Administrata e Donald Trump ka fituar apelimin e parë kundër ngrirjes së tarifave doganore të vendosura nga dy gjykata amerikane, njëra prej të cilave ajo e Tregtisë Ndërkombëtare.
Një gjykatë federale e Apelit rrëzoi urdhrin e parë mbi politikën tregtare të Shtëpisë së Bardhë, të dhënë nga Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare në New York, ndalesë që shkaktoi reagimin e ashpër të administratës, duke e cilësuar si një grusht shteti nga gjyqtarët.
Gjykata e Apelit rivendosi përkohësisht tarifat doganore, një ditë pasi gjykata tregtare amerikane deklaroi se Trump kishte tejkaluar autoritetin e tij në vendosjen e detyrimeve dhe urdhëroi bllokimin e menjëhershëm të tyre. Paneli prej tre gjyqtarësh i gjykatës tregtare vendosi të mërkurën se Kushtetuta i jepte Kongresit, jo presidentit, fuqinë për të vendosur taksa dhe tarifa, dhe se presidenti kishte tejkaluar autoritetin e tij duke thirrur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës, një ligj që synonte të adresonte kërcënimet gjatë emergjencave kombëtare.
"Vendimet dhe urdhrat e përhershëm të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Tregtisë në këto raste janë pezulluar përkohësisht deri në njoftim të mëtejshëm, ndërsa kjo gjykatë shqyrton dokumentet e mocionit", thuhet në urdhrin e gjykatës së Apelit.
Administrata e Trump kishte kërcënuar se do të apelonte në Gjykatën Supreme nëse ajo e Apelit nuk e pranonte kërkesën e saj për të bllokuar vendimin për tarifat.
Pas vendimit të gjykatës së Tregtisë, një tjetër gjykatë vendosi bllokimin e shumicës së tarifave të Trump, duke thënë se presidenti amerikan nuk mund të pretendojë autoritet të njëanshëm për t’i imponuar ato duke shpallur gjendje emergjente që lidhen me deficitet tregtare dhe trafikimin e fentanilit, opioidit që shkakton dhjetëra mijëra vdekje çdo vit vetëm në Shtetet e Bashkuara.
Vetë presidenti amerikan reagoi ashpër për vendimin e së mërkurës nga gjykata e tregtisë, duke e cilësuar si politik dhe të tmerrshëm. Ai shkruante se shpresonte që Gjykata Supreme e SHBA-së "do ta përmbyste këtë vendim të tmerrshëm dhe kërcënues për vendin" të gjykatës tregtare, duke e cilësuar si antiamerikane.
“Vendimi i tmerrshëm thotë se duhet të kisha marrë miratimin e Kongresit për tarifat”, sulmoi Trump përmes Truth Social, duke shtuar se nëse vendimi i gjykatës së tregtisë do të ishte mbështetur, do të ndikonte në presidencë.
"Me fjalë të tjera, qindra politikanë do të duhej të mblidheshin në Uashington për javë të tëra, ose edhe muaj, duke u përpjekur të arrinin në një përfundim se sa duhet t'u faturojnë vendeve të tjera që na trajtojnë padrejtësisht. Nëse ky vendim do të ishte mbështetur, do ta kishte shkatërruar plotësisht pushtetin presidencial: presidenca nuk do të kishte qenë kurrë më e njëjta! Me këtë vendim, vendi ynë do të kishte humbur triliona dollarë, para që do ta bënin Amerikën përsëri të madhe. Presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet të ketë të drejtën të mbrojë Amerikën nga ata që po shkaktojnë dëme ekonomike dhe financiare", tha Trump.
Komente
