jo realiste! Drejtësia e re si në diktaturë, luftë të shkarkojnë prokuroren Gjeli
V.GJ /E.H/ReportTv.al
