Hekurudha Durrës-Rrogozhinë

Ekonomi

BERZH miraton kredinë 30 milionë euro për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë

5 Gusht, 16:41| Përditesimi: 6 Gusht, 09:54

  • Share

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka miratuar kredinë prej 30 milionë eurosh për rikonstruksionin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë.

Huaja është dhënë për kompaninë shtetërore Hekurudha Shqiptare dhe synon që të rehabilitojë dhe elektrifikojë rreth 34 kilometra të linjës hekurudhore nga Durrësi deri në Rrogozhinë, duke përfshirë edhe rindërtimin e ndërtesave të stacioneve.

Kjo hua plotëson kredinë sovrane prej 60 milionë euro për investime dhe asistencë teknike të dhëna nga Bashkimi Europian përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, të cilat u aprovuan në fillim të këtij viti.

Ky investim është një hap kyç në përpjekjet e Shqipërisë për modernizimin e rrjetit hekurudhor, përmirësimin e lidhshmërisë rajonale dhe përafrimin me standardet evropiane të transportit.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, thotë se rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë do të kontribuojë për të forcuar më shumë lidhshmërinë jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon.

“Ky projekt shënon një moment transformues në zhvillimin e infrastrukturës së Shqipërisë. Ai do të forcojë jo vetëm lidhshmërinë tonë kombëtare dhe rajonale, por gjithashtu do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë dhe integrimin e saj në rrjetin më të gjerë evropian të transportit. Jemi mirënjohës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm nga partnerët tanë ndërkombëtarë për ta bërë këtë vizion realitet”.

Kurse Drejtori Rajonal i BERZH për Infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor, Rumanisë dhe Bullgarisë, Donald Mishaxhiu, shprehet se miratimi i huasë prej 30 milionë euro tregon mbështetjen për modernizimin e rrjetit hekurudhor shqiptar.

“Ky investim pasqyron mbështetjen tonë të vazhdueshme për transformimin hekurudhor të Shqipërisë. Bashkë me partnerët tanë, po ndihmojmë në ndërtimin e një rrjeti transporti modern, të qëndrueshëm dhe të lidhur, që do të përfitojë breza të tërë”.

Linja hekurudhore Durrës-Rrogozhinë është pjesë e Korridorit të VIII, një rrugë prej 1,500 km që lidh jugun e Italisë me portet e Detit të Zi të Bullgarisë, dhe do të sigurojë lidhjen e parë hekurudhore të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut.

BERZH-i ka financuar më herët edhe linjat hekurudhore Tiranë-Durrës dhe Vorë-Hani i Hotit.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zjarrvënia e qëllimshme njësoj si vrasja, si ju duket propozimi i Ramës?