Biblioteka në krizë, a do të ketë godinë të re?! Pirro Misha për Report Tv: Nuk kemi fonde investimesh, një pasuri e jashtëzakonshme që rri nëntokë

1 Shkurt 2022, 17:03| Përditesimi: 2 Shkurt 2022, 15:57

  • Share

TIRANË- Plani për një godinë të re të Bibliotekës Kombëtare duket se do të mbetet në letër…Një premtim i bërë për 30 vite me rradhë, por që nuk është realizuar asnjëherë. Drejtori Pirro Misha thekson se kjo godinë nuk duhet të jetë e mbyllur, por të hapet për të gjithë publikun e të njihet për pasuritë e jashtëzakonshme që ajo mbart. 

“Është e domosdoshme, por premtimin për një bibliotekë të re kombëtare unë e dëgjoj prej 30 vitesh. Ne kemi bërë kërkesë, por është diçka që nuk varet nga ne. Ne kemi për detyrë vetëm të bëjmë presion që të kuptohet se çfarë pasurie e jashtëzakonshme ruhet këtu. Nuk duhet të qëndrojë e mbyllur në katet e nëndheshme, por duhet të jetë në dispozicion të gjithkujt”, shprehet drejtori Pirro Misha.

Njësitë e bibliotekës janë aktualisht të vendosura në kuti kartoni dhe thasë, ndërsa antikuarët e dorëshkrimet e rralla, në arka metalike… Hapësira e nevojshme për sistemimin e materialeve, është gati 20-herë më e madhe se sipërfaqja aktuale, ndërsa amortizimi është një kërcënim më shumë. Raporti i performancës është bërë publik, por a ka pasur sinjale nga Ministria e Kulturës dhe Kryeministria për zgjidhjen e çështjes?

“Jo, nuk ka pasur reagim akoma. Ne jemi në fazën e analizës, nxjerrjes së konkluzioneve, kemi ngritur grupe pune për të shqyrtuar rekomandimet e KLSH-së. Është një pjesë që i referohet ministrisë dhe strukturave jashtë Bibliotekës Kombëtare. Do të Komunikojmë me ta. Ka edhe probleme të mbartura që kërkojnë zgjidhje me Ministrinë e Kulturës”,  thotë Misha.

Në përmbushje të Ligjit të së Drejtës së Autorit, digjitalizimi ka prekur vitin 1951. Ndërsa ngërçet në këtë proces lidhen me mungesën e pajisjeve tenknike për antikuarët dhe dorëshkrimet.

“Këto u ndërprenë me urdhërin tim, sepse në të gjithë botën ndalohen me pajisjet që kemi ne , të skanerëve të thjeshtë të digjitalizohen dorëshkrime apo vepra të vjetra, sepse mund të dëmtohen. Jemi në kërkim, bashkë me Ministrinë e Kulturës, sepse ne nuk kemi fonde për asgjë për një skaner të veçantë, pajisje dhe aparate fotografike. Kjo, sepse kur flasim për digjitim nuk është vetëm vënia në dispozicion, por edhe ruajtja. Në asnjë vend të botës përveç rasteve shumë të rralla lejohet që një dorëshkrim të preket me dorë, ndërsa këtu studiuesve ua vendosnim në dispozicion që në aspektin e ruajtjes, është një taktikë shumë problematike”, vijon ai.

Drejtori i Bibliotekës e vë theksin tek nevoja për çeljen e një fondi për librat e huaj, shërbim që ka ngecur prej 30 vitesh. Ndërsa një llogari në valutë, do të ishte sipas tij një mundësi më shumë për të krijuar ura bashkëpunimi, edhe me strukturat e  Bashkimit Europian, UNESKO-n, apo privatë të tjerë të interesuar.

“Duam të bëjmë ekspozita tematike, qëllimi i të cilave është ekspozimi i kësaj pasurie bubliotekare që është mbledhur në këto 101 vjet. Mirëpo edhe këto kërkojnë shpenzime. Ne nuk kemi para, nuk kemi fonde investimesh. Biblioteka nuk ka fonde investimesh duhet të kërkojmë edhe nga Ministria, por pse jo edhe nga privatë” , thotë më tej studiuesi.

Me shtimin e afro 9 mijë njësive mesatarisht çdo muaj, reduktimi i pesë kopjeve të librit që shpërndahen nga shtëpitë botuese, në dy të tilla, është sipas studiuesit një domosdoshmëri. Rregullimi i legjislacionit është hapi i parë që pritet të ndërmerret në këtë aspekt. Në mungesë të ambjenteve, librat do tu shpërndaheshin bibliotekave të rretheve, duke kontriubuar kështu edhe në pasurimin kulturor të këtyre institucioneve.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?