Sali Berisha ndodhej këtë të enjte në Bashkinë e Kavajës, për të kujtuar ngjarjen e 35 viteve më parë kur shqiptarët guxuan të futeshin brenda ambasadave për t'i shpëtuar regjimit komunist.
I pranishëm ka qenë dhe diplomati gjerman Werner Daum, me të cilin lideri demokrat ka ndarë përshtypje të veçanta për ish-presidentin Ramiz Alia.
"Kishte në atë periudhë idera se Ramiz Alia është Gorbaçovi i Ballkanit, veçanërisht media evropiane të majta, por edhe qeveri të majta. Në fakt, ai ishte shumë interesant si person. Një javë ishte Gorbaçov dhe sillej si Gorbaçov, javën tjetër ishte Brezhnjev dhe ia kalonte Brezhnjevit.
Do t’u jap një shembull. Themeluam PD-në më 11 dhjetor. Domethënë mblodhi plenumin dhe e pranoi pluralizmin.
Më 21 dhjetor mblodhi konferencën kombëtare të Partisë së Punës, ku deklaroi se marksizëm-leninizmi do të jetë përjetë ideologjia e Partisë së Punës. Mirëpo marksizmi dhe opozita nuk pajtohen. Ky ishte ambiguiteti i tij", është shprehur Sali Berisha.
Mihail Gorbaçovi ishte presidenti i fundit sovjetik që i dha fund Luftës së Ftohtë pa gjakderdhje, por që nuk arriti të parandalojë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.
Kur protestat pro-demokracisë përfshinë vendet e bllokut sovjetik të Evropës Lindore komuniste në vitin 1989, ai tregoi vetëpërmbajtje duke mos përdorur forcën - ndryshe nga udhëheqësit e mëparshëm të Kremlinit që kishin dërguar tanke për të shtypur kryengritjet në Hungari në 1956 dhe Çekosllovaki në 1968.
Komente
