Sali Berisha nuk zhgënjeu as kësaj radhe, teksa nuk arriti të ngrinte ‘stekën’ e protestës së opozitës së 11 shkurtit as në nivelin e protestave të Lulzim Bashës vaktit. Këtë e panë dhe e thonë të gjithë, kundërshtarë e mbështetës, të cilët arritën në konkluzionin e dhimbshëm, se opozita, 3 muaj para zgjedhjeve të 14 majit, jo vetëm që s’mundi të organizonte ‘revolucionin’ e shumë-premtuar për largimin e Edi Ramës, por nuk arriti as në nivelin e një proteste normale.
Më 11 shkurt Berisha shpalosi para shqiptarëve një ‘film’ të parë në tërë këto vite të gjata të PD dhe aleatëve të saj në opozitë, një protestë të vobektë në pjesëmarrje, në frymë dhe në mesazhe.
Tentoi të fitonte audiencë në rrjetet sociale vetëm përmes hapjes me një slogan të një show-i televiziv si “BBVA”, ndoshta i shtyrë dhe nga suksesi që ka arritur ky format televiziv në shikueshmëri nga divani, i cili gjithsesi mbetet shumë i kritikuar për vetë mesazhet që përcjell.
Në vend që të ishte një vërshim opozitarësh që të ngjallë shpresë, në të vërtetë si gjithë herët e tjera, madje me pjesëmarrje shumë të të ulët, ishte si një kortezh, i cili në fund të herës paralajmëroi me dhimbje zhbërjen e opozitës, ‘vdekjen’ e saj politike, teksa në krye të këtij kortezhi ishte vënë një 80 vjeçar, i rikthyer në jetën aktive politike pas 8 vitesh në prapaskenë.
Një rutinë me fjalime në podiumin e improvizuar përballë kryeministrisë, nuk zgjati as një orë në fakt për shkak se njerëzit filluan të largoheshin një nga një, të painteresuar për “kasetën” që po xhironte në altoportlant, e cila s’ka pasur asnjë ndryshim që nga viti 1991 e deri më sot. Përcolli të njejtat mesazhe për Shqipërinë që sheh Berisha ‘nën qeverisjen e ardhshme të PD’, të njejtat kërcënime, të njëjtat shprehje. Fundja i njëjti person është artikuluesi i këtyre deklaratave, mesazheve dhe kërcënimeve në 32 vite, i vetmi dhe i ‘pakrahasueshmi’ në llojin e vet, Sali Berisha.
Mitingu i Berishës s’ndryshonte në asnjë element nga mitingjet e Bashës në formë e përmbajtje, vetëm se protestat e ish kryetarit të PD kanë qënë më të forta, më të ashpra, më të dhunshme dhe mbi të gjitha kishin më shumë pjesëmarrje.
Bashës ia ‘prishte’ një çikë epilogu protestën, pasi në fund të herës mblidhte disa mbështetës tek selia e PD dhe tentonte të këndonte himnin kombëtar live. Për pak arriti ta çonte deri në fund, por pikërisht atëherë ndodhi ‘kataklizma’, përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD e më vonë nga partia, pasi SHBA e shpalli liderin historik ‘non grata’ familjarisht. Pikërisht atëherë Bashës i iku zëri dhe më pas i iku dhe posti i kryetarit, dhe me kapacitet të plotë Berisha ‘përlau’ pjesën më të madhe të PD për ta drejtuar atë. Siç di vetë, mbi të gjitha kundër SHBA që e sanksionoi.
Të paktën Basha largimin e bëri virtualisht sepse me letra vijon të jetë ende kryetar i PD zyrtare dhe regjistrimi në zgjedhje i forcës më të madhe opozitare kalon vetëm nga ai. Pa firmën e Bashës nuk bëhet asgjë. E njeh gjykata, ndërkohë që Berisha ‘shtrëngon’ fort ‘Rithemelimin”.
Dhe që të kthehemi sërish te protesta, Berisha në vend që të këndonte dhe ai himnin kombëtar tek selia buzë Lanës, bëri një lëvizje “ndryshe’ nga Basha, provoi që me një grusht militantësh të shkonte ‘derë më derë’ tek institucionet që ai nuk do. Nisi nga Parlamenti, u ndal dhe tek busti i Fan Nolit para selisë së legjislativit si për të kujtuar revolucionin e qershorit ‘24 që rrëzoi Ahmet Zogun nga pushteti dhe pikënisjen e këtij revolucioni Fierin me Riza Cerovën, për të mbajtur fjalën para ministrisë së Transporteve, asaj të Brendshme, Bashkisë e në fund për ta përmbyllur këtë “shëtitje revolucionare’, u shfaq pikërisht tek selia e PS, e pangjarë deri më tani.
Ishte me të vërtetë e dhimbshme të shikojë një 80 vjeçar që kërkon të vendosë ‘këmbë’ të reja politike, thjeshtë dhe vetëm për hallin e tij personal. Në vend që të nxirrte në protestë militantët për mangesitë që kanë qytetarët, do të merrte dhe ndonjë pa teserë partie në protestë me këtë rast, doli për një çështje kryekëput në axhendën e SHBA e pa lidhje me Shqipërinë, atë të ish zyrtarit të lartë të FBI, McGonigal.
S’ka shqiptar të zemëruar për një çështje që është përballë drejtësisë amerikane, për arsye amerikane, pasi shqiptarët besojnë tek drejtësia e SHBA. I vetmi i zemëruar është Berisha, i cili kërkon të shpëtojë nga halli i tij i lobimit me para ruse, i shpallur ‘non grata’ dhe i izoluar ndërkombëtarisht.
Por dështimi i kësaj proteste më 11 shkurt u parapri dhe nga qëndrime të tjera të Berishës, i cili deri kur i sëmuri mendor e shtriu me një grusht në asfalt në mes të bulevardit më 6 dhjetor 2022, prezantohej para militantëve dhe shqiptarëve si një burrë zakoni, me namuz dhe i fortë, për të cilin nuk mendohej se prekej dhe për të cilin as që çohej ndërmend se mund të artikulonte punë femrash apo gjëra të tjera të këtij lloji. Por ka një shpjegim dhe për këtë ndryshim ‘kursi’.
Berisha e ka pranuar vetë se ka rënë në dashuri për herë të parë dhe të fundit, me Liri Berishën, gruan e tij besnike me të cilën jeton dhe sot e kësaj dite. Është martuar në moshë madhore Sali Berisha, dhe duke qenë një njeri i përkushtuar vetëm ndaj studimeve dhe shërbimit ndaj PPSH, teserën e të cilës e mbante që në rini, nuk ka pasur kohë që të bëjë jetën e një njeriu, në ‘menynë’ e të cilëve është dhe zënia e një të dashure apo argëtime të tjera të kësaj moshe.
Berisha ka qenë pas në këtë drejtim, dhe me kutin e tij mirë ka bërë, njohu Lirien, u dashurua, u martua me të dhe bëri dashuri dhe për herë të parë. I themi këto informacione, referuar vetëm rrëfimeve të tij, ndërsa ka shtuar se s’ka parë sport ndonjëherë, jo më të ketë luajtur ndonjëherë futboll, volejboll apo basketboll. Pra ka qenë tepër i frustuar në të gjitha drejtimet, përjashtuar kardiologjinë dhe Partinë. Aty s’të falte Berisha, ishte “kapo”.
Por kohët e fundit, shohim një ndryshim të theksuar në terminologjinë politike të Berishës, i cili ka nisur t’i japë ngjyrime erotike. Ngjyrime që për shumëkënd, dhe për psikologët, mund të quhet një adoleshencë e vonë, e cila ose në fillim të jetës ose në fund të jetës, i vjen njeriut dhe është i detyruar ta kalojë. Berisha nuk pati adoleshencë si të tjerët, kështu që e provoi me sa duket në pleqërinë e thellë. Dhe plaku bëhet si fëmija, jo më si i riu, fantazon për gjera që kurrë si ka provuar, kurrë si ka ditur dhe i ka të gjitha më të dëgjuar.
Por nëse fëmijës nuk i vihet re, një plaku, aq më tepër kreut të grupimit më të madh opozitar i detajohen të gjitha, dhe për këtë arsye deklaratat e Berishës në këtë “sektor” bëjnë diferencë, jo vetëm se lënë shumë për të dëshiruar, por sepse me mendjen e tij e ka ngritur ‘stekën’ shumë lart, ‘stekë’ e cila me sa duket është e pakapërcyeshme vetëm nga vetë ai. Me paditurinë e tij në këtë ‘lëmë’, të cilin e lëvron rinia e sotme. Që nuk ngjan as me çapkënllëqet e rinisë së kohës së Berishës, dhe sikur të kishte qenë në krye të këtij modeli vetë ai.
Për të qenë konkretë, Berisha publikisht para disa ditëve, për të rënduar Edi Ramën dhe qeverinë e tij, përmendi orgjirat seksuale të diplomatëve të huaj me zyrtarë dhe zyrtare të administratës shqiptare, në këmbim të mbështetjes sipas tij, për këtë “qeveri të krimit”. Dhe këtu ka përfshirë ambasadorë, zyrtarin e lartë të FBI e kë ka inat vetë Berisha, duke e quajtur ‘korrupsion erotik’.
“…ministra, kanë bërë orgjira, absolutisht po, në klube nate dhe në lokale gjysëm errësire të Tiranës. Janë të fotografuar. Fatmirësisht janë me foto. A publikohen fotot apo jo, por kjo është e sigurtë, kjo që them. Ka një hetim kombëtar, ndërkombëtar, ka një hetim dhe hetimi ka rregullat e veta”, deklaroi Berisha një ditë para protestës, duke deklaruar se ka fakte e prova.
Të njëjtën gjë ka përsëritur dhe ditën e sotme, në protestën e tij me pak njerëz para selisë së Kuvendit, teksa është shprehur se i disponon këto video dhe foto, por që nuk do t’i bëjë publike pasi respekton gratë dhe vajzat, por që do t’i dërgonte në organet hetimore. Pra nuk ka qënë një shpërthim i çastit, por linjën e “seksit” Berisha e ka bërë kauzë politike.
Është thjeshtë një sulm ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë ky i Berishës, që e kanë shpallur atë ‘non grata’ dhe e kanë izoluar tërësisht, ndërkohë që për disa dosje të rënda gjenedet përballë drejtësisë, e cila s’ka asnjë shteg për të dalë që të pushojë këto hetime. Ka inat të madh Berisha. Kjo u pa dhe në protestën e lodhur të pasdites së sotme, ku nuk kishte lënë karikaturist dhe dezinjator pa “pajtuar” që të shkruante me një fjalor të ndyrë apo për të bërë karikatura ndaj Yuri Kim dhe SHBA. një frustim i hapur kundër SHBA.
Në krye të herës, ajo që duhet të theksojmë është se Berisha është në kulmin e dëshpërimit, ndaj u është ‘dorëzuar’ akuzave fundore, si ato për ‘korrupsion erotik’. Me sa duket, duke qënë një njeri i frustuar dhe seksualisht mendon se kush takon një femër, patjetër që do të ketë një aferë seksuale.
Nuk mund ta ketë as kolege, as shoqe, as mikeshë, por as nuk mund të ulet për të biseduar për projekte në shërbim të komunitetit, shtetit, për të prezantuar Shqipërinë përballë të huajve apo për të shkëmbyer informacione me diplomatë të vendeve tona partnere. Berisha e di se nëse takohen një femër me një mashkull, takohen vetëm ‘për atë punë’. E ka psikologjike këtë gjë, por mundohet ta kalojë me deklarata se ka foto etj, gjë që nuk i disponon. Pasi po t’i kishte do t’i kishte shpalosur me pankarta të mëdha në ‘revolucionin’ të 11 shkurtit. Me bandera madje.
Duke qënë se është i paditur në këtë ‘sektor’ Berisha shpalos këto lloj fantazish me orgjira dhe shërbimesh seksuale që sipas tij, paskan bërë zyrtaret dhe zyrtarët e shtetit shqiptar, shtet që nuk është vetëm i Edi Ramës, por është dhe i tij. Ato zyrtare janë femra, janë motra, gra apo nëna të dikujt, të cilat i përgojon Berisha duke ua marrë erzin në sytë e shqiptarëve normale por dhe të botës.
Me deklaratat e destabilizuara të ‘korrupsionit erotik’, Berisha na kujton ata ‘përgjuesit e çifteve’ tek Liqeni Artificial në kohën e Enver Hoxhës. Ndoshta një prej tyre ka qënë dhe vetë Berisha në atë kohë, pasi duke qënë se s’bënte pjesë tek të rinjtë çapkënë, ushtronte dhe këtë ‘sportin’ e përgjimit pas ferrës. Dikush duhet t’ia kujtojë Berishës se kanë ndryshuar kohët tani. Madje asnjë shqiptar, diplomat jo e jo, nuk rrezikon aq shumë që të krijojë afera me bashkëbisedueset e administratës shqiptare. Ka mënyra të tjera më të mira dhe shumë e shumë më pak të rrezikshme dhe dekonspiruese.
E thënë me pak fjalë, ky soj deklaratash paraprinë ‘revolucionin’ e 11 shkurtit të Sali Berishës që ishte paralajmëruar për rrëzimin e Edi Ramës dhe rikthimin e ‘sovranitetit’ të vendit, i cili nisi si ‘revolucion demokratik’ dhe u katandis në një ‘revolucion’ të frustuarish pa frymë e ide. Aq sa dhe një pjesë e atyre që ishin marrë nga rrethet për të protestuar para kryeministrisë më 11 shkurt, teksa konsumonin pagesën e dhënë nga organizatorët, të shpenzuar vetëm për birra, nuk e dinin pse kishin ardhur, duke u shprehur se do rrëzonin… Fatos Nanon nga posti i kryeministrit. Me një fjalë opozita është kthyer tashmë në një ‘barcaletë’, nuk e beson askush më.
Ajo që mund të themi është se me këtë lloj strategjie, jo vetëm që opozita s’vjen në pushtet kurrë, por në fund të herës, partia më e madhe opozitare, PD, po shkon me shpejtësinë që po i ikin vitet Berishës, drejt zhbërjes së saj të plotë. Provën se kur e prek ‘tabanin’ PD do ta ketë në dy palë zgjedhjet që vijnë, ato vendore të 14 majit, dhe dy vite më pas, ato parlamentare. Të presim. Gjasat janë se mund të ndodhë më shpejt!
Çfarë do të thotë "frustruar"? Ju lutemi, shkruani Shqip!
Përgjigju