Momenti kur betohet Gent Ibrahimi

Betohet në Presidencë anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese: Do i qëndroj besnik Kushtetutës

13 Dhjetor 2022, 12:52| Përditesimi: 13 Dhjetor 2022, 13:21

  • Share

TIRANË-Anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese, Gent Ibrahimi është betuar ditën e sotme. Me dorën në Kushtetutë Gjyqtari Ibrahimi u betua para presidentit Bajram Begaj.

“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.

Begaj i uroi suksese Ibrahimit në detyrën e re të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Sokol Binaj, Avokatja e Popullit,  Erinda Ballanca përfaqësues të OPDAT pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.

Ish-kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi do të nisë punën zyrtarisht si anëtari i 9-të i Gjykatës Kushtetuese. Ibrahimi u dekretua nga Begaj më 7 dhjetor, ndërsa e merr këtë detyrë për të plotësuar vakancën e krijuar pas mbarimit të mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo.

Pas mungesave të krijuara nga procesi i vettingut, Gjykata Kushtetuese e nisi punën në dhjetor 2020, pasi u plotësua kuorumi me 7 anëtarë. Aktualisht, me shtimin e Ibrahimit në radhët e saj, ajo ka në përbërje 9 anëtarë. Gjykata e Lartë propozon dhe ka te drejte emërimi për 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga 9 që ka gjithsej ajo. 3 përzgjidhen nga presidenti dhe 3 të tjerët nga Parlamenti.

Kush është Gent Ibrahimi?
Është diplomuar në drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1992. Ka përfunduar studimet Master në të Drejtën Kushtetuese në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU), Budapest, në periudhën 1994 - 1995. E ka filluar karrierën e tij si profesor i të Drejtës Administrative në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Përveç drejtimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ibrahimi ka drejtuar për pothuajse 19 vjet Institutin për Studime Publike & Ligjore, një organizatë e shoqërisë civile me orientim kërkimor/shkencor në fushën e qeverisjes dhe sistemit të drejtësisë.

Gjatë gjithë këtyre viteve ai është angazhuar sistematikisht në mësimdhënie dhe trajnime në Shkollën e Magjistraturës. Në vitet 2014 – 2016, Ibrahimi shërbeu si ekspert i nivelit të lartë në grupin e ngushtë të ekspertëve të angazhuar nga Komisioni Parlamentar Ad Hoc për Reformën në sistemin e Drejtësisë.

Ka punuar si Oficer Programi në Fondacionin Soros (1994 - 1995), Këshilltar Ligjor/Shef Kabineti i Ministrit të Shtetit për Reformën Legjislative dhe Marrëdhëniet me Parlamentin (1997 - 1999), Këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale (2002 - 2003), Këshilltar Ligjor në UNMIK (2003, 2004, 2006), Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Studimeve Publike dhe Ligjore (1999-2009) dhe Këshilltar në Projektin kundër Korrupsionit, PACA (2009 - 2012). Ai ka qenë i angazhuar si ekspert në disa Shërbime Konsulence në fusha të tilla si sistemi gjyqësor, reforma administrative, media, prokurimi publik, etj .

Gjithashtu, ka marrë pjesë në disa grupe pune për hartimin e ligjeve të rëndësishme si ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, ligji organik për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ligji për Gjykatat Administrative. Ai është bashkautor i disa artikujve, studimeve, teksteve shkollore në fushat e të Drejtës Administrative, Sistemit Gjyqësor, Organizatave Jo-fitimprurëse, të Drejtës së Informimit, etj.  

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Leko: 13/12/2022 13:17

    Sa bukur. Gjykate kushtetuese me zero gjyqtar profesionist.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?