Tiranë- Sa herë që kryetari i PD-së Sali Berisha ka ballafaqimin me SPAK për të zbatuar vendimin e Apelit të GJKKO-së për masën detyrim paraqitjeje dy herë në muaj në organin e akuzës, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Flamur Noka, mobilizon strukturat për miting.
Berisha sipas kalendarit procedurial, do të paraqitet të hënën (pasnesër), në orën 08:30, në SPAK. Dhe siç e ka bërë zakon, shkon dhe ikën me miting, ku mban fjalime dhe akuzon organin e akuzës, pikërisht poshtë dritares së tyre.
Dhe pikërisht për këtë arsye, PD nëpërmjet Flamur Nokës u bën thirrje të gjitha strukturave të saj me anë të një mesazhi të shpërndarë, që të jenë të pranishëm në mënyrë të organizuar dhe paqësore në shenjë solidariteti dhe "mbështetjeje përpara zyrave të SKAP-it".
"Ju lutem të mobilizojmë të gjitha strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty. Ora 08:30 para selisë së SKAP-it, faleminderit!", shkruan Noka mes të tjerash.
Berisha nga njëra anë akuzon kryeministrin Edi Rama se sulmon SPAK-un, si në rastin gjatë masës ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj në muajin shkurt, kurse vetë dy herë në muaj organizon mitingje dhe i akuzon si “spakistë”.
Berisha është i akuzuar dhe pandehur për aferën në dosjen “Partizani”, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, ky në arrest shtëpie, si dhe 3 të tjerë. Dosja ndaj tyre po zvarritet prej 6 muajsh në seancë paraprake, me taktika proceduriale juridike nga avokatët mbrojtës.
Së fundmi, PD-së dhe Berishës i ka shpërthyer edhe lajmi për kontratën dyshuese të lobimit me kompaninë amerikane “Continental”, me vlerë 6 mln dollarë, për të cilën ai tha pak ditë më parë se është e ligjshme, se paratë paguhen nga “patriotë që duan opozitën” dhe ku PD-ADSHM janë palë. Flamur Noka është firmëtari i asaj kontrate, ndërsa elektricisti shqiptaro-amerikan Nuredin Seçi si garantor i saj në emër të fondacionit të krijuar MAGA.
SPAK ka nisur verifikimet edhe për këtë rast, kurse KQZ u shpreh se sipas ligjit do të flasë vetëm pasi të jetë dorëzuar kontrata sipas afateve ligjore.
Mesazhi i shpërndarë nga Flamur Noka
Komente
