Betejat e humbura të PD-së në një vit në parlament! Nga presidenti i ri te ‘Territorialja’ e Avokati i Popullit dhe sfida për reformën zgjedhore

29 Dhjetor 2022, 16:11| Përditesimi: 29 Dhjetor 2022, 16:45

  • Share

Lufta e brendshme politike në Partinë Demokratike përgjatë një viti të vështirë për të, e gjeti të paunifikuar edhe në parlament.

Ndarja e grupeve, solli ndarje edhe të votave, për zgjedhjet e rëndësishme që Kuvendi do të bënte përgjatë 2022.

Ajo që PD, asokohe e drejtuar nga Lulzim Basha do të kishte pritshmërinë më të madhe ishte një dakordësi për ngritjen e një komisioni për ndryshimin e hartës territoriale dhe reformën zgjedhore, duke dhënë në këmbim votën për zgjatjen e organeve të Vettingut.

Më 10 shkurt, Kuvendi miratoi me votat e PS dhe PD zyrtare ngritjen e këtyre komisioneve, që u dukën si fitore e demokratëve, por në fakt, rezultoi krejt e kundërta. Deputetët e LSI nuk e votuan e po ashtu as deputetët mbështetës të Berishës duke konfirmuar që edhe për kauzat e opozitës, demokratët do të shfaqeshin të ndarë.

Pas muajsh punë dhe përpjekjesh, propozimet e demokratëve për të ndryshuar hartën administrative-territoriale nga 61 bashki në 95, nuk u pranuan dhe më 31 tetor ato u rrëzuan në Kuvend, duke e kthyer në një betejë të humbur për ta.

Beteja tjetër që PD humbi në Parlament ishte edhe rrëzimi i raportit që nxorri nga Komisioni Hetimor për inceneratorët. Raporti i grupimit Alibeaj mori vetëm 27 vota pro, as maksimumin e deputetëve që e përkrahnin këtë grupim.

Demokratët e Berishës bashkuan votat kundër socialistëve duke votuar kundër raportit, ndërsa shumë tjerë bojkotuan votimin. Gjithsesi, raporti i nxjerrë nga Jorida Tabaku nga dëgjesat në Komision, u përkthye në dosje me prova që kjo e fundit dorëzoi në SPAK, insitucioni që ka në duar çështjen e inceneratorëve.

Fitore personale e Tabakut, por betejë e humbur e opozitës në parlament!

Edhe zgjedhja e Presidentit të Ri, që do të zëvendësonte në krye të shtetit Ilir Metën, e gjeti të përçarë Partinë Demokratike. Berisha fillimisht caktoi 2 nënkryetarët e tij Boçin e Bylykbashin për të dialoguar me opozitën për të cuar një kandidat, si propozim të opozitës.

Por më pas, i bindur se kandidatura që do të mbante edhe firmën e tij, do të refuzohej, Berisha me deputetët që e përkrahin, refuzuan të merrnin pjesë në proces. Nga ana tjetër, Enkelejd Alibeaj propozoi një formulë për zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, opozita duhet të propozonte 4 emra, PS të përzgjidhte mes tyre 2, prej të cilëve vetëm 1 do të shkonte për votim në Kuvend. Ndonëse emra si propozime të PD qarkulluan, mosgjetja dakordësisë fillimisht brenda vetvetes e më pas me PS, bëri që ky propozim i Alibeajt të rrëzohej. Ky i fundit humbi betejën për të zgjedhur presidentin e ri. PS propozoi Bajram Begajn, të cilin e votoi me 78 vota pro. PD bojkotoi votimin, duke humbur atë të cilën shpresonte, të kishte një president të vetin.

Betejat e fundit në Parlament, PD i humbi po në seancën e fundit plenare, kur pas një sage të gjatë për të gjetur brenda vetvetes konsensus për emrin e ri të Avokatit të Popullit, shkoi në dy kandidatura, Ledio Brahon e mbështetur me firma nga grupi parlamentar i PD dhe Altin Goxhajn nga grupi i Berishës, të dyja më të lehta për t’u rrëzuar nga socialistët. As vetë nuk dhanë për kandidaturat që i propozuan po vetë, duke bojkotuar procesin e votimit.

Ky vit në parlament u karakterizua edhe nga disa përplasje deri në fizike mes dy kampeve të demokratëve. 

E vetmja betejë që PD pritet ta ketë në fokus në 2023 pritet të jetë reforma zgjedhore, e cila edhe pse pas thuajse një viti ende nuk ka dhënë frytet e saj. Alibeaj I ka dhënë propozimet e para, por me socialistët gjetja e konsensusit për të rikthyer koalicionet dhe hapur 100% listat, sic artikulon opozita, duket e vështirë…

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?