Besëlidhja e Lezhës pa ‘Skënderbeun’, statuja gjigante e porositur nga bashkia ‘ngec’ për 3 vite në Vaqar, as lekë as leje për heroin

17 Gusht 2022, 18:55| Përditesimi: 17 Gusht 2022, 19:09

  • Share

3 vite më parë, kur Ardian Pepa e realizoi shtatoren e Skënderbeut, zgjodhi momentin, kur ai kthehet nga Turqia, me konceptin që shkon drejt popullit të tij... Konkursi Ndërkombëtar i mbajtur nga Bashkia Lezhë, e kërkonte statujën të realizohej me ritëm të shpejtë, për t’i dhënë 575-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës në 2 mars të 2019-ës madhështinë e duhur... Deri më sot, jo vetëm që ‘Skënderbeu’ në bronz, nuk mundi të shkojë në Lezhë ku pritej, por ka ngecur në një fonderi në Vaqar, ku artisti e viziton herë pas here.

“Në atë kohë ka qenë kryetari i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj. Në momentin që u ndërtua, pra që përfundoi edhe procesi i derdhjes në bronz, dolën edhe pengesat për mos vendosjen”, thotë autori, skulptori Ardian Pepa.

3.7 m i lartë, pesha 1 ton,  qëndrim heroik e vështrim të menduar, prej fonderisë përgatiten e dalin dhjetëra figura kombëtare, ndërsa ‘Skënderbeut’ mbetet po aty. Ishte menduar të vendosej në sheshin që mban emrin e heroit brenda zonifikimit arkeologjik, zona “A”. Vendosja e bazamentit në mermer 2 m i lartë, ku do të mbahej statuja monumentale nuk mori në atë kohë miratimin e Institutit të Monumenteve.

“IKMT prishi bazamentin, në atë moment për shkak të lejes që nuk ishte marrë. Pra, ishte një zonë arkeologjike e nuk lejohej të gërmohej. Por aty faktikisht nuk ishte gërmuar, sepse bazamenti është bërë mbi pllaka dhe u anulua”, tregon skulptori.

Por ky ishte vetëm problemi i parë. Pas betejës në mbrojtje të trashëgimisë, qëndronin përplasjet politike. Ndërsa me ndërrimin e kryetarëve të bashkisë,  çështja e ‘Skënderbeut’ i kalon Pjerin Ndreut. Heroi në bronz, mbetet peng i një fondi monetar që do të mund të bënte të mundur lëvizjen e tij.

“Vlera është minimale, 70 mijë euro. Nëse është bërë diçka është bërë me lekë personale, sepse u ndërpre çdo gjë, edhe donatorët në momentin që filloi prishja e bazamentit”, shprehet më tej.

Bashkia Lezhë kështu as nuk e merr, e as nuk e miraton dhënien e statujës në rast ofertash që i bëhen artistit.

“Në fakt ishte një rast për në Prizren, edhe nuk ju pëlqeu ideja që ta çoja diku. Nuk më thanë as po as jo! Pavarësisht se edhe dëshira ime është që statuja të shkojë për në destinacionin për ku u krijua, ende nuk ka asnjë zgjidhje”, rrëfen artisti.

Në “ikje” Skënderbeun e lëmë sërish në fonderi, kush e di nëse institucioneve vendase këto kohë do t’u duhet një hero...

“Është një figurë historike, emblema jonë kombëtare, ndaj pse të ketë kaq pengesa”, thotë ai.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?