Serie A ka konfirmuar zyrtarisht ndryshimin e orarit për ndeshjet e javës së fundit (38), duke e zhvendosur kulmin e sezonit në mbrëmjen e së premtes (23 maj). Napoli dhe Interi, dy skuadrat që luftojnë për titullin kampion do të zbresin njëkohësisht në fushë të premten në orën 20:45, në përballjet vendimtare të këtij edicioni.
Napoli do të presë Cagliarin në stadiumin “Maradona”, ndërsa Interi do të udhëtojë drejt Comos, në një mbrëmje që pritet të vendosë fatin e trofeut më të lakmuar në futbollin italian. Napoletanët kanë një pikë më shumë (79 pikë) dhe kryesojnë renditjen para Interit (78 pikë).
Kjo lëvizje e Serie A vjen për dy arsye kryesore. E para, për t’i dhënë Interit dy ditë shtesë përgatitjeje për finalen e Champions League, që do të luhet më 31 maj në Mynih (kundër PSG-së) dhe e dyta për të lënë të hapur skenarin e një ndeshjeje “finale” për titullin, që mund të zhvillohej më 26 maj, nëse Napoli dhe Interi do ta mbyllnin kampionatin me pikë të barabarta.
Ky skenar i jashtëzakonshëm do të bëhej realitet vetëm nëse Napoli humbet ndaj Cagliarit dhe Interi barazon me Comon. Në këtë rast do të organizohej një ndeshje shtesë për të përcaktuar kampionin, siç e parashikon rregullorja e re e Serie A kur skuadrat ndajnë vendin e parë me pikë të barabarta.
Ndërkohë, të gjitha ndeshjet e tjera të javës së fundit do të zhvillohen të dielën në orën 15:00, duke respektuar traditën e mbylljes së kampionatit në mënyrë të sinkronizuar.
Italia po jeton një fund sezoni dramatik, i vetmi ndër pesë kampionatet elitare europiane që ka mbajtur gjallë garën për titull deri në sekondat e fundit.
Komente
