Emisioni “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report TV pati në qendër të analizës dhe diskutimeve në panelin e mbrëmjes së sotme (20 Janar) ceremoninë e betimit të presidentit Donald Trump, rikthimin e tij për herë të dytë pas katër vitesh ndërprerjeje, në Shtëpinë e Bardhë, për mandatin 2024-2028, si presidenti i 47-të.
Por çfarë pritet nën presidencën e Trump për Europën dhe Ballkanin, e në veçanti rajonin. Lufta me emigracionin, kartelet e drogës, grupe terroriste, pushtimi i Marsit, lufta tregtare dhe ekonomike me BE-në dhe Kinën, si dhe synimet në Groenlandë dhe deri në Arktika, pa harruar luftën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Të ftuar ishin deputetët Kreshnik Çollaku dhe Etjen Xhafaj, eksperti Ledjon Krisafi dhe gazetarja Esmeralda Mulaj.
Deputeti Etjen Xhafaj ndau mendimin se Trump ka vendosur disa piketa për këtë mandat dhe është i përgatitur.
“Motivi kryesor ka qenë çmimet dhe ekonomia, situata ekonomike. E majta humbi 5 mln vota që ndikuan te fitorja e Trump. Kanali i Panamasë psh. duhet mirëmbajtur sepse kushton miliarda, ndaj u kthye në pikë diskutimit. Edhe çmimet e ndryshuara vijnë për shkak të dy kanaleve nevralgjike nga kalon shumica e tregtisë së botës, Kanali i Panamasë dhe i Suezit. I pari për mirëmbajtjen dhe tjetri për rebelët Houthi. Qëllimi i tij është situata e çmimeve, për uljen e tyre. Pika tjetër është ajo e emigrantëve, që mund të krijojë një problem kompleks me pasojë 10-vjeçare. Sepse duke hequr emigrantët heq konsumin, fuqinë punëtore etj. Mendoj se Trump është i përgatitur, ka një plan. Plani i tij është i frikshëm po ta lexosh. Ai la të kuptohet se tani është njeri tjetër dhe shumë i përgatitur”, thotë deputeti socialist.
Por çfarë mendon ligjvënësi për pozitat e BE-së dhe strategjia e Trump.
"Europa sipas raporteve është një dekadë pas ndaj Kinës për të gjitha fushat, nga energjia dhe deri te teknologjia. BE do gjendet para një sfide të madhe, se duhet reagim në bllok. Mund të bëjë edhe lojë diversifikimi, ku ta mbajë mirë me Italinë psh. në tarifa dhe t’i rrisi me shtetet e tjera. Ridimensionohet ekonomia botërore. Rivendosja e kufijve në Ukrainë mund të sjellë pasoja të tjera, si në detin e Kinës jugore", analizoi ai.
Kurse deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku vuri theksin te raportet ekonomike dhe politike SHBA-BE. Ai shtoi se konfliktet për tarifat mund të kthehen, edhe debati për NATO-n, njëlloj si në mandatin e parë të tij.
“Edhe mandati i parë i Trump nuk ka qenë një mandat në bllok me Europën dhe drejtuesit e BE. Nëse ka deklarata të tilla ndaj Trump prej Europës janë të pritshme. Trump mendon për një Amerikë të madhe e të fortë. Por edhe debatet për NATO-n mund të rikthehen. Ka një lloj rivaliteti, edhe një luftë tregtare është e pritshme, e deklaruar me këtë projeksion. Europa duhet ta ridimensionojë këtë situatë me Amerikën”, tha ai.
Por cila do jetë e ardhmja poltike me Trump?
“Roli i Amerikës në botë është një pikë tjetër, qasja ndaj konflikteve e luftës, që tha se do jetë përbashkuese dhe pajtuese. Kjo ishte shfaqje e demokracisë amerikane. Presidenti amerikan është i fuqishëm, Trump është i fuqishëm, SHBA si shtet është i fuqishëm. Nuk mendoj se ka marrë vetëm njerëz për t’i thënë PO. Pres sjellje hiperaktive me urdhra ekzekutivë dhe veprime të forta. Testi i Trump është Rusia dhe Putin. Dimri mund të jetë edhe më i ftohtë”.
Gazetarja Esmeralda Mulaj mendon se Trump premton, por bën edhe retorikë.
“Ai pa se si merret dhe ndërohet pushteti, me nderime, me respekt, duke nderuar demokracinë amerikane. Ndaj edhe ish-zv.presidenti Pence tha se është një ditë e bukur për të festuar demokracinë amerikane. Sot ishte dita për çdo politikan amerikan për të parë se si funksionon demokracia, duke kujtuar atë që ndodhi më 6 Janar 2020 në Kapitol Hill. Fjalimi i Trump është reflektim i asaj çfarë ndodh nëse bëhesh president, Groenlandën nuk e përmendi, as Kanadanë. Një mesazh që ia dha Kinës, por edhe Gjirin e Meksikës, bëri lojëra fjalësh në këtë pikë, përmendi kartelet e drogës, luftën ndaj tyre. Do presim në vazhdimësi se cilat janë piketat, cili do jetë partneriteti dhe qasja me Europën”, u shpreh Mula.
Kurse për ceremoninë e betimit ajo tha se vendi ndërroi për shkaqe sigurie, duke shtuar se Trump një pjesë të fjalimit e kishte retorikë, por sfida e tij do të jetë presioni ndaj Rusisë.
“Betimi në hollin e hotelit besoj se ka qenë për arsye sigurie. Më bëri përshtypje Bush kur fliste Trump, se i kujtoi veten kur ishte president dhe premtoi shumë gjëra, por më pas tha se ke dëshirë të bësh shumë gjëra, por ka një kufi kur nuk shkon dot më tej. Sot kishte urdhra ekzekutivë për emigrantët dhe grupet terroriste, se të tjerat janë retorikë. Groenlanda mund të jetë edhe si mjet presioni ndaj Rusisë, përveç pasurive”, shprehet ajo.
Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledjon Krisafi, parashikoi luftën e ardhshme atë për Arktikun, e jo vetëm, por edhe atë tregtare dhe vështirësinë për paqen në Ukrainë.
“Revanshi ishte se në atë që tha ishte e kundërta e asaj që kishin bërë kundërshtarët. Tani ai e di që e ka mandatin e tij të fundit, sepse nuk lejohet më shumë, vetëm dy mandate lejohet. Fjalim i përqendruar në gjërat që do bëjë, ceremoni tradicionale me tone fetare të theksuara. Mjafton fjalimi për gjininë, ku tha se ka vetëm dy gjini, tregon për masakrën që është bërë në këto 4 vite. Tani Trump ka zgjedhur vetëm njerëz afër që thonë PO, ndryshe nga mandati i parë. Shumicën e gjërave që Trump thotë janë edhe për shou. Por ka edhe gjëra që janë të realizueshme, pasi edhe njerëzit që ka marrë afër janë ideologjikë”, u shpreh ai.
Ai beson se Trump në lidhje me emigracionin mund të bëjë diçka, por jo shumë, pasi ka edhe vështirësi për të dëbuar 11 milionë emigrantë apo dhe shifra që shkojnë në mbi 20 milionë, pasi është fuqi punëtore dhe konsumator.
“Duket se ka zell fetar për t’i bërë gjërat edhe në praktikë. Por me Trump duhet parë në praktikë”, tha ai.
Por parashikon se e ardhmja do të jetë lufta tregtare mes SHBA dhe vendeve të tjera rivale si BE dhe Kina, madje edhe lufta për Arktikun.
“Arktiku do jetë lufta e ardhshme e Botës, pasi kur shkrihen akujt dalin territoret. Lufta është e ndërlikuar, Trump do kërkojë të vendosë paqen në Ukrainë, ndoshta edhe të marrë çmimin Nobel, por kjo është e vështirë. Nuk është e lehtë që të gjendet paqja në Ukrainë. Do ketë luftë tregtare të fuqishme. Pavarësisht se çfarë bën Trump, Kina do vazhdojë planin e saj politik dhe ekonomik. SHBA-të duhet t’i kthehen idesë së Kisingerit të viteve 70-të, që për të thyer Kinën duhet t’i prishin aleancën me Rusinë. Ukraina nuk e merr më territorin, vetëm nëse NATO çon 400 mijë ushtarë për të luftuar, vetëm kështu e merr territorin. BE i frikësohet më shumë Elon Musk sesa Trumpit”, shtoi Krisafi.
Çfarë do të sjellë zgjedhja e presidentit Donald Trump për Ballkanin dhe veçanërisht për Shqipërinë dhe Kosovën, veçanërisht dialogu me Serbinë.
Paneli i të ftuarve u nda në mendime, por nuk përjashtuan planin e shkëmbimit të kufijve në rastin mes Beogradit dhe Prishtinës, në politikën e re që mund të ndjekë administrata republikanë e Trump. Por ata ranë dakord se presidenti Donald Trump nuk do e ketë shumë në vëmendje Ballkanin, pasi prioritetet e tij janë të tjera, si SHBA-të, Kina, Ukraina dhe Rusia apo Lindja e Mesme.
Deputeti Etjen Xhafaj u shpreh se qëllimi i mundshëm nëse Trump do përfshihet në zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë është edhe marrja e çmimit Nobel.
“Unë mendoj se ka qëllim të marrë çmim Nobel me zgjidhjen në Kosovës. Qeveria Kurti ka luajtur deri në limite me rregullat, duke dashur të bëjë atë që bën Serbia. Mendoj se Trump do synojë drejt zgjidhjes kur të shoh se nuk është zgjidhur ende. Do ketë shtysë më të madhe në negociata. Mungonte dora e fortë për t’i shtyrë palët në zgjidhje. SHBA do e shtyjë situatën përpara”, tha ai.
Kurse në debatin për Sazanin, socialisti iu drejtua kolegut demokrat Kreshnik Çollaku se PD e pati projektin “Shqipëria 1 euro” dhe dështoi gjatë qeverisjes së saj.
“Ju jeni të gabuar për ta diskutuar investimin strategjik sepse ishin në pushtet me “Shqipëria 1 euro” dhe nuk bëtë asgjë. Mos bëj zhurmuesin (i drejtohet Çollakut) se nuk të shkon”.
Gazetarja Mulaj këmbënguli se lajmi u mor vesh nga SHBA dhe se nuk ka projekt të publikuar.
Kurse deputeti Çollaku u shpreh se më mirë që iu dha dhëndrit të Trump Sazani sesa patronazhistëve qeveritarë.
“Për Sazanin mendoj më mirë ta marrë Trump dhe familja e tij sesa patronazhistët e Ramës apo shokët e Ilir Beqajt”, tha ai.
Ndërsa për dialogun Kosovë-Serbi u shpreh se faktor mund të jetë edhe Rusia.
“Një afrim i SHBA me Rusinë çon Ballkanin më pranë Serbisë dhe pranimit të marrëveshjes. Gjërat ndryshuan shumë pas luftës në Ukrainë. Ndoshta edhe një administratë burokratike në Amerikë me Kosovën. Edhe Kris Hill e çuan në Beograd si ambasador, diamantin e diplomacisë së demokratëve në SHBA. Mendohet edhe takimi Trump-Putin në Beograd për t’u mbajtur. Pra afrimi SHBA-Rusi e bën të paneglizhueshme vëmendjen ndaj Beogradit, sepse Rusia e ka Serbin raport të fortë e në vëmendje dhe Rusia do dëgjohet më shumë në vijim. Asociacionin asnjë nuk e do, sepse nuk funksionon. Trump nuk do kapet pas kësaj, ndryshim kufijsh bie si tabu, rreziku do jetë permanent dhe Kosova dhe Bosnja do ndodhen të ekspozuara. Në bisedat që kam pasur më kanë thënë për Kosovën dhe Pavarësinë e saj, “kaq keni kërkuar dhe kaq keni marrë”. Jam kundër ndarjes së Kosovës por nëse ka një diskutim shkëmbimi kufinjsh të pranueshme jam dakort, të monitoruar, pse jo”, thotë ligjvënësi.
Kurse për pyetjen nëse fitorja e Trump do ndikojë apo do sjellë PD-në në pushtet ai u shpreh:
“Nuk mendoj si naiv se fitorja e Trump në SHBA do sjelli PD-në në pushtet. Por normalizon marrëdhëniet e PD-së sigurisht. PD duhet të bëhet vetë e aftë për t’i fituar zgjedhjet”.
Gazetarja Esmeralda Mulaj vuri në dukje rrezikun e rritjes së konflikteve në rajon, sidomos me Republikën Serpska dhe pasivitetin që ka treguar Kosova në planet e saj. Ajo tha se qeveria e Kosovës nuk ka asnjë plan.
“I tremben një Republika Srpska në Ballkan dhe rajon. Kosova nuk ka bërë një statut që ta bëjë dhe t’ua çojë në BE. E ka bërë Brukseli dhe ua ka çuar. Çfarë i intereson Kosovës, do të anëtarësohet në NATO? A u liberalizuan vizat nga BE, pra nëse Kosova do ndiqte parimin e avancimit nëpërmjet heshtjes do kishte marrë më shumë. Si do lobojë, sepse ka miq të shqiptarëve, por ka edhe miq të serbëve. Të kenë një plan dhe platformë se çfarë duan të bëjnë”, tha gazetarja.
Eksperti Ledjon Krisafi u shpreh se qëllimi i Serbisë dhe presidentit Vuçiç është të marrë një “copë Kosovë” dhe të shprehet se e realizoi qëllimin strategjik dhe nacionalist.
“Vuçiç ka qëllim që thjesht të marrë një copë të Kosovës dhe të thotë që ja morëm diçka. Ka një plan rus për ta bërë rajonin, Kosovën dhe Bosnjën. Shkëmbimi i territoreve është prioritet kryesor i Vuçiçit dhe të dalë e të thotë që ja unë e mora. Trump është person që mund të tundohet dhe t’i japi zgjidhje një problemi shekullor”, u shpreh ai.
Gazetari kosovar Rid Berisha ishte i ftuar sot në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report TV, ku analizoi premisat gjeopolitike me presidentin e ri amerikan për të ardhmen e rajonit.
Ai u shpreh se Trump nuk do e ketë shumë në radar Ballkanin dhe rajonin, teksa do i vendosë në opozitë palët Kosovë dhe Serbi për marrëveshjen dhe dialogun.
“Prioritetet e Trump presim të jenë dialogu Serbi me Kosovë. Por besoj se do merret shumë shkurt me Ballkanin, nuk do e shohë më Ballkanin dhe Serbinë siç shikon prioritetet e administratës së tij, nuk do ketë aq preokupim. Por duhet parë fakti se Rusia ka mbështetjen e saj kryesore deri edhe teknologjike dhe infrastrukturore në Serbi me Aleksandër Vuçiç. Do ndihen në siklet edhe zoti Rama dhe Kurti me shpurën e tij. Besoj se këta e njohin mirë Trump, që është hakmarrës dhe se nuk kanë aq peshë te votat elektorale në SHBA. Trump është politikan konvencional dhe nuk i duron dot burokracitë. Nuk shihen në radarin e presidentit Trump”, tha ai.
Gazetari teksa bën një parashikim politik për të ardhmen e Albin Kurtit, teksa edhe marrëdhëniet me SHBA janë ftohur prej kohësh, pasi ai shihet si problematik apo “i llastuar”.
“Serbia është tërhequr nga ndikimi rus, Serbia aktualisht ndodhet në trazira. Parashikoj se Trump do kërkoj që të zbatohet marrëveshja e firmosur në Bruksel Serbi-Kosovë, ose plani që ai ka në Zyrën Ovale, e 4 shtatorit. Politikanët në Prishtinë dhe Beograd e dinë shumë mirë. Lajm i keq për Kurtin dhe njerëzit e tij. Kurti nuk i merr dot më mbi 50% të votave. Kurti s’do jetë më kryeministër, edhe pse pritet të dalë i pari”, u shpreh Berisha.
Madje e çoi mendimin edhe më tej në lidhje me ardhjen e presidentit Donald Trump, që tenton një “rend të ri gjeopolitik”.
“Ai nuk do merret më me politikanë të llastuar. Asnjë politikan në Europë dhe aq më tepër në Ballkan nuk përbën më aq influencë për administratën e Trump. Ai duket se ka bërë një rend të ri gjeopolitik, “ose rri me mua, ose kundër meje”, duket pak populiste, të kthejë epokën e artë të Amerikës, ose Amerika e para. Të heq të gjitha terrenet e minuara, si në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme për të kthyer paqen. Beteja afatgjatë është Kina”, përfundon ai.
Duket se të gjithë do ta “vrisni fëmijën para se të lindë”. Unë kam një ide më të mirë: Le ta shpallim Sazanin një "ISHULLI I Gjarpërinjve" ku mund të rritim të gjitha llojet e gjarpërinjve dhe të qumështojmë helmet e tyre për industritë farmaceutike globale. Kjo do të sjellë më shumë përfitime për familjet shqiptare! A JENI GATI?
Përgjigju