Berisha-Meta dhe votimi elektronik

Berisha-Meta ankimojnë votimin elektronik në Elbasan: Të bëhet ekspertimi i pajisjeve, më pas të përsëriten zgjedhjet me fletë votimi

24 Maj 2023, 19:51| Përditesimi: 24 Maj 2023, 22:58

  • Share

Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ka paraqitur sot në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ankimim për rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit në Bashkinë e Elbasanit, ku kandidati i Berisha-Meta, Luçiano Boçi, humbi përballë socialistit Gledjan Llatja. ‘Bashkë Fitojmë’ kërkojnë ekspertimin kompjuterik të çdo pajisjeje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike.

“Kjo të realizohet nga ekspertë të huaj të pavarur nga institucionet shtetërore apo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për këtë nevojitet që pajisjet të ruhen në kushte të përshtatshme në gjendjen aktuale me qëllim mosndërhyrjen nga personat e paautorizuar si dhe të mirëruajtura nga agjentët atmosferike”, thuhet në ankim.

Gjithashtu Berisha-Meta kërkojnë krahasimin e rezultatit elektronik të zgjedhjeve me rezultatin fizik (fletëve të votimit të gjendura në kuti) për çdo qendër votimi. Për këtë kërkohet një proces sa më transparent dhe gjithëpërfshirës.

Gjithashtu kërkohet këqyrja e kamerave të jashtme dhe të atyre të përdorura brenda qendrave të votimit me qëllim evidentimin e të gjithë personave të paautorizuar apo pjesë e administratës vendore dhe qendrore në nivel specialist apo drejtuesi, që kanë qenë gjatë gjithë kohës nëpër qendra votimi, evidentimin e mosnënshkrimit të deklaratave përkatëse për votuesit që janë shoqëruar, evidentimin e votimit nga vetë Operatorët e PEVN-ve, evidentimin e votimit të komisionerëve për llogari të votuesve.

“Krahasimin e kodeve te votuesve me listën e votuesve për çdo QV ne Bashkinë Elbasan, ne lidhje me pajisjen e identifikimit te votuesve (PEI). Rinumërimin dhe Rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore, Bashkia Elbasan dhe miratim i tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore Bashkia Elbasan duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave”, vijojnë kërkesat.

Teksa kërkohet pavlefshmëria e zgjedhjeve të zhvilluara Elbasan, Berisha-Meta kërkojnë se pasi të jenë kryer veprimet e mësipërme dhe KAS të ketë krijuar bindjen institucionale se kjo nuk është vota e qytetarëve, i kërkohet anëtarëve të KAS që të përsëriten zgjedhjet me votim tradicional.

Kujtojmw se nw Elbasan opozita priste për një fitore me Luçiano Boçit, por nuk ia dolën. Kandidati socialiste Gledjan Llatja fitoi me 56% të votave përkundrejt 44% të rivalit të tij Luçiano Boçi. 

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?