ITALI- Parlamenti në Romë ka vendosur që më 24 janar të zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe Silvio Berlusconiu tërhoq nga kandidatura 2 ditë përpara. Lajmi është bërë me dije mbrëmjen e kësaj të shtune, e ndërsa mësohet se në një letër ai ka argumentuar edhe pse ka marrë këtë vendim.
“Jam vërtet mirënjohës, nga thellësia e zemrës sime, për mijëra italianë dhe italiane që ditët e fundit më kanë treguar dashurinë, mbështetjen dhe inkurajimin e tyre që kur u përmend emri im. Për Presidencën e Republikës, Italia sot ka nevojë për unitet, përtej dallimit mazhorancë-opozitë, rreth përpjekjes për të luftuar urgjencën shumë të rëndë shëndetësore, për të nxjerrë vendin nga kriza. Në këtë frymë kam vendosur të kryej një tjetër hap në rrugën e përgjegjësisë kombëtare, duke u kërkuar atyre që e propozuan të heqin dorë nga përcaktimi i emrit tim për Presidencën e Republikës”, shkruhet në letër.
Ky vendim është komentuar edhe nga lideri i Legas, Matteo Salvini i cili e ka vlerësuar si në të mirë të vendit.
“Një zgjedhje vendimtare, Berlusconi i bëri një shërbim të madh Italisë dhe qendrës së djathtë, e cila tani do të ketë nderin dhe përgjegjësinë të avancojë propozimet pa asnjë veto nga e majta”, tha Salvini.
Giorgia Meloni, që drejton të djathtët ekstrem “Fratelli d'Italia” tha se me ketë vendim u tregua një gjest bujarie.
"Gjëja më e rëndësishme është uniteti i koalicionit. Ne bëmë një gjest bujarie për këtë unitet”, tha ajo.
Në Itali presidenti gjatë krizave politike ka rol vendimtar. Ai mund të emërojë kryeministrin dhe duhet të miratojë listën e kabinetit qeverisës. Me këto kompetenca presidenti aktual Sergio Mattarella, i cili nuk ka shprehur gatishmërinë në këto zgjedhje, i dha fund krizës qeveritare duke emëruar mikun e tij Mario Draghi përpara një viti si kryeministër.