Politikë

Berisha: Zjarret, krim shtetëror! Shqipëria e çarmatosur nga mjetet, Rama përgjegjësi

18 Gusht, 13:33| Përditesimi: 18 Gusht, 14:56

  • Share

TIRANË- Kreu i PD, Sali Berisha i quan zjarret me të cilat u përball vendi ynë si krim shtetëror. Në një konferencë nga selia blu, Berisha u shpreh se Shqipëria nuk ka njohur më parë zjarre kaq shkatërrimtaret, duke akuzuar se vendi u gjet i papërgatitur.

“Një krim të vërtetë shtetëror zjarret, flakët dhe djegiet e mbi 54 mijë hektarë ullishte, kopshte, bahçe, pyje. Djegien e qindra banesave në fshatrat e Gramshit, Delvinës dhe në një seri zonash të tjera. Djegien e qindra dhe mijëra bagëtive, pa llogaritur këtu kafshët e egra dhe rrafshimin e të gjithë florës dhe faunës në këto zona. Djegien e qindra mijëra koshereve të bletëve”, tha Berisha.

Ish-kryeministri thotë se Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr dhe pësoi djegie djegie me përmasa dy gjer në tre herë më të mëdha se të gjitha vendet e rajonit.

Por sot, unë jam këtu për të qartësuar shqiptarët se pse shkatërrimet e zjarreve këtë vit janë një krim i vërtetë shtetëror. Janë një krim shtetëror për arsye se në mënyrë të papërgjegjshme për shkak të korrupsionit, vjedhjes, indiferencës dhe injorancës, Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr. Shqipëria pësoi zjarre dhe djegie me përmasa dy gjer në tre herë më të mëdha se të gjitha vendet e rajonit. Dhe jo se zjarret nuk shpërthyen në të gjithë rajonin, por çdo vend ishte shumë, shumë më i përgatitur se Shqipëria në betejën kundër zjarreve. Në tërësi, sistemi i zjarrfikëseve, i vjetër, i trashëguar nga 15-20 vite më parë, i dorëzuar tek bashkitë socialiste, u tregua i ndryshkur dhe dizfunksional.

Përgjegjësinë për situatëb me mjetet antizjarr e sheh tek kryeministri Edi Rama, për të cilin thotë se harxhoi 490 milionë euro për luks dhe afera.

“Të gjitha këto shuma të paguara nga qytetarët e Delvinës dhe qytetarët shqiptarë, nga taksat e tyre, janë rreth 490 milionë euro. Në qoftë se vetëm një e katërta e tyre do përdorej për mjetet antizjarr, Shqipëria do të kishte së paku 7 deri në 10 Kanadair të përdorur. Do të kishte katër helikopterë të tjerë dhe së paku 180 zjarrfikëse. Me një të katërtën. Po në qoftë se përdorej gjysma, këto shifra do ishin dy herë, tre herë më të mëdha. Ja pse dëmet nga djegiet janë një krim shtetëror”, vijoi Berisha.

Berisha kërkoi dëmshpërblim të menjëhershëm të çdo fermeri, për çdo dëmtim në banesë, për bagëtitë e për rrënjët e ullinjve.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?