Politikë

Berisha në Lezhë, “shënjestron” kryebashkiakun Ndreu: Pjerin do shpalleni terroristë dhe do trajtoheni me ligjet e terrorizmit! LaCivita: Ne do ta pushojmë nga puna Edi Ramën

8 Maj, 21:50| Përditesimi: 8 Maj, 22:21

  • Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të enjte takimin përmbyllës elektoral të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në Lezhë.

Pas incidenteve në këtë qytet, të lidhura me fushatën, Berisha sulmoi drejtëpërdrejt kryebashkiakun Pjerin Ndreu.

“Në Valencia, partitë që udhëheqin Europën, u tha se Edi Rama shtyp opozitën me drejtësinë e tij. Shtyp pluralizmin. U tha se Edi Rama blen vota me lekë. Po pse e thanë? Sepse kanë parë vendimin e qeverisë që shpërndan 100 euro. U tha se Edi Rama blen vota me kanabis. U tha se Edi Rama blen vota me punësime sepse e kanë parë se ka punësuar mijëra vetë për të blerë vota. U tha se Edi Rama terrorizon qytetarët e tij me banditë dhe vrasës. Dhe ja ku jam këtu para jush për t’i thënë këtij Pjerinit që i menaxhon... Pjerin, edhe atij Vinçenc Tukut që blem vota në Troshan. Vinçenc, Pjerin, cilido prej kjush do shpalleni terroristë. Ju garantoj se qeveria e PD, të gjithë ata që guxojnë t’u kërcënojnë ju, që guxojnë t’u diktojnë vullnetin tuaj, ata do shpallen terroristë dhe do trajtohen me ligjet e terrorizmit”,-tha Berisha.

Ashtu si në Shkodër, të pranishëm në takimin e Berishës në Lezhë ishin Paul Manafort (i dënuar në SHBA e i akuzuar për lidhjet e tij me Rusinë) dhe Chris LaCivita. Ky i fundit u bëri thirrje votuesve të Qarkut Lezhë dhe jo vetëm, që me 11 maj të marrin pjesë masivisht në votim, si e vetmja rrugë për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin Edi Rama.

"Kjo është fantastike. Jam shumë i kënaqur që jam kthyer në Shqipëri, me miqtë e mi të rinj. Ne do ta pushojmë nga puna Edi Ramën. Do ti themi je i pushuar. Është koha ti japim fund korrupsionit, dështimit ekonomisë dhe varfërisë. Edi Rama do të provojë çdo marifet për të qëndruar në pushtet. Prandaj është kaq e rëndësishme që të gjithë ju që jeni këtu, të shkoni të votoni, të merrni miqtë dhe familjarët tuaj. Si amerikan ne besojmë në lirinë, dinjitetin e çdo personi. Çdo person ka të drejtën e Zotit të jetojë, të punojë dhe rritë familjen e vet.Dr. Berisha shkroi historinë duke krijuar marrëdhëniet me SHBA-në. Ai është një njeri të cilit mund ti zësh besë. Por nga të gjitha drejtat që kemi, asnjë prej tyre nuk mund të ekzistojë, nëse ju nuk do të shkoni të votoni. Bota kontrollohet nga ata që shkojnë të votojnë. Vetëm ju mund të shpëtoni të ardhmen e Shqipërisë. Për të shpëtuar të ardhmen duhet të luftoni. Luftoni për familjet tuaja, luftoni për të ardhmen tuaj, dhe luftoni për lirinë tuaj",-tha LaCavita.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?