Enkelejd Alibeaj, Bajram Begaj dhe Sali Berisha

Betimi i presidentit të ri, ‘Rithemelimi’ i Berishës bojkoton seancën, PD e Alibeajt në sallë: Do të marrim pjesë në respekt të institucionit

23 Korrik 2022, 18:14| Përditesimi: 23 Korrik 2022, 19:46

  • Share

Në ceremoninë për betimin e presidentit të ri Bajram Begaj, nesër në Kuvend, Partia Demokratike do të jetë e përçarë. Burime për gazetaren e Report Tv Danjela Maloku bëjnë me dije se grupi i ‘Alibeaj’ do të marrë pjesë në seancë, ndërsa sipas të njëjtave burime, ‘Rithemelimi’ i Sali Berishës do të bojkotojë ceremoninë e betimit të kreut të ri të shtetit.

Vendimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, për të qenë të pranishëm, sipas burimeve nga PD, është marrë për të respektuar institucionin e presidencës, megjithëse bojkotuan votimin e tij më datë 4 qershor. Sipas Alibeajt, qëndrimi i tyre për Bajram Begajn është i qartë, ai përfaqëson zgjedhjen e njëanshme të mazhorancës, jo gjysmën e shqiptarëve.

'Ne do marrim pjesë në seancën e nesërme në Kuvend. Seanca e nesërme është e parashikuar nga Kushtetuta. Qëndrimin tonë për z. Begaj e kemi mbajtur dhe është i qartë. Ai përfaqëson zgjedhjen e njëanshme të mazhorances dhe nuk  përfaqëson gjysmën e shqiptarëve. Por ka një ndryshim midis individit Bajram Begajt dhe Presidencës së Republikes si institucion. Kemi respektuar e do të respektojmë Kushtetutën dhe institucionet e jo individët. Jemi shumë të qartë në këtë pozicion. Edhe në 2017 kur z.Meta u zgjodh president PD atëhere nuk mori pjesë në votim por mori pjesë në ceremoninë e betimit.'- njofton Alibeaj.

Nesër Bajram Begaj do të marrë detyrën si President i Shqipërisë. Kuvendi do të mblidhet në seancë ditën e nesërme në orën 18:00 dhe do ta drejtohet nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Pas leximit të formulës së betimit, Begaj do të betohet para deputetëve dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse. Ceremonia e dytë e parashikuar në orën 19.30 do të zhvillohet në ambientet e Presidencës, aty ku bëhet dorëzimi i detyrës nga Presidenti aktual, Ilir Meta, tek Presidenti i ri Begaj.

Bajram Begaj, mori besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Në seancën parlamentare të 4 qershorit 2022, Begaj u zgjodh President i ri i Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim (83 deputetë morën pjesë në votim). Grupi i deputetëve të Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës bojkotuan procesin, teksa nga opozita morën pjesë Mesila Doda, Shpëtim Idrizi, Nusret Avdullai nga PDIU, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho nga LSI dhe tre deputetë të PSD, Gertjan Deda, Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi. Bajram Begës i duheshin 71 vota në këtë raund të katër, teksa ai arriti që të merrte 7 vota më shumë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?