Në përgjigje të deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha për të ngritur padi ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken për shpifje, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se "nuk janë në dijeni të ndonjë padie gjyqësore".
Pas vendimit të SHBA e cila e futi në “listën e zezë”, Sali Berisha ka shpërthyer me akuza kundër aleatit më të rëndësishëm të Kombit Shqiptar dhe tha se do të hedhë në gjyq numrin 3 të administratës, për shpifje, përmes avokatit francez Jean-Yves Le Borgne, një ndër më të kushtueshmit dhe këtë padi e ka ngritur në gjykatën Korreksionale të Parisit, pasi Berisha e cilësoi Francën si një vend neutral në lidhje me këtë çështje.
Akuzat e DASH ndaj tij për akte korruptive dhe se ka minuar demokracinë, Berisha tha se janë të montuara politikisht në Tiranë në zyrën e Edi Ramës.Gjatë konferencës për shtyp bëri të ditur se nuk do të largohet nga politika dhe nuk e jep dorëheqjen nga mandati i marrë në zgjedhjet e 25 prillit, duke lënë të kuptohet se do të jetë në Kuvend në shtator.
Megjithatë Berisha tha se ky vendim i DASH nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet mes PD dhe Ambasadës Amerikane në vendin tone. Kjo padi e Berishës ndaj SHBA, erdhi pasi DASH e shpalli 'non grata' Berishën dhe familjen e tij, pasi e akuzon si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.