Kukës

Politikë

Beteja për Kukësin dhe synimi i Tom Doshit! A do të ketë këtë herë përmbysje?

16 Prill, 20:26| Përditesimi: 16 Prill, 20:31

  • Share

Kukësi është qarku më i vogël në Shqipëri, me rezultat që përgjatë të gjitha zgjedhjeve ka favorizuar Partinë Demokratike. Por pozicionimi i shumë makinerive elektorale në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor atje si dhe fakti që socialistët kontrollojnë që nga viti 2019 dy nga tre bashkitë e qarkut lë të hapur mundësinë për surpriza.

Votuesit në Qarkun e Kukësit pritet të zgjedhin tre deputetë më 11 maj, ku rezultati që merret me mend lehtë është 2 mandate për Partinë Demokratike dhe koalicionin e saj Shqipëria Madhështore dhe një mandat për Partinë Socialiste. Ky në fakt ka qenë rezultati historik.

Vetëm se kësaj here, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ka shpallur një synim të pazakontë, që “t’i marrë Berishës një mandat” në këtë qark, ndërsa rezultati i zgjedhjeve për pushtetin vendor 2023, në të cilat, PSD fitoi 5 këshilltarë dhe mbi 2 mijë vota, sugjerojnë se pretendimi vijon të mbetet një objektiv i largët. Një prej ish-deputetëve të PD-së i është bashkuar ndërkohë “partisë” së politikanëve që ndryshojnë krah.

Edhe Partia Socialiste ka shpallur kësaj here objektivin për ta përmbysur rezultatin e qarkut në 2 me 1 për PS-në.

Në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2013, kur në Kukës zgjidheshin katër deputetë, rezultati ishte i fiksuar 1 për Partinë Socialiste dhe aleatët e saj dhe 3 për opozitën. Kjo nuk ndryshoi as në zgjedhjet e vitit 2013, kur Lëvizja Socialiste për Integrim garoi në koalicion me Partinë Socialiste.

Që nga zgjedhjet e vitit 2017, në Kukës zgjidhen tre deputetë dhe në të dyja rastet, një për PS-në dhe 2 për PD-në dhe kjo e bën garën edhe më të vështirë për të ndryshuar.

Në vitin 2013, rezultati i zgjedhjeve ishte 60% me 40% në favor të PD-së ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017, rezultati u ngushta në 47 me 44% ndërsa 7% të votave shkuan për LSI. Në zgjedhjet e vitit 2021, LSI duket se u tërhoq nga qarku duke mobilizuar vetëm 64 vota, rrjedhimisht duke lënë Partinë Demokratike të mposhtë socialistët me rezultatin 62 me 36, një nga rezultatet më të thella në një dekadë.

Rezultatet e zgjedhjeve vendore nuk janë ngushtësisht të krahasueshme me rezultatet për zgjedhje parlamentare por zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Kukës japin sinjale se çfarë mund të ndodhë në zgjedhjet e 11 majit në kuptim të makinerive elektorale.

Partia Socialiste fitoi garat në bashkitë Kukës e Tropojë ndërsa koalicioni Bashkë Fitojmë, që në atë kohë përfaqësonte shumicën e Partisë Demokratike por jozyrtarisht për shkak të konfliktit gjyqësor për vulën, fitoi bashkinë e Hasit. Socialistët rifituan Kukësin në zgjedhje të parakohshme në shtator 2023 pasi kryebashkiaku i mëparshëm Safet Gjici humbi mandatin pas një skandali seksual në zyrë, dhe u dënua më vonë për korrupsion.

Në zgjedhjet e pushtetit vendor, të treja bashkitë e marra sëbashku, kandidatët e PS fituan 20 mijë vota, ndërsa kandidatët e Bashkë Fitojmë morën 19 mijë vota. Rreth 2 mijë vota të tjera shkuan për një politikan vendor të quajtur Abedin Oruçi, i cili garoi në Bashkinë Kukës. Por janë rezultatet e zgjedhjeve për këshillin bashkiak të Kukësit dhe Tropojës dhe numri i pazakontë i lartë i partive garuese që fituan mandate që sugjeron se makineri të shumta elektorale kanë funksionuar në ato zgjedhje. Për Bashkinë Kukës, konkurruan 29 parti për 31 ndenjëset e këshillit bashkiak nga ku 18 parti morën së paku një mandat.

Prania e madhe e partive të vogla garuese në zgjedhje të tilla për këshilla sugjeron ekzistencën e politikanëve lokalë të cilët, ndërsa mobilizojnë votat për një nga kandidatët për kryetarë të partive të mëdha, mbledhin vota për këshill për parti të vogla të cilat nuk kanë prani reale në bashki të tilla por përdoren nga politikanët vendorë thjeshtë për efekt të kontabilizimit të votave.

Profili demografik e social

Qarku i Kukësit shtrihet në një zonë kodrinore dhe malore në pjesën veri-lindore të Shqipërisë. Sipas censit të vitit 2023, qarku numëron 62 mijë banorë dhe ka një densitet popullsie prej 26 banorësh për kilometër katrorë.

Popullsia në këtë qark ka rënë në mënyrë drastike, nga 111 mijë në vitin 2001, në 85 mijë në vitin 2011 dhe 62 mijë në vitin 2023. Si popullsia rurale ashtu edhe ajo urbane kanë pësuar tkurrje mes dy censuseve, por popullsia rurale është tkurrur më shumë. Në vitin 2023, afro 40% e popullsisë së qarkut jetonte në tre qytetet, Kukës, Krumë dhe Bajram Curri, ndërsa 60% jetonte në zonat rurale.

Të dhënat e detajuara të censit sipas grupmoshave sugjerojnë se në qark banonin në vitin 2023 rreth 46 mijë maxhorenë, pra shtetas me të drejtë vote. Krahasuar kjo me 41 mijë vetët që votuan në zgjedhjet e atij viti për pushtetin vendor, të cilat u zhvilluan vetëm pak muaj para censit, pjesëmarrja reale në votime rezulton afërsisht 89%. Rreth 3900 votues nga emigrimi janë regjistruar për te hedhur votën në distancë këtë qark në zgjedhjet e 11 majit.

Kandidatët

Partia Socialiste garon në listën e mbyllur të Kukësit deputetin Eduart Shalsi, i lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, i angazhuar në politikë që nga viti 2004 si nënkryetar i Bashkisë Tiranë gjatë kohës kur ajo drejtohej nga Edi Rama, dhe më pas, si deputet që nga viti 2009. Ai ka garuar në Tiranë pastaj në Berat dhe pastaj në Korçë, ndërsa tani pritet të përfaqësojë banorët e Kukësit.

Partia Socialiste duket se ka varur shpresat që të përmbysë rezultatin në Kukës falë Alban Zenelit, i cili ka qenë më herët deputet i Partisë Demokratike. Edhe Zeneli deklaron adresë banimi Tiranën. Dy kandidatët e tjerë janë Ali Hallaçi, një këshilltar i Ministrit të Jashtëm dhe ish-diplomat në Kajro dhe Aristogena Poga, drejtore në shërbimin shëndetësor në Has.

Mes opozitës, biznesmeni Flamur Hoxha, deputet aktual garon në listën e sigurt për koalicionin Shqipëria Madhështore. Banesa e tij e zakonshme është në Tiranë. Isuf Çelaj, deputet aktual dhe ish-drejtor kërkon nga listat e hapura një mandat të ri, krahas Elvira Pekës, banuese në Has, ekonomiste në një kompani private dhe Shkëlqim Shehut, banor i Kukësit i cili ka punuar në Bashkinë Kukës deri në vitin 2019./BIRN

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?