TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha vijon me sulmet për reformën në drejtësi dhe deklaratave të tij se do ta shkrijë SPAK-un. I marrë i pandehur për aferën partizani, Berisha thotë se nuk do të pranojnë një prokurori politike. Komentet i bëri ndërsa shpalosi programin e PD për ‘Mbrojtjen e Familjes dhe Politikat kundër Shpopullimit’. Kreu i Partisë Demokratike tha se Rama po e përdor drejtësinë si hanxhar kundër opozitës.
“Po, Edi Rama është armik kombëtar. Do të theksoj një moment. Kur Donald Trump deklaroi se për SHBA, vendin më të fuqishëm të botës, armiku më i rrezikshëm është armiku i brendshëm, ra si një rrufe në qiell të hapur. Po pse? Sepse njerëzit aty njihnin sekretarë shteti, shtetarë, presidentë, zyrtarë të lartë, të gjithë këta. Po a kishte të drejtë? Ai kishte 100 përqind të drejtë sepse nuk i solli kush nga jashtë SHBA-ve detyrimin për të bërë betejë kundër gjinisë njerëzore. E ndërmorën vetë ata. E ndërmori Xhorxh Sorosi.
Sepse nuk ishte as Kina dhe as Rusia që po i vendosnin censurë kombit amerikan. Jo, nuk ia bënte kurrë as Kina, as Rusia dhe as e gjithë bota. Po atë po ia bënin zyrtarët e vet. Po tundnin flamujt e censurës. Po fusnin censurën në gjigantët e rrjeteve sociale, në Google, FB, Instagram.
Po a ka armik më të egër liria e fjalës se sa censurën? Jo, nuk ka. Liria e fjalës atë ka. Pra, u krijuan zyrat e censurës në mënyrën më të pabesueshme. Erdhi këtu sekretari i shtetit, firmosi befasishëm një protokoll te ministri i jashtëm. Ishte protokolli i censurës. Po, të ngrini zyrën e censurës në ministri dhe parlament.
Tani unë do u them ju se kjo deklaratë e Donald Trump ka po atë rëndësi historike dhe epokale që pati deklarata e Ronald Regan në Berlin ‘zoti Gorbaçov rrëzojeni këtë mur’. Liria e gjermanëve është çështje e lirisë botërore.
Pse u ndala këtu? Po ka armik më të egër se ky që kemi ne? A nuk është ky që arreston liderët e opozitës me motivet e të atit që varte dikur kundërshtarët politikë? A nuk është ky armiku më i egër i shqiptarëve edhe se rusi dhe kushdo tjetër? A nuk është ky që përdor drejtësinë si hanxhar kundër opozitës? Dhe pastaj dalin mbështetës të saj dhe thonë mos e prek. Po është kretinizëm politik dhe më e pakta, në rast se ne pranojmë prokurori politike, e cila është vegël e verbër e diktaturës”, tha Berisha.
Ai u ndal edhe tek arrestimi i Erion Veliajt, situatë të cilën e krahasoi me vrasjen e Mehmet Shehut. Sipas tij, Rama veproi si Enveri dhe e dënoi Veliajn pasi nuk donte që ti marrë partinë kur të humbë zgjedhjet e 11 majit.
“Kush ka jetuar diktaturën, kur u vra Mehmet Shehu, e ka një ngjashmëri me këtë të Erion Veliajt. Ua them unë ju, e ka një ngjashmëri. Absolutisht! E ka, se Aulon e shoh që po më sheh me çudi, po e ka. Pse e ka ngjashmërinë tani se mos kaloj nga tema në temë? E ka ngjashmërinë, se Erion Veliaj, unë ua thashë, i meriton 60 vite minimumi realisht, por problemi është se Edi Rama nuk e dënoi për ato.
Jo mor jo, e dënoi se e di se humbet zgjedhjet dhe nuk do që të merrte partinë. Njëlloj si Mehmeti. Enveri nuk donte që ta merrte Enveri. Po, absolutisht.Pra, një prokurori politike është një fatkeqësi kombëtare dhe o burra, t’i dalim zot.
Si mund t’i dilet zot? Po erdhi ai në Mynih dhe të tha, ju e keni armikun brenda, ju arrestoni opozitat, ju arrestoni gazetarët. Të gjitha kanë ndodhur në Shqipëri”, tha Berisha.
Komente
