Në një moment kur politika shqiptare po përgatitet për zgjedhje të parakohshme lokale, Tirana është qendra e vëmendjes dhe prova më e madhe për forcën e Partisë Demokratike. Por realiteti është se PD-ja nuk ka as një strategji të qartë, as një figurë me frymëzim fitoreje përballë makinerisë gjigande elektorale përreth Ogerta Manastirlliut. Shumë më tepër sesa një apel për një garë të ndershme, në PD ekziston një klimë ngopjeje me idenë e largimit të Veliajt, por jo me përgatitjen për të ofruar një alternativë të fortë. Kur socialistët të mërzitur nga "ceitnoti" prej muajsh, kanë hapur velat me urdhër nga Rama, sepse kanë erën në favor.
Në këtë skenar, emri i Jorida Tabakut përmendet shpesh, por vetëm si një mundësi që ekziston në letër, jo si një vendim i prekshëm. Përballë një gare të ashpër dhe të shënuar nga përballje politike dhe personale, ajo duket e rezervuar për të marrë një hap kaq të madh, duke rrezikuar mandatin e saj si deputete për një kohë të shkurtër. Po dhe mbas një gare brenda PD pak muaj përpara. Në anën tjetër, Ilir Alimehmeti ka deklaruar qartë se nuk është i gatshëm të marrë përsipër një projekt dy-vjeçar, por vetëm një projekt katër-vjeçar, duke i hequr kështu nga tryeza PD dhe Berishës, mundësinë e një kandidature të menjëhershme.
Kjo situatë tregon diçka më shumë se mungesën e një kandidati të fortë; ajo reflekton mungesën e vullnetit për të sakrifikuar pozicione politike komode por dhe alternativë më të sigurtë për një betejë që duket e humbur në nisje. Nuk ka as kaq shumë entuziazëm politik në PD. Edhe Berisha e njeh këtë realitet, duke përdorur fraza paraelektorale si “i kemi shumë herë më të mirë”, por në fakt ky është një eufemizëm tipik berishian, që fsheh mungesën e një alternative reale.
Në fund, Partia Demokratike mbetet pa një kandidat me potencial të krahasueshëm me Manastirliun dhe pa një platformë bindëse për të frymëzuar votuesit. Në vend që të përgatitet për garë, duket se në PD ka pranuar paraprakisht humbjen në Tiranë. Çfarë mbetet? Vetëm një pyetje që lë hapësirë për reflektim: kush është ai (ose ajo) që është i gatshëm të digjet për PD-në në këto zgjedhje, të marrë mbi supe një betejë që sot duket pothuajse e pamundur për t’u fituar? Nga preçedenti pak muaj përpara dhe nga diferenca në fuqitë elektorale që ka me PS.
Por problemi më thelbësor nuk është vetëm mungesa e kandidatit. PD dhe Berisha janë kapur në një dinamikë ku ideologjia dhe politizimi shndërrohen në një opozitarizëm të skajshëm thjesht demaskues, i cili shpesh shërben më shumë për luftë ekranesh dhe foltoresh, sesa për ndërtim strategjie reale. Konstruktivitet elektoral. Grindjet e brendshme dhe akuza të njëpasnjëshme si fokus politik dhe harxhim kohe propogande ndaj kundërshtarëve shpesh shfaqen pa konkretizim dhe pa prova, duke lënë pas një mungesë planifikimi elektoral të qëllimshëm dhe të fortë.
Partia Demokratike, në imitimin e Berishës, është më shumë një tribunë akuzash dhe shfajësimesh, se sa një forcë që kontrollon dhe analizon situatën e saj në terren. Nuk ka një vlerësim të qartë se ku ndodhet elektorati, se çfarë po ndodh në Tiranën politike dhe se si mund të ndërtohet një strategji fituese. Përkundrazi, energjitë shpenzohen në akuzime ndaj ashtuquajturve “patronazhistë”, duke harruar se zgjedhjet i fitojnë jo me sharje, por me strategji, plan dhe një vizion bindës për qytetin dhe për njerëzit. Ndërkohë ata që quajnë oatronazhistë po riskanojnë terrenin.
Në këtë prizëm, pyetja bëhet edhe më e rëndë: kush do të marrë mbi supe barrën e kësaj humbjeje të parapërgatitur? Kush do të pranojë të digjet, jo vetëm për të ( mos) fituar një betejë politike, por për të ( mos) shpëtuar vetë PD-në nga një rrezik sistematik të mungesës së strategjisë dhe vizionit?/Marrë nga profili i autorit në Facebook
Komente
