Edi Paloka, Sali Berisha, Oert Bylykbashi

Opinion

Besi Bekteshi: Besnikët, tradhëtarët, fanatikët dhe gjynahqarët, në fundin e periudhës Berisha

16 Shtator, 19:10| Përditesimi: 16 Shtator, 19:18

  • Share

Partia Demokratike, në fundin e periudhës ( po konsideroj 40 vjetorin e saj si një limit ideologjik kulturor Berishian)  së saj nën udhëheqjen e Sali Berishës, nuk përfaqëson më një organizatë politike moderne, por një komunitet të fragmentuar në katër shtresa sipas meje të qarta: besnikët, tradhëtarët, fanatikët dhe gjynahqarët. Ky konfigurim nuk është vetëm një ndarje sociologjike e një partie, por një shenjë e sëmundjes së thellë politike që ka kapur një prej forcave më të mëdha të tranzicionit shqiptar.

Kur them "Besnikët"!?

Besnikët janë ata që vazhdojnë t’i rrinë pranë Berishës, duke e konsideruar ende si “udhëheqës të përjetshëm”. Ata nuk janë thjesht individë të përkushtuar, por shpeshherë përfitues direkt të pushtetit të mbetur: poste, influencë, kontrata dhe mbrojtje. Në një demokraci normale, besnikëria ndaj një lideri është çështje bindjeje dhe respekti politik. Por në rastin shqiptar, besnikëria shpërblehet me përfitime materiale dhe privilegje, duke u shndërruar në një marrëdhënie klienteliste, që asgjëson çdo formë të meritokracisë.

Kur them "Tradhëtarët"!?

Në anën tjetër, tradhëtarët janë ata demokratë që e kanë refuzuar vijën e Berishës, por nuk janë bashkuar me kundërshtarin politik – Partinë Socialiste. Megjithatë, vetëm fakti që kanë refuzuar t’i shërbejnë liderit, i ka kthyer në “armikë të brendshëm”. Kjo është tipike për partitë autoritare: kush nuk është me liderin, konsiderohet automatikisht armik, edhe pse është pjesë e së njëjtës ideologji. Në këtë mënyrë, PD-ja e Berishës ka eliminuar çdo hapësirë për debat dhe kritikë, duke ngushtuar vetveten në një kult personaliteti.

Kur them "Fanatikët"!?

Fanatikët janë shtresa më e zhurmshme, më agresive dhe njëkohësisht më e rrezikshme. Ata janë sejmenët e liderit, të lidhur me bizneset dhe fondet shpesh ilegale që ushqejnë partinë. Nëse besnikët shfaqen më të moderuar, fanatikët janë gjithmonë gati të zbatojnë urdhrat më radikalë: protesta të dhunshme, përplasje me kundërshtarët, retorikë agresive dhe shantazh politik. Ata nuk përfaqësojnë një bindje demokratike, por një “milici partiake”, që e sheh pushtetin si mjet fitimi dhe Berishën si garant të privilegjeve.

Kur them "Gjynahqarët"!?

Kategoria më e trishtueshme janë gjynahqarët – ata që përfaqësojnë shtresën e varfër, shpesh të paarsimuar, që e shohin Berishën si “mesia” e tyre politik. Për ta, PD-ja nuk është një projekt modernizues, por një shpresë ekzistenciale, një formë feje politike ku Berisha është një metër nën Zotin. Në të vërtetë, ata janë viktima të një tranzicioni të dështuar, ku besimi politik është kthyer në një iluzion shpëtimi. A mund të ketë shpresë shoqëria shqiptare në një organizim të tillë? Vështirë. Një parti e ndarë në shtresa klienteliste, pa ide dhe pa hapësirë kritike, nuk mund të prodhojë shpresë. Ajo mund të mbijetojë si grup interesi, por jo si motor i demokracisë. 

A mund të flitet për demokraci të brendshme dhe respekt të statutit? Jo. Demokracia e brendshme ka rënë që në momentin kur kryetari nuk e njohu humbjen dhe nuk dha dorëheqje. Kjo është shenja më e qartë e një partie autoritare, ku lideri është mbi statut, mbi rregull dhe mbi çdo formë rotacioni. A ia vlen të kërkohet reformim i PD-së nga jashtë? Pothuajse jo. Një trup politik që nuk njeh as reflektim, as debat, dhe jeton në iluzionin e vetëperfeksionit, nuk ka kapacitet për reforma të brendshme. Për më tepër, retorika e jashtme bie në boshllëk, sepse baza nuk pranon të dëgjojë. Përderisa PD-ja e Berishës është shndërruar në një komunitet besnikësh, fanatikësh e gjynahqarësh, çdo përpjekje për reformim është si thirrje në shkretëtirë. Një subjekti të tillë të "vetkënaqur" është tashmë gabim ti kërkosh reformim.

Ka krahasime me Europën Lindore që i ngjanë dhe humbën, kurse PD e Berishës po shkon në 40 vjetorin e jetës së saj të post komunizmit me Berishën liderin 81 vjeçar të saj. Ky fenomen nuk është i izoluar vetëm në Shqipëri. Edhe në vendet e tjera të Europës Lindore, partitë postkomuniste apo ato të tranzicionit u kapën peng nga liderët e tyre: Partia e Meciarit në Sllovaki (HZDS), dikur forcë dominuese, u kthye në një strukturë klienteliste rreth liderit dhe u shkrinë sapo humbën pushtetin, sepse nuk kishin ide dhe as strukturë përtej tij. Partia e Ilieskut në Rumani (FSN) u fragmentua disa herë, sepse lidershipi e mbante peng çdo debat të brendshëm; për pasojë, vetëm degëzimet që u shkëputën prej saj arritën të mbijetonin.

Partia e Ëałęsa-s në Poloni (BBËR), që nisi si shpresë demokratike, humbi totalisht rëndësinë sepse u lidh vetëm me figurën e liderit dhe nuk u institucionalizua.
Edhe në Bullgari, Lëvizja Kombëtare Simeon II u tret sapo figura e mbretit humbi fuqinë e karizmës.
Pra, modeli është i njëjtë: partitë që mbeten peng i një lideri shuhen ose zvogëlohen në sekte politike, pa aftësi për të ofruar alternativë. Vetëm ato që u shkëputën nga kulti i individit dhe ndërtuan institucione të brendshme (si disa parti të reja në Poloni apo Republika Çeke) arritën të mbijetojnë dhe të modernizohen. Sot PD ndjehet alternativë gjithmonë e opozitës. Ajo është thjesht alternativa për të qenë opozita në Shqipëri që prej 2013!

Shembulli i Kosovës

Edhe në Kosovë kemi një paralelizëm interesant. Vetëvendosje, në mandatin e kaluar, arriti kulmin e fuqisë politike, duke krijuar shpresë për një ndryshim të thellë dhe duke mobilizuar një elektorat të gjerë. Por ndoqi politikë nacional socialiste të programuar "ëmbël" si sovranist populiste. Mirëpo, sot ajo ka hyrë në një fazë vështirësie, ku përballja me realitetin e shtet-formimit është shumë më e ashpër sesa retorika opozitare. Kjo tregon se asnjë parti nuk mbijeton vetëm me karizmën e liderit; ajo duhet të ndërtojë institucione, kulturë të brendshme debati dhe kapacitet për kompromis politik. Pa këto, rreziku është të përsëritet modeli i partive që konsumohen shpejt nga kulti i individit dhe më pas bien në krizë. Pra si konkluzion - në fundin e periudhës Berisha, Partia Demokratike nuk është më ( prej kohësh nuk është)  parti demokratike. Ajo është një sekt politik, i bazuar mbi besnikëri, interes, fanatizëm dhe iluzion. Në këtë gjendje, ajo nuk mund të prodhojë as opozitë reale, as alternativë qeverisëse. Shpresa për shoqërinë shqiptare nuk qëndron më në reformimin e brendshëm të PD-së, por në daljen përtej saj – në krijimin e një politike të re, të çliruar nga kulti i individit dhe nga trashëgimia e tranzicionit.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?