Lauren Sanchez dhe Jeff Bezos

Bota

Bezos, mes vallëzimit dhe zhgënjimit: I prekur nga protestat! Lady Gaga bën teka

29 Qershor, 09:17| Përditesimi: 29 Qershor, 09:22

  • Share

Muaj mjalti në Venecia. Romantik dhe magjepsës si ai i të gjithëve. Ekstravagant dhe i pafund si ai i pak kujt. Pa dyshim, për këdo, i paharrueshëm. E tillë është edhe për çiftin e ri të artë të thashethemeve globale. Dreka e parë zyrtare si burrë e grua? Asnjë arratisje romantike në ndonjë ishull të lagunës. Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, si aktorë të përsosur, takojnë rreth pesëdhjetë mysafirë në Harry's Bar, monument kombëtar për ata që duan të shihen. Ndër ta, për të kuptuar nivelin, Orlando Bloom, Tom Brady, Sydney Sweeney, ikona e R&B Raymond Usher me bashkëshorten Jennifer Goicoechea dhe stilisti Tommy Hilfiger.

I pret Arrigo Cipriani, 93 vjeç: një zhytje në historinë e lokalit që prej pothuajse një shekulli pret jet set-in botëror. Në pjata: oriz me bizele, tagliolini me midhje dhe angjinare nga Torcello. Tema e ditës: askujt nuk i ka shpëtuar fakti që nusja tashmë prezantohet si Lauren Bezos Sanchez. Ndryshimi i mbiemrit në rrjete sociale ishte i menjëhershëm, ndërkohë që të shtunën në mbrëmje në ishullin San Giorgio po vazhdonte festa e dasmës, e zyrtarizuar disa javë më parë në SHBA. Në pritje të njohjes së kontratës paramartesore, një çështje biznesi që ndiqet jo vetëm nga Wall Street, zonja Amazon ka postuar menjëherë në Instagram fotografinë më të rëndësishme: për të treguar jo vetëm si duhet ta quajnë të tjerët nga tani e tutje, por mbi të gjitha, si duhet ta konsiderojnë nga pikëpamja ekonomike.

Foto të tjera në kopertinën dhe edicionin digjital të Vogue. Tre veshje për mbrëmjen e “po-së”. Për shkëmbimin e unazave, ajo ka zgjedhur një fustan të bardhë të frymëzuar nga ai i Sophia Loren në “Një burrë për Cinzia”. “Një copëz poezie — e përshkroi nusja — faleminderit Dolce&Gabbana për magjinë që krijuat”. Për darkën, gjithë vëmendja u përqendrua tek një fustan i Oscar de la Renta, frymëzuar nga ai i Gilda-s, i veshur dikur nga Rita Hayworth. E njëjta shtëpi mode i ka krijuar edhe modelin e flokëve për festën e vallëzimit, të zbukuruar me një zinxhir të gjatë 600 metra dhe me 175 mijë kristale. “Je një mrekulli”, i pëshpërit disa herë dhëndri. Në dorën e saj, unaza e re me diamant 40 karatësh, vathët me katër gurë të prerë nga një gur i vetëm dhe byzylyku prej perlash me inicialet e reja LB. “Jemi në një përrallë — përsërit çifti — për ne është një fillim i ri i shkruar brenda një ëndrre të quajtur Venecia”.

Nga një biznesmen i rezervuar, në Venecia Bezos zgjedh të ngjitet me ashensorin e shhaqjes: puthje të përsëritura para kamerave, për të shumëfishuar popullaritetin. Por miqve u rrëfen “hidhërimin dhe irritimin” për “kritikat e pakuptimta” që shpërthyen në qytet dhe u pasqyruan nga mediat amerikane. Ne e duam Venecian — thotë — dhe do të kontribuojmë në ruajtjen e saj: disa sulme janë adresuar gabim”. Pa përplasje, në publik vetëm buzëqeshje. Themeluesi i Amazon-it, sipas të afërmve, ka ndier megjithatë një atmosferë ndryshe nga ajo më e favorshme që ndjen në Amerikë. Ndalimi i dy jahteve të tij, dëbimi i vallëzimit të fundit nga Madonna della Misericordia, protestat dhe gjendja si në rrethim, në të cilën u detyrua të qëndrojë së bashku me të ftuarit e tij, e kanë tronditur.

Hijet politike mënjanë: relaks, shopping dhe vizita kulturore për të gjithë. Pas Bill Gates dhe të dashurës së tij Paula Hurd, Ivanka Trump dhe Francois-Henry Pinault, edhe presidenti i Stellantis, John Elkann, vizitoi me bashkëshorten dhe fëmijët ekspozitën në Akademi ku paraqitet Njeriu Vitruvian i Leonardos. Në mbrëmje, mes masave të sigurisë si për një samit të të Mëdhenjve, epilogu në Arsenale, zgjedhur për garancitë që ofron në aspektin e mbrojtjes. Për të mbrojtur emrat më të njohur të financës dhe jet set-it global, qindra agjentë, qen që nuhatnin bomba dhe zhytës. Askush, përfshirë edhe lundërtarët privatë, nuk mund të afrohej pranë fortesës pas Bienales, në lagjen e rrethuar Castello.

Spektakli i fundit nën Tese, magazinat ku Republika e Venedikut ruante anijet, armët dhe litarët e flotës së saj. Këtu u mbajt banketi, balloja me maska me kostume të stilit të shekullit XVIII dhe skenografitë e frymëzuara nga "The Great Gatsby", si dhe koncerti surprizë i paralajmëruar. Për një mbyllje diplomatike, pas dy buffet-eve me pjata siciliane dhe kampane, iu bë homazh edhe kuzhinës tradicionale veneciane dhe asaj rajonale: antipasta deti të ftohta dhe të ngrohta, bigoli me salcë dhe kallamarë në salcë, sepje të ziera dhe tiramisu nga Treviso. Mbetet mister koncerti i premtuar i Lady Gaga dhe Elton John. Diçka, në organizim, në minutat e fundit nuk funksionoi. Tekat e yjeve? Në Venecia, edhe të pasurit ndonjëherë qajnë./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po zbatohet siç duhet rregullorja e re për plazhet publike në Shqipëri?