Përpara se të udhëtojë drejt Spanjës, ku do të marrë pjesë në samitin dy -ditor të Partive Popullore Europiane, Sali Berisha u ndal për fushatën e 11 majit në një biznes fason në periferi të kryeqytetit. Prej aty, kreu i PD u premtoi bizneseve kompensim të humbjeve nga rënia e kursit të euros.
Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës për situatën e varfërisë social-ekonomike, duke shtuar se kryesocialisti për të hequr vëmendjen nga skandalet dhe situata, bën fushatë me fjalor banal dhe batuta.
“Kjo situatë merr fund më 11 maj! Unë ju garantoj ju se do kompensojmë të gjithë uljen e vlerës së euros. Do ulim çmimin e energjisë dhe ujit, nuk do ketë taksa bashkie mbi 1% të xhiros, që sipërmarrësi të investojë e rrisë rrogat, të punësojë më shumë. Edi Rama po kërkon të heqë vëmendjen, po bën një fushatë me batuta dhe fjalor banal”, tha Berisha mes të tjerash.
Kreu i koalicionit PD Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Sali Berisha tha se përmes programit të PD-së, që krijon klimë miqësore me biznesin duke u dhënë mundësi për të hapur vende të reja pune dhe të rrisin rrogat, do të nxisin kthimin e shqiptarëve të larguar.
"Edhe sipërmarrësi do ketë mundësi të zgjerojë, të investojë, të rrisë rrogat dhe të punësojë më shumë. Do bëjmë gjithçka për të kthyer sa më shumë shqiptarë. Shembulli, është kthyer në vitin 2006, ka punuar në Itali, është kthyer dhe urdhëroni se çfarë sipërmarrje ka ngritur bashkë me kolegët e tij", tha Berisha.
Kreu i PD kërkoi që në ditët e mbetura të fushatës, të shpërndahet sa më shumë programi i opozitës.
Kjo vizitë erdhi pak pas anulimit të konferencës së përditshme për shtyp dhe në valën e lajmeve të zbulimit të kontratës së lobimit 6 mln dollarë me kompaninë amerikane “Continental” të PD-së dhe Berishës, teksa ky i fundit është i shpallur “non grata” prej më shumë se pesë vitesh.
Kontrata u zbulua dhe publikua nga Report Tv dhe Shqiptarja.com të shtunën (26 prill), ku garantuesi ishte një elektricist që jeton në SHBA, Nuredin Seci dhe firmëtar nga PD Flamur Noka. PD e ka shitur si një pagesë nga komuniteti shqiptar në SHBA, nëpërmjet fondacionit "Maga”.
Komente
