Besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët, mbahet mesha e shenjtë e ngjalljes së Jezu Krishtit

15 Prill 2023, 22:42| Përditesimi: 15 Prill 2023, 23:27

  • Share

TIRANË- Besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë kremtojnë Pashkët më 16 prill. Kremtimi nis që sonte me meshën e shenjtë të ngjalljes së Jezu Krishtit që mbahet në çdo kishë ortodokse në vend. Në Tiranë, mesha do të kremtohet në Katedralen Ngjalla e Krishtit, nën drejtimin e Kryeposhkepit Anastas. Ceremonia do të vijojë deri pas mesnatës.

Një ditë më parë, në mesazhin e tij të urimit për Pashkët Ortodokse, Kryepeshkopi Anastas Janullatos dha mesazhin se gëzimi që përçon festa e ringjalljes të ndriçojë jetët tona, duke na çliruar nga hidhërimi dhe mjegulla. Kryepeshkopi Anastas vuri theksin edhe te lufta në Ukrainë por edhe fatkeqësitë te fqinjtë tanë, tërmeti në Turqi dhe fatkeqësia e përplasjes së trenave në Greqi, për të cilat tha se ka shkaktuar dhimbje e hidhërim.

Pashkët simbolizojnë ngjalljen e Jezu Krishtit tre ditë pas kryqëzimit dhe janë festa kryesore e besimit të krishterë. Flaka e shenjtë është simboli i fitores mbi vdekjen dhe besimtarët i mbajnë të ndezur qirinjtë gjatë gjithë natës së Pashkës. Pas meshës besimtarët kryejnë edhe ceremoninë e thyerjes së vezët së pashkëve.

Simbolet e Pashkës Ortodokse

Kryqi - Është simbol i kryqëzimit, i kundërt me atë të Ringjalljes. Në Këshillin e Nikesë, Konstandini dekretoi që kryqi do të ishte simboli zyrtar kristian dhe ortodoks.

Qengji - Një prej simboleve më të zakonshëm, sidomos i përdorur gjatë Pashkëve Ortodokse, është qengji. Origjina e përdorimit të tij është e lidhur drejtpërdrejtë me çlirimin e hebrenjve. Në kohët e lashta, hebrejtë flijonin një qengj gjatë festave. Ata e lidhin festën e gëzueshme të Pashkës me çlirimin e hebrejve nga skllavëria në Egjipt, me shpëtimin nga vdekja, e përfaqësuar me Ringjalljen. Popullariteti i qengjit, si ushqim kryesor i Pashkës Katolike dhe Ortodokse, është i lidhur me rëndësinë e tij si simbol. 

Qirinjtë e Pashkës - Ndezja e qirinjve të Pashkës Ortodokse është traditë e njohur nga kisha katolike-romane, ortodokse dhe anglikane. I vendosur në një cep pranë altarit, qiriri ndizet të shtunën në mbrëmje, gjatë festimeve në vigjilje të Pashkës dhe nga flaka e tij ndizen të gjithë qirinjtë e tjerë të kishës. Rituali i kremtimit të zjarrit e ka zanafillën në shek.IV. Qiriri i Pashkës simbolizon Krishtin ndërsa flaka, Ringjalljen e tij si “drita e botës”. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?