Aleanca e tranzicionit me subjekt perëndimor, debutoi sërish në skenë, nën koreografinë e privuar të urisë së pushtetit, gjykuar nga juria e pazëshme e sovranit të supresuar shqiptar, me dirigjimin e tutelës së lakmisë, pa bekimin e ndërkombëtarëve. Një tango e ekzekutuar nën tingujt e beftë të politikës së vjetër, e servirur me elasticitet të stisur, por e anatemuar nga krushqit amerikanë! Një mbrëmbje gala në vitrinë, që miklon cirkun e qenësishëm të brendisë, dy akrobatë të ekzaltuar nga euforia e asgjëkundit, tentojnë arnimin e moskoherencës melodike, por deklamohen zbuluar në ballon me maska të akuzave të vetorganizuara. Vajtim “deja vu” i shqiptarëve, popullit të paradoksit, kolosëve të dijes, servilëve të sokëllimës së pushtetit!
Shqipëria 2023, do të zgjohet nën presionin represiv të zhurmës së xhunglës politike, ku predatorët e kahmotshëm do të performojnë duke shqyer oponentin e davaritur spektatorët, në prezencën e gjahut të vetëm, sovranit të disorientuar në kohë e hapësirë. Thagma e madhe e autoktonëve të Ballkanit, të vërtiten sot, shekuj më vonë, në matemin e politikës së përdhosur e përlyer me gjak, vjedhje, akte korruptive, nepotizëm, regres social e shkatërrim total. Një histori e trishtë për politikën kombëtare 31-vjeçare, ku zbatica e pushtetit i këndon himnin, kryetarokracisë, për të përligjur komunizmin partiak e ndërpartiak. Për Shqipërinë, retë e zeza mbi çatinë e institucionit opozitar, ia mjegullojnë ende vizionin e misionin perëndimor. Fronti i minorancës drejt alternativës së zgjedhjeve lokale, vepron nën dirigjimin e lidershipit Berishist, literalisht figurës politike më të konsumuar, zërit totalitar që kanalizon përmes “vendimit të formës së prerë” të ardhmen e partisë, siç bëri me Lulzim Bashën e siç pritet të bëjë, me oponentin e Erion Veliajt. Aleat në maratonën e kupës së dështimit, ka sozinë e tij në partinë si-motër, Metën, njeriun që nën betimin e interesave politike, ka kurorëzuar e divorucar me qetësi, dashurinë për pushtet me të njëjtët partnerë. Herë si ish-i i tyre, e herë si opsioni i rradhës. Një magnet që ndërton pa drojë, duo-të asfiksuese të respirimit qytetar, patericë afunksionale që çon në gangrenë definitive, shpresën për reformim të klasës politike. E njëjta politikë, në të njëjtën skenë, me të njëjtët aktorë, për të njëjtën shfaqje, që njësoj si gjithnjë, përçudnon e zvetënon interesin publik!
Delli i aksionit opozitar, vitrina e fabrikuar të kodojë probabilitet fitues, navigohet verbërisht nga kasta “Non-Grata”, busulla e së cilës, prej kohësh nuk dëshmon perëndimin. Publikimet mediatike të dokumenteve, ku pretendohet financimi i PD-së nën influencën ruse, e rëndojnë ndjeshëm pozitën e alternativës opozitare. Në kalanë e fortifikuar të minorancës, dita-ditës po rrjedhin elementë parlamentarë, të cilët vendosin dorëzimin e mandatit të deputetit, sepse me apo pa konsideratën e interesave personale, qëndrimi në PD u vesh dozën dogmatike anti-amerikane. Bilanci i situatës opozitare fermenton lëndën e parë, dritëhijet e së cilës, nuk zgjojnë më besim për shqiptarët. Protagonistët e politikës së sotme të minorancës, janë refuzuar me votë në trenin e demokracisë, ku kacavirren të dëshpëruar si fosile për t’u ricikluar e relapsuar në bataren e hartimit të aferave korruptive. Shqipëria, imazhi malinj i shtetit funksional, ka metastazuar edhe në institucionet ligjzbatuese. Muaj pas çorbës Berisha-Basha, ende nuk ka një vendim se cilit kamp do t’i dorëzohet torta e PD-së zyrtare, nuk ka as datë e as muaj të seancës. Në këtë vend, nuk ka më as turp, as cipë, as ndroje, as moral, as etikë profesionale, as detyrim qytetar, as vërtetësi, as meritokraci!
Identikiti i Shqipërisë 2023, është fare i qartë, PS triumfon bindshëm e thellë! Profecia e aderimit në BE apo implementimi i politikave demokratike adekuate, mbetet perspektivë e largët për realitetin shqiptar, edhe në shpresën më të afërt. Sot e mot, një shtet pa opozitë është terren i favorshëm shirash destabilizues, ku asnjë frut nuk rritet sipas standardeve bashkëkohore. Edhe në “ idealin” qeveritar, një proces administrues pa monitoruesin opozitar për të anatemuar me kartonin e kuq të argumentit, shteti nuk frymon në demokraci. Keqardhje, për katandisjen e trishtë, Shqipëri!