Besimtarët bektashinj kremtojnë ditën e Ashures! Kryegjyshi: Të jetojmë në paqe! Besimtari: Agjeroj që kur isha i vogël

9 Gusht 2022, 17:21| Përditesimi: 9 Gusht 2022, 17:46

  • Share

Qamil Muça, është 69 vjeç dhe thotë se që kur kuptoi se i përket besimit Bektashian, ka festuar Ditën e Ashures, si dhe ka mbajtur agjerim dhjetë ditë para  festës. Emocionet i shfaqen në sy, teksa kujton martirizimin e Imam Husejnit, i cili u vra së bashku me një numër të madh besimtarësh të tjerë në shkretëtirën e Qerbelasë, 1400 vite më parë.

“Festa e Ashures bëhet pas 10 ditëve të zisë për Imam Hysenin që ra dëshmor në Fushën e Qerbelasë. Është shumë prekëse për atë që e ndjen. Hashurja bëhet me grur dhe 12 lloje barnash, apo bereqeteshe. Unë e festoj që kur kam ra në mend të miat. Kur fillon hëna Muharrem mbajmë 10 ditshin e zisë. Duket i vështirë por ne na lehtëzon zoti. Nuk pimë ujë për 10 ditë. Përvecc ndonjë lëngu. Nuk hamë as bylmetra, as mishëra. Vetëm barishte. Kujtime dhe mbresa kam shumë, por unë mbaj mend kur kam qen fëmijë i vogël babai na ngarkonte në gomar dhe na cconte në Teqe për të festuar ditën e Ashure”.

Dita e Ashures konsiderohet si një nga festat më të rëndësishme të kalendarit fetar të bektashinjve. gjatë ceremonisë për kremtimin e kësaj feste kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, bëri thirrje për më shumë mirësi, paqe dhe dashuri mes njerëzve. Ai bëri apel besimtarëve që në këto kohëra të vështira, të bëjnë më shumë vepra të mira.

“I lutemi zotit që të kemi sa më shumë paqe, dashuri, mirësi. Dhe kjo ëmbëlsirë, i ëmbëlsoftë të gjithë njerëzit dhe ju dhëntë energji pozitive për të përballuar vështirësitë e kësaj bote”, uroi Baba Mondi.

Nuk munguan edhe në Ditën e Ashures urimet e politikanëve, ku  Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, u vizitua nga Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe Kryetari i Partisë së Lirë, Ilir Meta.

“Dua të ju uroj besimtarëve gëzuar festën e ashures që na kujton sakrificën e 72 martirëve dhe na tregon që njerëzit për gjërat që besojnë dhe që janë të vlefshme, sakrifikojnë”, tha Veliaj.

“Është një ditë që i fton të gjithë, për të respektuar dallimet nëpërmjet njëri-tjetrit”, tha Meta.

‘Dita e Ashures’ e ka origjinën nga fjala arabe "ashr", që do të thotë dhjetë dhe përkon me ditën e dhjetë të muajit Muharrem, një ditë ku bëhet ëmbëlsira e ashures, simbol i bereqetit, shpërndarjes, unitetit. Sipas besimit islam, në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me jetën e profetëve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?