“Qysh në lindje të statusit kryeqytet Tirana diti me shumë bujari t'i pranojë njerëzit, të krijojë marrëdhënie, t'i ftojë ata për t’u bërë pjesë substanciale e qytetit", thotë ish Presidenti i Republikës Bamir Topi, pinjoll i një dere të vjetër tiranase.
Tirana në 100 vjet kryeqytet ka qenë dhe vazhdon të jetë epiqendër e betejave politike. Ky qytet ka strehuar njerëz atdhetarë me qëllime të larta, por edhe aventurierë politikë. U ka hapur portat njerëzve të shkencës e të kulturës , por edhe shumë të tjerëve që mediokritetin e kanë pasur mënyrë jetese e sjelljeje.
Tirana ka ndeshur qytetarë të mirë dhe zullumqarë, idealistë dhe karrieristë, njerëz me shpirt të ndjeshëm dhe vulgarë, diktatorë e të persekutuar, spiunë dhe viktima të tyre. Duke e krahasuar me fytyrën perëndimore, me të cilën lindi Tirana kryeqytet në vitet ‘20 –‘30, duket se në syrin e ish Presidentit Bamir Topi, kryeqyteti ka pësuar një rrënim trojan, që nisi me ardhjen e pushtetit komunist në vitin 1944.
“Atmosfera karakteristike e paqes dhe harmonisë në qytetin e ngjyrave do të trazohej, sikurse historia me nuancat e mitologjisë, e do të shkruhej: një natë dimri, kur banorët e tij ishin në gjumin e paqtë, një kalë i drunjtë, i ngjashëm me “Kalin e Trojës” ishte futur në qendër të kryeqytetit. Në mos gaboj duhet të ketë qenë nëntori i vitit 1941. Ata kishin zbritur natën si ilegalë dhe kishin hequr maskën më 1944, kur banorët e Tiranës kishin humbur betejën me sinqeritetin e “miqve” të rinj. Kali i Tiranës qëndronte si një trofe e një fitoreje plot djallëzi. Banorët kishin dorëzuar gjithçka tek njerëzit që zbritën nga barku i drunjtë i kalit; shtëpitë, kursimet, historinë, etj, etj”, shkruan në mënyrë retorike ish Presidenti Bamir Topi.
Topi i kthen kujtesës historike të Tiranës familjet e prekura nga reforma e vitit 1946, ku në një nga faqet e librit jep emrat e atyre që ditën për diell u janë grabitur mizorisht edhe rrobat e trupit, kujtimet dhe orenditë antike të familjeve bashkë me sasinë e arit të grabitur, publikuar në gazetën “Bashkimi” të datës 22 mars 1945.
Në kujtimet e Bamir Topit Tirana ka nisur të kërruset nga babëzia e liderëve komunistë të ardhur nga provincat dhe fshatrat e tyre pa asnjë prone.Ata shpronësuan pronarët dhe i pushkatuan, i persekutuan dhe i burgosën dhe vetë jetuan në vilat më të bukura të Tiranës, por betejat e humbura të Tiranës për pronat nuk do të mbaronin këtu.Në librin e tij Bamir Topi ka përfshirë të vërtetat nga këndvështrimi i një presidenti dhe ish deputeti.
“ Në vitin 1990 kur të gjithë prisnin me padurim rikthimin e plaçkës së vjedhur, për pronën, ajo pronë pastaj u rivodh në mënyrën më të sofistikuar. Pikërisht këtu, jam i detyruar të flasë për një gjë që ka ndodhur këtu. Megjithatë dua ta dëshiroj që ta lë këtë pjesë në kuriozitetin e lexuesit. Kam folur me emra dhe mbiemra. Kam folur për të vërtetën. Kjo histori ngjan si historia e një operatori që merr aparatin dhe filmon. Unë them të vërtetat e mia në këtë libër. Gjëja e parë që kam lexuar, kur të thuash të vërtetat përgatitu mirë. Sepse, gënjeshtarët do të përgatiten mirë për të kundërshtuar. Këtë e kam pasur mirë, çdo ditë që kam shkruar.”, thotë Bamir Topi.
Libri i ish presidentit Bamir Topi “Betejat e humbura të Tiranës" shpreh me sinqeritet gjykimin e tij për Ahmet Zogun, Enver Hoxhën, Sali Berishën, Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, ku dhimbjen më të madhe e ka për betejat e humbura të demokracisë. Duke komentuar marrëdhënien e ish presidentit e ish kryeministrit Sali Berisha, që ka marrë përsipër gjithnjë rolin e liderit të Partisë Demokratike, me Lulëzim Bashën, kryetarin e dorëhequr të kësaj partie që po degradon, Topi ndjen dhimbje për zhgënjimin e tiranasve, të cilët u shfrytëzuan për interesa pronësie politike me protestën e tyre kundër regjimit dhe pastaj u lanë mënjanë.
Bamir Topi komenton mes rreshtave se: "Luli, gjithmonë ka qenë besnik pa ekuivok dhe i devotshëm i shefit të tij, dhe e ka kundërshtuar iluzionin e mjaft politikanëve apo analistëve për ndonjë gjest që do ta mërziste Berishën. Madje bindja ime ka qenë dhe mbetet se edhe sikur Berisha t'i japë "lirinë, Luli nuk do të "fluturonte".(...)
"(...)Pa mburojën e shefit, atë do ta "copëtonin" politikisht. Në fakt te Lulzim Basha nuk "frynte" asnjë fllad lirie, apo ndryshimi. Ai e paraqiste situatën të reformuar, por nuk demonstronte substancë, por vetëm sipërfaqe, e duke ëndërruar të bëhej Kryeministër vetëm për shkak të pakënaqësive popullore"(...).
"(...)Lulzim Basha nuk ishte Kryetari real, por thjesht administratori në “pronën politike” të Sali Berishës. Qysh nga formimi i "Frymës së Re Demokratike" në vitin 2012 herë -here jam pyetur për mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike dhe përgjigja ime ka qenë konstante, që sa kohë aty do të jetë Sali Berisha, unë nuk do të jem aty"
Pinjoll i dy familjeve të vjetra tiranase; Topi nga babai - që sipas gojëdhënave janë pasardhës të fisit Topia - dhe Karapici nga e ëma, merr përsipër të rrëfejë historinë qytetit, pasi të dyja familjet janë të vendosura nga rrethinat rurale në Tiranë, në shekullin e XVII-të ( e shtatëmbëdhjetë).
Por kur hedh sytë rrotull dhe sheh kalatë e shumta të Tiranës, kupton se betejat e ruajtjes së qytetërimit të saj, Tirana i ka shumë më të lashta. Arkeologu Neritan Ceka tha se:
“Meqë kemi këtu dhe Kryetarin e Bashkisë, dua t’ju kujtojë se Tirana nuk ka vetëm 100 vjet.”, tha Ceka
Arkeologu u kujtoi të pranishmëve se emri i Tiranës përmendet për herë të parë në një dokument venecian në vitin 1418, dhe bëri apel që të investohet në kërkimet arkeologjike që dëshmojnë rrënjët e lashta të kryeqytetit. Ai tha se libri i Bamir Topit është një histori e përpjekjes për të kthyer Tiranën në një hierarki vlerash përmes betejave të humbura si pikënisje për t'i futur ato si vlera jo vetëm të qytetarëve të Tiranës por të gjithë shqiptarëve të mençur, e dinjitozë kudo që ndodhen.
E kujtojmë të gjithë që Tirana ka pasur një revolucion të gjatë. Libri që të mbush me emocion. Është një histori e përpjekjes për të kthyer Tiranën në një hierarki vlerash, duket se beteja janë të humbura, por brenda ka edhe disa beteja të fituara. Unë mendoj që atje ku përmendet Vace Zela, sportistët që ne i mbajmë mend, kemi vlerat e krijuara nga Ismail Kadare dhe vetë lindja e disidencës, për ata që thonë se Tirana nuk ka pasur, ju them të lexoni librin e Bamir Topit. Fakti është që disidenca gjithmonë ka qenë tek rinia. Diçka nuk mund të na e merrnin dhe ato janë kujtimet…”, tha Ceka.
Tirana në këtë libër shfaqet përmes kujtimeve me historinë e saj, por ish presidenti Bamir Topi Enver Hoxha hyri në Tiranë me synimin për të sunduar duke e zbrazur qendrën e Tiranës nga tiranasit me qëllim që të zhduket dhe kujtesën e saj.
A po merr fund rrënimi i kësaj kujtese?
Topi shkruan emra konkretë dhe ngjarje konkrete të historisë që përcaktuan betejat e humbura të qytetërimit, edhe në periudhën e tranzicionit demokratik.
Ai shkruan për pasojat degraduese që i ka sjellë kryeqytetit kryeministri i parë i qeverisjes së Partisë Demokratike Sali Berisha:
“Sapo ishte futur në Tiranë dhunshëm një kulturë që nuk lidhej me traditën e saj. Kjo kulturë e re urbane futej çdo ditë dhe po bëhej sunduese. Ky kaos i qëllimshëm kishte sjellë probleme të reja që Tirana nuk i kishte njohur. Administrata e re kishte nisur të kthejë teatrot dhe kinematë në salla bixhozi. Rreth e qark stadiumeve ishin ngritur aktivitete që vetëm me sportin nuk kishin lidhje. Kjo mënyrë provinciale në drejtim po shkonte paralelisht me synimet e Saliut për të rritur kompetencat e tij ekzekutive.”, shkruan z. Topi.
Rrënimi i mëtejshëm i historisë së kryeqytetit do të vinte edhe nga ndarja e tokave sipas ligjit 7501, që solli kaosin e ndërtimeve në Tiranë duke zhdukur gjurmët historike të kryeqytetit.
Sindroma e diskriminimit social ndaj banorëve autoktonë, doktrina politike e racizmit në Tiranë, nuk është zhdukur as me ardhjen në pushtet të rendit demokratik.
“Kjo është arsyeja pse pas çdo beteje politike Tirana merr formën që imponon fituesi i radhës dhe interesat e klaneve që mbështesin politikën. Shumë beteja të jetës pas rrëzimit të komunizmit si sistem politik në Shqipëri, bashkëqytetarët e Tiranës i kanë zhvilluar midis tyre, beteja pa kuptim ku i hodhën me djallëzi sundimtarët politikë, të cilët asnjë çast nuk deshën historinë e ndritur të Tiranës, por që i shfrytëzuan për t’i sunduar.” , shkruan z.Topi.
Në librin “Betejat e humbura të Tiranës” ato që nuk humbasin kurrë janë rrugicat e lagjeve karakteristike të kryeqytetit, rinia e dashuruar me dijen, punën dhe artin, Tirana e artistëve, sportistëve dhe shkencëtarëve të shquar, kujtesa e saj më e ndritur, e saj, shkruar dora e një tiranasi të vjetër, ish president Bamir Topi.
O Bamirme mire dhe me shume per popullin nga te gjithe keto qe ke permendur eshte Enver Hoxha,PSE ore me Zogun qe e vodhi Shqiperine dhe me Saliun dhe te gjithe juve e krahasoni Enver Hoxhen qe shkaterruat dhe u pasuruat per dhjete breza,Jo Jo Jo populli nuk ashte Dele populli I din te gjitha ,une te vlersoj personalisht por nuk duhet pare me Syze miopike kazmen shqiperise ja vune Saliu me shoke dhe e bunkierizuat dhe e pushtuat Tiranen ne menyren me te keqe, tani them SE Jeni te kenaqur a I pe para dy ditesh lopet ne mes te Tiranes qe Kane ardhur nga Kuksi e Tropoja dhe po Benin xhiro.
PërgjigjuBRAVO BAMIR,,,,KE SHKRUAR TAMAM PER KRIMET QE KREU KOMUNIZMI ne tirane e shqiperi per 40 vjet ,,,,dhe KRIMET E BERA pas 1990 me ardhjen e shpellareve nga veriu,,,tirana e ka periudhen me te mire ne kohen e zogut,,,,...gjermania dhe italia duhet te mbajne pergjegjesi qe me pushtimin e shqiperise larguan zogun ,,rrezuan monarkine tone parlamentare,,dhe na prune komunistet,,ne pushtet per 45 vjet...////
Përgjigju