Politikë

Disfata e 11 majit/ Berisha mbyll ‘kapitullin’ e nenit ‘Basha’: Nuk dorëhiqem, statuti flet për zgjedhje, jo farsa

24 Qershor, 13:22| Përditesimi: 24 Qershor, 16:41

  • Share

Askush nuk kishte shumë dilema, por Sali Berisha më në fund e pranoi edhe zyrtarisht se humbja e thellë e zgjedhjeve të 11 majit, nuk do të shoqërohet me dorëheqjen e tij.

Në konferencën e kësaj të marte, kreu demokrat thotë se statuti flet vetëm për zgjedhje, e ai tashmë ka faktuar se më 11 maj nuk pati zgjedhje por farsë.

“Statuti bën fjalë për zgjedhje, jo për farsë. Të lutem mos e keqinterpreto statutin. Nëqoftëse statuti do shkruante për farsë dhe unë mund të jap dokumente origjinale që dëshmojnë se vetëdijen e Sali Berishës për farsën, pra nëse unë do kisha shkrojtur farsë, unë jam dakord me ty, por nuk kam shkruar farsë, por zgjedhje.  Jo farsë, farsa është kryesorja. Farsa.”

Si provë të radhës, Berisha solli një tjetër video, për të cilën tha se fakton manipulime. Duke përsëritur se 11 maji ishte një farsë elektorale, Berisha u ndal te rinumërimi, proces i cili deri më tani i ka humbur vota, teksa tha se ishte një kërkesë e kandidatëve dhe jo e vetë PD-së.

“Rinumërimi i votave nuk është një kërkesë e PD-së.Rinumërimi i votave është kërkesë e kandidatëve të saj, të cilëve ne kurrë, në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mund t’u mohojmë një të drejtë të tillë. Ndaj dhe të nderuar zotërinj, që flisni për numërimin, përpiquni të jeni të saktë në ato që thoni. Teza e PD është: vota vdiq pa hyrë në kuti”, tha Berisha.

Më tej, vijoi me akuzat se dy ‘balozët’ e zinj të krimit elektoral janë Edi Rama dhe Altin Dumani, kreu i SPAK. I pyetur se beteja e tyre në vjeshtë do të jetë në parlament apo mosbindje civile, Berisha tha se do të jetë e gjithanshme.

“Beteja është e gjithanshme. Ne këto që bëjmë, i bëjmë për dy arsye, për të hedhur dritë, së pari si detyrim ndaj shqiptarëve, së dyti ndaj komunitetit ndërkombëtar me bindjen më të thellë se, problemin do ta zgjidhin vetë shqiptarët dhe opozita.  Natyrisht beteja do të jetë shumëplanëshe, komplekse. Është një betejë shumë e gjerë, shumë komplekse, por me bindjen tonë më të thellë që do fitohet. “, tha kreu i PD.

Ndërkohë pyetjes se çfarë masash do të marrë për të garantuar votën e lirë në zgjedhjet e pjesshme që pritet të mbahen në disa bashki për shkak të vakancave, Berisha paralajmëroi se do të ndjekë të njëjtën ‘strategji’, duke mos i njohur.

“Do zhvillohet farsa e radhës. Me Edi Ramën ka vetëm farsë. Kjo është e vërteta.”, tha Berisha.

Pika 8 e nenit 46 të statutit të Partisë Demokratike, të cilin Berisha e pagëzoi ‘Neni Basha’, në dhjetor të 2021 kur nisi betejën për rikthimin në krye të PD, gjithsesi e ka të sanksionuar qartë se në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë për kryetarin. Por, Berisha kështu shoi shpresat edhe të pak emrave që nën zë, kërkonin reformim të partisë, në humbjen e saj të 10 radhazi.

 

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?