Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi sot (11 Shtator) projektligjin që propozon shpalljen e 2 Marsit si festë zyrtare.
Ishte deputeti socialist Eduart Ndreca ai i cili ka propozuar që 2 Marsi 1444, kur u themelua Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës, i cili çmohet të jetë pika e nisjes së krijimit të shtetit shqiptar, të shpallet ditë feste zyrtare.
“Me kthimin e 2 Marsit 1444, që përkon me Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, ne jo vetëm vlerësojmë figurën më madhështore të historisë së kombit tonë, Gjergj Kastrioti, por dhe periudhën më të lavishme të historisë kombëtare dhe brenda kësaj periudhe datën më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, dita ku princat u mblodhën nën drejtimin e Gjergjit të madh dhe vendosën piketat më të rëndësishme që i duhen një kombi në rrezik asgjësimi, për të shpëtuar veten dhe vlerat që ai trashëgon”, tha ai.
Deputeti Ndreca tha se ky propozim do t’i shtojë me tepër rëndësi forcimit të identitetit kombëtar, gjithashtu do të nxisë dhe studiuesit e fushës së historisë shqiptare dhe të huaj, për të vijuar me hulumtime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje të epokës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Nga viti i ardhshëm 2 marsi do të jetë një ditë pushimi, por qëllimi i propozuesit është të përdoret kjo datë për aktivitete ndërgjegjësuese mbarëkombëtare.
“S’kemi lënë ditë pa bërë pushim, të mos kemi këtë nuk shkon. Jo një ditë pushimi më shumë, po vetdije për ditën më të madhe të bashkimit. Për të nxitur aktivitete kulturore përtej Lezhës, por në të gjitha trojet shqiptare”.
Iniciativa u mbështet nga opozita.
“Ju përgëzoj. Ne nuk jemi nga ata që e ngatërrojmë Skënderbeun me Edi Ramë” tha Ina Zhupa.
Ndreca tha se do t’ju kërkojë edhe kolegëve të tij në Kosovë që edhe atje 2 marsi të jetë festë zyrtare.
Po pse pak festa kombetare keni,nuk u ngopet?! Te pakten te mos jete dite pushimi,por te jete si 7-8 Marsi!
Përgjigju