Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Berisha-Basha, dueli me bilanc fatal në PD!

17 Tetor 2021, 17:01| Përditesimi: 17 Tetor 2021, 17:04

  • Share

Foltorja, amaneti i fundit politik i Sali Berishës është fokusi i një folklori me aheng dehës për oponentët e Bashës, të cilët u zhvendosën nga vallja e rrugës në adresën e takimeve rutinë nën logon e dirigjentit “Non-Grata”. Zëri i ngjirur qëllimshëm i tenorëve anti-Basha, nën strehën e algoritmeve të zellshme arsyetuar me zhgënjimet e lidershipit aktual, tashmë është i beftë. Tupanat bien në çdo pasdite perëndimi përgjatë turit të qyteteve, përligjen si lajmëtarë te shkarkimit të kreut demokrat, por zhurma e prodhuar nuk qaset si bindëse. A është Berisha ende kryetari i orkestrës së PD apo thjesht një i ftuar në ceremoninë mortore të partisë? 

Sali Berisha nuk bën hapa pas, dëshmitare ishte e premtja festive ku refuzoi aprovimin në heshtje të ditëlindjes, brenga ndaj Bashës i ka shuar çdo puzzle qetësie, i ka cënuar besimin e “mosdorëzimit” në sofrën e armikut, e ka befasuar ne tradhëti të pamenduar, i ka veshur xhubletën e luftës për të kultivuar mitin e aleancës me Ramën, e ka risjellë në skenë për vlagën e vetëmbrojtjes ekstreme. Berisha është magnet influence për shumicën e bazës blu, ndaj nuk ngurron afrimin në mitingjet minore të çdo deputeti demokrat duke mbjellë me plehun e egocentrizmit, përçarjen fatale të partisë. Totalisht e panevojshme, e rrezikshme, e frikshme kjo divergjencë diabolike që shkund themelet e PD-së dhe i shërben egërsisht klaneve intimiduese me skenar rritjen e suportit ndaj interesave të Berishës. Kjo taktikë i kushton shtrenjtë unifikimit të frymës opozitare, aksionit kundër qeverisë, fashimit të plagëve zgjedhore, fermentimit të produkteve publike kundër tenderave korruptive, i cënon besimin tek sovrani. Sali Berisha është lojtar i sprovuar në teknikalitetin “Shah-mat”, komandant i ushtarëve dele që e ndjekin qorrazi, i gatshëm t’i ofrojë në betejë edhe nëse duhet të sakrifikohen, njësoj siç po bën me deputetët e magnetizuar në foltoren e tij, të cilët me këtë pozicionim kapitullojnë karrierën e tyre nën çatinë e PD-së. Ky komplot me autor Lulzim Bashën, është i inskenuar për të mbytur çdo celulë proBerishizmit në parti, këtë fakt e përligj shkarkimi i Flamur Nokës nga të gjitha funksionet. Aksiomë tipike shqiptare, nëse i kundërvihesh kryetarit, përjashtohesh. Qëndrimi kundër është kafshatë që s’kapërdihet! 

Në deklaratën për shtyp të pak ditëve më parë, Berisha u shpreh se Agron Shehaj duhej të ishte anëtar kryesie, pasi mori votëbesim në 20% të demokratëve. Fiktiviteti i garës së kreut të PD është kalbësi e korrur, nëse ky asfiksim politik nuk do të ndodhte, konturimi i filozofisë së re nën drejtimin e Shehajt do të ishte navigim drejt fitores. Konfrontimet e pakursyeshme mes Bashës dhe Shehajt, mishërojnë refuzimin e këtij të fundit për rrënjosjen e totalitarizmit në parti, motivuar nga aprovimi absolut i bazës për Shehajn e së fundmi, nga bekimi i Berishës për të. Me gjasë, ky është emri që Berisha do të lobojë si alternativë nese ia del të rrezojë Bashën. Një duel brenda llojit që i dhuron PS-së, Shqipërinë.

Një strateg unik si Edi Rama, që edhe në ditët më të vështira të pushtetit kameleonizohet për t’iu konvenuar diskurit politik vetjak, është tërësisht argumentative teza e vështirësisë së mposhtjes. Kur frekuenca e logjikës induktive, të kujton se aktualisht në përballjen frontale ka Bashën, vështirësia njehsohet me pamundësi. Me Bashën, historia e karoselit të politikës shqiptare nuk ndalon askund tjetër. Gjithnjë, Rama!

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tata: 18/10/2021 05:54

    PD po konfirmohet cdo dite e me teper si parti anti paqesore,extremiste dhe teper e rrezikeshme per nje ecje demokratike te shqiperise. Fundi i saj do jete eleminimi dhe li dja e nje force te re sipas dialektikave dhe jo diktateve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?