Benjamin Netanyahu

Bota

‘Bibi po sillet si i çmendur’, Shqetësimi i Shtëpisë së Bardhë për Netanyahun pas bastisjeve në Siri

22 Korrik, 07:21| Përditesimi: 22 Korrik, 13:10

  • Share

“Bibi u soll si një i çmendur. Bombardon gjithçka vazhdimisht. Kjo mund të dëmtojë atë që Trump po përpiqet të bëjë”. Kështu i ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë gazetarit Barak Ravid nga faqja Axios, i njohur për kontaktet e tij të mira me qeveritë amerikane dhe izraelite, pas bombardimeve izraelite në Siri. “Çdo ditë ka diçka. Çfarë dreqin”, i ka thënë një tjetër zyrtar amerikan, duke u ankuar për kishën e goditur në Gaza javën e kaluar, çka kishte çuar Trump-in të telefononte Netanyahu-n për shpjegime. Një zyrtar i tretë ka thënë: “Netanyahu është si një fëmijë që refuzon të sillet mirë’.

Nuk është e qartë nëse presidenti Trump i ndan këto vlerësime, thekson faqja Axios. Trump ka krahasuar më parë Ukrainën dhe Rusinë me fëmijë që zihen në një park, duke shtuar megjithatë se ndonjëherë duhet t’i lejosh të vazhdojnë përpara se t’i ndalosh; dhe në rastin e Izraelit dhe Iranit, i frustrar para se të arrinin një armëpushim, ka thënë se “kanë kaq shumë kohë që luftojnë, saqë nuk e dinë më çfarë dreqin po bëjnë”.

Sulmi i Bibi Netanyahu-t ka befasuar Shtëpinë e Bardhë — të cilës i ishte njoftuar, por mesa duket jo në detaje — dhe është dënuar menjëherë nga liderët e Gjirit (Bahreini dhe Katari në vizitë te Trump javën e kaluar në Zyrën Ovale, të tjerë në telefon), por deri tani nuk ka sjellë një kritikë publike apo private nga ana e presidentit amerikan.

Izraeli ka deklaruar se autokolona e tankeve siriane e goditur kishte hyrë në një zonë në jug të Sirisë që supozohet të jetë e çmilitarizuar dhe se ushtria siriane po merrte pjesë në sulme kundër pakicës druze, gjë që qeveria e Damaskut e mohon. Ndjenja e disa zyrtarëve amerikanë — shkruan Axios — është se Netanyahu ka bombarduar për arsye politike të brendshme, përfshirë presionin e pakicës druze në Izrael.

Trump ka mbështetur qeverinë e përkohshme siriane të Ahmad al Sharaa-s dhe është angazhuar të heqë sanksionet kundër Sirisë, me shpresën që Damasku të njohë Izraelin dhe të bashkohet me Marrëveshjet e Abrahamit — "diçka për të cilën Al Sharaa është shprehur i hapur, por që tani duket e pamundur në afat të shkurtër", vëren politologu Ian Bremmer. Por "Netanyahu e ndjen veten ushtarakisht pa kufizime si në rajon, ashtu edhe me amerikanët. Dhe druzët janë një pakicë politikisht e dobishme për të, ndaj ai vendosi të ndërhynte me një sulm të papritur dhe spektakolar".

Tani janë izraelitët që shprehen të befasuar që sulmi ka shkaktuar shqetësim në Shtëpinë e Bardhë, shkruan më tej Axios. Në vizitën e fundit të Netanyahu-t në Uashington, ai dhe Trump u shfaqën më të afërt se kurrë pas bombardimeve kundër objekteve bërthamore të Iranit. Burime izraelite thonë gjithashtu se Trump ka inkurajuar Netanyahu-n të kontrollojë një pjesë të Sirisë dhe nuk ka shprehur kurrë shqetësim për ndërhyrjen e Izraelit në vend.

Nuk është hera e parë që kryeministri izraelit e vë në provë Trump-in: e pati me të drejtë bastin e tij se presidenti amerikan përfundimisht do të mbështeste sulmin në Iran. Ai gjithashtu vazhdoi luftën në Gaza, pavarësisht dëshirës së Trump-it për t’i dhënë fund. Amerikanët janë gjithashtu të shqetësuar për vrasjen e palestinezo-amerikanit Saif Musallet nga kolonë izraelitë fundjavën e kaluar: ambasadori Mike Huckabee, mbështetës i zjarrtë i Netanyahu-t që ka marrë pjesë edhe në procesin e tij për korrupsion për t’i treguar mbështetje, e ka cilësuar vrasjen si një akt "terrorizmi" dhe ka vizituar një komunitet të krishterë ungjillor në Bregun Perëndimor, i cili vetë ka qenë shënjestër e sulmeve nga kolonët./Corriere della sera

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    9 vite nga reforma në drejtësi, a janë përmbushur pritshmëritë?