Ish-kryeministri Sali Berisha ka firmosur me dorën e tij tre versione me të dhëna të ndryshme në formularin e dekriminalizimit, duke konsumuar në mënyrë flagrante veprën penale të falsifikimit të formularëve, parashikuar në nenin 190 të Kodit Penal. Për veprime të ngjashme janë marrë të pandehur dhe janë dënuar zyrtarë të nivele të ndryshme në Shqipëri, përfshirë edhe ish-kryebashkiakë, por për Berishën, deri më sot, ligji dhe drejtësia nuk ka vepruar në mënyrë të barabartë. Pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, me të cilin Partia Demokratike krenohet, duke e shpallur edhe si kauzën kryesore të saj, Sali Berisha firmosi për herë të parë formularin e dekriminalizimit në 20 prill 2016, pa asnjë shënim, përveç gjeneraliteteve në krye të dokumentit.
Disa javë më pas, në 26 maj të vitit 2016, Berisha i drejtohet me këtë shkresë KQZ-së, ku kërkon të korrigjojë formularin, për të shtuar shënimin se ka ndryshuar emrin nga Salih në Sali si dhe datën e lindjes nga 01.07.1944 në 15.10.1944. Me këto të dhëna, Sali Berisha mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të 2017, të dhëna të cilat megjithatë nuk përputhen me të dhënat në regjistrin e gjendjes civile. Në 10 mars 2021, Berisha ka dorëzuar një tjetër formular në KQZ, tashmë në kuadër të paraqitjes së dokumentacionit për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Edhe ky formular ndryshon nga dy formularët e mëparshëm.
Në formularin e fundit, në rubrikën ‘gjeneralitetet e mëparshme’, Berisha heq datën e lindjes 01.07.1944 dhe vendos vetëm ‘korrik të 1944’, ku sqaron se kjo datë është korrigjuar nga gjendja civile e kohës, duke pasqyruar datën reale – 15.10.1944. Në fakt, ka dyshime të forta se Berisha e ka afruar ditëlindjen e tij me atë të Enver Hoxhës, të cilit i shërbeu me zell deri kur mori drejtimin e PD-së, për të mos e lëshuar më.
Edhe nëse data e lindjes nuk është e saktë, në asnjë dokument shtetëror nuk shënohet muaji i vitit, por shënohet data e saktë, pra dita e muaji, muaj përkatëse dhe viti. Në rastin konkret Berisha ka hequr një të dhënë të saktë, të shtuar në formularin e dytë, që përkon edhe me regjistrin e gjendjes civile. Aktualisht në regjistrin e gjendjes civile, Sali Berisha figuron në i datëlindjes 01.07.1944 dhe jo i 15.10.1944, siç deklaron në formular.
Në formularin e fundit, Berisha sqaron gjithashtu edhe arsyet se pse, sipas tij, ka ndryshuar emrin nga Salih në Sali. Berisha thotë se ka korrigjuar emrin pas ndryshimit të rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Edhe ky pretendim duket se është një mashtrim, pasi forma emrit ‘Salih’ sot gjendet e ruajtur masivisht. Aktualisht në regjistrin e gjendjes civile janë rreth 150 persona që mbajnë emrin ‘Salih’.
Sali Berisha, në të gjithë formularët e dekriminalizimit, nuk ka pasqyruar me saktësi as emrin e babait. Në regjistrin e Gjendjes Civile, emrin i babit të Sali Berishës është në formën ‘Ramë’, ndërsa në formularin e vetëdekalrimit Berisha e ka shënuar në formën ‘Ram’, pra pa zanoren ‘ë’ në fund. Berisha ka paraqitur ndryshe edhe emrin e nënës, e cila në regjistrin e gjendjes civile figuron me ‘Shiqere’, ndërsa në formularin e firmosur nga Berisha është ‘Sheqere’. Kaq shumë gënjeshtra, pasaktësi dhe amulli në një formular kaq të thjeshtë dhe elementar, kjo mund t’i shkojë për shtat vetëm Sali Berishën, i cili edhe karrierën e vet politike e ka ngritur mbi një sagë gënjeshtrash të mëdha.
Formulari i parë i dekriminalizimit të Sali Berishës
Korrigjimi i formularit të parë të dekriminalizimit nga Sali Berisha
Formulari i fundit i dekriminalizimit të Sali Berishës