Janë 26 prokurorë të rinj që do i shtohen sistemit të akuzës në Shqipëri. Ata u betuan në një ceremoni të organizuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Magjistratja Xhejsnila Hako, e emëruar në Durrës, foli në emër të kolegëve, kur tha se prokurorët e rinj, janë të vetëdijshëm për sfidat që i presin.
"Diku, diku do të përballemi me pengesa dhe trysni të pamerituara. Megjithatë për këtë secili është i vetëdijshëm. Do të tregoheshim të padrejtë me veten apo sakrificat tona nëse do të bënim kompromis në këmbim të sukseseve jo të dinjitetshme", tha Xhejsnila Hako, prokurore në Durrës
Në këtë linjë, mesazhi i kreut të KLP-së Alfred Balla ishte i qartë duke i kërkuar që të mos i zhgënjejnë.
"Kam vetëm një porosi. Mos na zhgënjeni. Sytë i kemi tek ju" tha Balla.
Kryeprokurori Olsian Çela, duke iu referuar vendeve vakante të krijuara nga vettingu, tha se magjistratët e rinj po hyjnë në sistem në një moment të vështirë.
"Sistemi i drejtësisë është duke kaluar një fazë mjaft të vështirë dhe shuëm komplekse dhe ju vini për fatin tuaj, ndoshta të keq, në një moment ku kontributi juaj do të jetë thelbësor në kapërcimin e situatës" tha Olsian Çela.
Ministri Ulsi Manja, apeloi që prokurorët e rinj përveç përfaqësimit të akuzës me dinjitet, ta kërkojnë drejtësinë edhe kur ajo finalizohet me pafajësi.
"Prokurori aq sa duhet të kujdeset për të mbledhur prova fajësie për autorin e veprës penale në emër të viktimave të krimit, po me të njëjtin kujdes duht të mbledhë prova që shfajësojnë të pandehurin nga akuza. Nuk ka asgjë më të rëndë nëse një i pafajshëm dënohet pa prova" tha Ulsi Manja.
Prokurorët e rinj janë emëruar në qytete si Durrësi, Korca, Gjirokastra dhe Fieri, ku institucionet e akuzës po përballen me mangësi disa vjeçare në staf si pasojë e shkarimeve nga vettingu.