Ceremonia e ndarjes së çmimeve të ariut të shtunën në mbrëmje në Berlinale Palast solli disa të papritura: Ariu i Artë i Berlinales iu dha një filmi dokumentar "Sur L'Adamant" të regjisorit të njohur francez Nicolas Philibert ("Të jesh dhe të kesh"). Adamant quhet klinika ditore për njerëz me sëmundje mendore që portretizohet në film. Ajo është një anije me rrasa druri në Pont Charles de Gaulle në Paris, vetëm pak hapa nga Gare de Lyon dhe Biblioteka Kombëtare Regjisori Philibert ka xhiruar në këtë klinikë për gjashtë muaj dhe ka përcjellë seancat e terapisë, aktivitetet artistike dhe momentet e pushimit të pacientëve.
Filmi është një vështrim nga afër në jetën e pacientëve dhe si ata shohin botën rreth tyre. Ishte i vetmi film dokumentar në garën konkurruese sivjet në Berlinale. Juria e quajti një "film të projektuar me mjeshtëri". Ndërsa Philibert tha se ishte "thellësisht i prekur" që një dokumentar fitoi Ariun e Artë. Ai tha se me filmin e tij është përpjekur të ndryshojë imazhin që shoqëria ka "për të ashtuquajturit të çmendur”.
Një tetë vjeçare shpallet aktorja më e mirë
Surprizë ishte edhe Ariu i Argjendtë për aktoren më të mirë: Ai iu dha tetëvjeçares Sofia Otero. Në filmin "20 000 especies de abejas" ("20 000 specie bletësh") ajo luan një fëmijë në kërkim të identitetit gjinor. Vajza ishte shumë e emocionuar kur e mori çmimin në mbrëmjen gala. Ajo është aktorja më e re që fiton një Ari të Argjendtë.
Sofia Otero në Berlinale duke falënderuar për çmimin: Vajza mban në dorë Aritun e Argjendtë dhe fshin lotët nga emocionet. Ariu i Argjendtë për aktoren më të mirë iu dha tetëvjeçares Sofia Otero për rolin e saj në filmin "20 000 especies de abejas" ("20 000 specie bletësh"). Aty ajo luan një fëmijë në kërkim të identitetit gjinor. Vajza ishte shumë e emocionuar kur e mori çmimin në mbrëmjen gala.
Ariu i Argjendtë për regjinë më të mirë shkoi po në Francë, konkretisht për regjisorin Philippe Garrel për filmin e tij "Le grand chariot",i cili rrëfen historinë e një familjeje që bën teatër kukullash. Pas vdekjes së atit, fëmijët – tashmë të rritur – ndodhen përballë pyetjes se si të vazhdojnë me teatrin. Garrel në fjalën falenderuese nderoi edhe regjisorin franez Jean-Luc Godard, që u na nga jeta vitin e kaluar. Garrel tha se është ndikuar shumë prej tij.
Drama "Roter Himmel” (Qiell i kuq) e regjisorit gjerman Christian Petzold fitoi çmimin e madh të jurisë. Filmi i tij tregon historinë e katër të rinjve që kalojnë verën e tyre në Detin Baltik dhe kërcënohen nga zjarret e pyjeve atje. Çmimi i jurisë shkoi për psikodramën "Mal Viver" të regjisorit portugez João Canijo. Filmi rrëfen historinë e disa grave që drejtojnë së bashku një hotel të vjetër dhe tregon marrëdhëniet e tyre.
Regjisorja gjermane Angela Schanelec fitoi Ariun e Argjendtë për skenarin më të mirë. Ajo u shpërblye për filmin e saj "Music", në të cilin ka bërë edhe regjinë. Filmi trajton mitin e Edipit në një formë abstrakte.
Aktorja austriake Thea Honor fitoi çmimin për rolin më të mirë dytësor. Në thrillerin e regjisorit gjerman Christoph Hochhäusler "Bis ans Ende der Nacht".(Deri në fund të natës) ajo luan një grua transgjinore, e cila së bashku me një nëpunës policie bën investigime të fshehta në skenën e drogës.
Operatorja franceze Hélène Louvart u nderua me Ariun e Argjendtë për filmin "Disco Boy". Filmi flet për një të ri që ikën në Francë dhe bashkohet me Legjionin e të Huajve. Fituesit e çmimeve të audiencës u shpallën më herët të shtunën. Filmi i Apoline Traore "Sina” u vlerësua për filmin më të mirë artistik. Në kategorinë "Dokumente Panorama” fitoi "Kokomo City” i regjjisorit D. Smith, i cili ishte në avion kur mësoi për çmimin dhe zbriti shpejt nga avioni për të marrë çmimin.
Nuk është hera e parë që një dokumentar vlerësohet me "Ariun e Artë" në Berlinale. Në vitin 2016, çmimin më të rëndësishëm të Berlinales e fitoi dokumentari "Fuocoammare" i regjisorit italian Gianfranco Rosi që trajtonte jetën e vështirë të refugjatëve që mbërrinin me anije në ishullin e Lampedusës në Itali.
Ministrja gjermane e Shtetit për Kulturën Claudia Roth e quajti Berlinalen e 73-të të këtij viti një "rreze shprese në një kohë të errët dhune dhe shkatërrimi". Fituesit qëndrojnë "për një art kinematografik njerëzor dhe human", tha politikania ekologjiste
Në programin e Berlinales së 73-të u shfaqën 283 filma, kurse në garën kryesore konkurruan 19 filma nga 18 vende. Pikat kulmore, përveç filmave, gjatë dhjetë ditëve të festivalit që mbyllet të dielën, 26.02.2023, me ditën e publikut ishte fjalimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski në hapjen e festivalit dhe Ariu i Artë i Nderit për regjisorin dhe producentin Steven Spielberg./ DW