Beteja për Shkodrën me 6 parti në garë për mandate/ Socialistët me listë totalisht të rinovuar, demokratët në garë edhe me Topallin...ka edhe një përballje kunetërish

9 Mars 2021, 12:02| Përditesimi: 9 Mars 2021, 12:58

  • Share

Mesnata e 8 marsit solli për Shkodrën ashtu edhe si për të gjithë Shqipërinë listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 Prillit. Dy partitë e mëdha, PS dhe PD, nxorën në limitet e fundit emrat për të cilët do të votojnë zgjedhësit, një skemë e cila prej vitesh në çdo zgjedhje ndiqet nga dy forcat tradicionale.

Por listat për Shkodrën sollën jo pak surpriza! Për Partinë Socialiste ka një listë thuajse totalisht të rinovuar me largime të deputetëve aktualë. Largohen nga kandidimi, Ditmir Bushati, Senida Mesi, Luan Harusha, ndërkohë që nga deputetët e 4 viteve të kaluara mbetet vetëm deputeti  i cili ka përfaqësuar Malësinë e Madhe, Paulin Sterkaj.

Emra totalisht të rinj, duke nisur që nga numri 1, Edona Bilali, një vajzë e re pa eksperiencë politike, por me eksperiencë me projektet e donatorëve të huaj, ndërkohë që i pritshëm ishte kandidimi i Benet Becit, drejtuesit të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Ilir Beqaj, edhe pse i vendosur në limite të listës, është emri më i njohur brenda radhëve të socialistëve, I cili prej disa muajsh ka marrë drejtimin e socialistëve të Shkodrës.

Ndërkohë surpriza Frrok Gjini, i cili pritet të mbulojë zonat e Vaut të Dejës dhe Pukës, i cili përveç surprizës në kandidim sjell edhe një përballje brenda familjes, me numrin 8 të listës së Demokratëve Nard Ndoka, pasi janë kunetër mes njeri tjetrit.

Për Demokratët, Basha duket se nuk përsëriti gabimin e 4 viteve më parë ku la zona pa përfaqqësim në listën e sigurt. Pas rikonfirmimit të Helidon Bushatit si numri 1 në listën e PD, emri i dytë në listë i takon një zonje. Emilia Koliqi, numri 2 i Bashkisë së Shkodrës, e cila duket se do të jetë balanca më e mirë edhe për raportet fetare. Emilia Koliqi është mbesa e Kardinalit të parë shqiptar, Mikel Koliqi.

Dy ish nën kryetarë të bashkive, Ramadan Likaj në Malësinë e Madhe, dhe Zef Hila në Vau Dejës, janë numrat 3 dhe 5 në listën e kandidatëve të PD, duke mbuluar këto dy zona që kosiderohen si hambar votash për demokratët.

Por lëvizja taktike e Bashës, duket se është emri 7 në listën e PD. Bardh Spahia, apo motorri I votave të demokratëve. Ai është lënë qëllimisht ne Kryetari i PD Basha në listë për të maksimalizuar votat. Numrat gjithnjë e në rritje të votave që nga zgjedhjet e 2009-ës, 2013-ës, 2017-ës, duket se kanë qenë garancitë e Bashës, për të lënë Spahinë në limitin e vendeve që PD pretendon për të fituar në Qarkun e Shkodrës.

Emra jo më pak të rëndësishëm, janë edhe Greta Bardeli, ish kryetare e Qarkut të Shkodrës e cila do të jetë numri 4 në listë, ndërkohë që Puka i besohet biznesmenit Ludovik Hasanaj.

Nga radhët e koalicinit, Nard Ndokës i është lënë vendi i 8-të, por me një garanci që dy prej emrave të listës do të lënë karriket e deputetit për në zgjedhjet lokale por deri atëherë ka rrugë për të bërë.

Lista e PD solli edhe një tjetër surprizë, Fatlum Nurja ish n/Kryetar i Bashkisë Shkodër dhe ish anëtar i këshillit Bashkiak , u përfshi si i 16-ti në listën e PD edhe pse në një reagim në rrjetet sociale Nurja hodhi poshtë të ishte pyetur apo aq me keq të ketë firmosur një propozim të tillë.

Beteja e Shkodrës, me 11 mandate deputetësh, pritet të jetë një nga përballjet më interesante. LSI kërkon 1 mandat të sigurt deputeti, Tom Doshi me PSD kërkon të shtojë numrin e mandateve nga 1 në 3, ndërkohë që Jozefina Topalli kërkon që qyteti që e mbështeti për vite me radhë ta lartësojë sërish me Lëvizjen për Ndryshim, ndërkohë që nuk ngelet pas nga ambiciet edhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit kërkon një mandate në Shkodër kur në krye të listës së Shkodrës është vendosur Tonin Uldedaj, të cilët njihen në Shkodër për mbështetjen në disa zona të Qarkut.

Tashmë beteja ka nisur, deri ne 25 Prill, kandidatët do të zbresin në terren ndërkohë që verdiktin final do ta japin votuesit shkodranë

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?